1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Bekshtajn: Kritika ndaj zotit Shojble e tepruar

Christian Sievers 16 Korrik 2007

Reagon kristiansociali, Gynter Bekshtajn pas kritikave drejtuar ministrit të brendshëm gjerman, Shojble, i cili kërkoi ashpërsimin e legjislacionit në luftën kundër terrorizmit

https://p.dw.com/p/BIYB
Gynter Bekshtajn, ministër i brendshëm i BavarisëFotografi: AP

Në programin e mëngjesit të kanalit të dytë televiziv gjerman, ZDF ministri i brendshëm bavarez, kristiansociali Gynter Bekshtajn (Günther Beckstein) u shpreh sot në lidhje me kritikën nga shumë drejtime ndaj ministrit të brendshëm gjerman Shojble (Wolfgang Schäuble.


A është ide e mirë që mendimet e ministrit të shprehen hapur kur bëhet fjalë për një temë kaq të ndjeshme sa mbrojtja kundër terrorizmit?

'Besoj se kritika ndaj zotit Shojble është e tepruar, por sigurisht që edhe pyetja në intervistën e Spiegel-it për vrasjen e të dyshuarve për terrorizëm ishte e keqkuptueshme. Besoj se kemi nevojë për një debat objektiv se çfarë plotësimesh të ligjeve janë të mundshme dhe të nevojshme për mbrojtjen e sigurisë dhe të lirisë. Duhet të jetë e qartë që shteti ligjor nuk mund të pezullohet përkohësisht, por gjithashtu jam i bindur se në kodin penal ekzistojnë disa mangësi.'

Detajet i shohim pas pak, zoti Bekshtajn, por fillimisht me të përgjithshmen. Propozimet duhet të gjejnë jehonë edhe tek njerëzit. Në fund të fundit në Gjermani njerëzit dëgjojnë gjithçka. A e kuptoni presidentin kur thotë se në deklaratat e Volfgang Shojbles dallon njëfarë staccato-je që ndoshta i mbingarkon gjermanët?

'Në intervistën për Spiegel-in, Volfgang Shojble (Wolfgang Schäuble) vetëm sa ka bërë pyetje, ai nuk ka dhënë përgjigje. Reagimi u shtua dita-ditës, sipas motos: Shojble as që dëshiron hetime të kujdesshme, por do t'i vrasë menjëherë të dyshuarit për terrorizëm. Por këtë ai as nuk nuk e ka thënë dhe as nuk e ka dashur asnjëherë. Kush e njeh Shojblen e di që ai është përkrahës i shtetit ligjor dhe kritika ndaj tij ishte e tepruar.

E gjitha kjo duket se paraqet një problem themelor. Përpara se të jetë kryer një vepër synohet të kapet keqbërësi sepse në rastin e një të dyshuari për terrorizëm vepra mund të ketë pasoja të tmerrshme. Nga ana tjetër nuk mund të arrestohen të gjithë të dyshuarit për terrorizëm. Cilat do të ishin mjetet që i duhen, sipas jush, detyrimisht shtetit për të përballuar këto rreziqe?

'Fillimisht është evidente që këtu kemi të bëjmë me një problem më të madh sesa në pjesën e kriminalitetit 'normal'. Në kriminalitetin 'normal' policia pret derisa arrihet së paku stadi i përpjekjes për të kryer një vepër penale. Të ndiqje këtë mënyrë veprimi kur bëhet fjalë për terror do të ishte tepër e rrezikshme. Nuk mund të pritet derisa dikush të ketë ecur aq shumë me përgatitjen e një atentati me bomba sa ta ketë provuar atë. Besoj se është e domosdoshme të duhen dënuar me ligj edhe veprimet përgatitore që janë të dënueshme që nga pikëpamja sociale.

Për shembull? Cilat do të ishin këto veprime përgatitore?

"Për shembull pjesëmarrja në një kamp stërvitor për terrorizëm. Ne dimë nga shumë njerëz, se ata që shkojnë në këto kampe stërvitore nuk merren vetëm me të luturit pesë herë në ditë, por ndërtojnë bomba, merren me pyetjen ç'armë biologjike dhe kimike ekzistojnë. Kur një njeri i tillë vjen në Gjermani, atëherë ta vëzhgosh atë vetëm si element të rrezikshëm është sipas meje shumë pak. Këtu duhet të mendohemi nëse nuk duhet zgjeruar trajtimi i anëtarësisë në një organizatë terroriste me elementët e përbetimit, siç është bërë në SHBA apo në Angli. Ose edhe çështja e mbledhjes së parave apo e të bërit reklamë për organizata të huaja terroriste; kur dikush në Gjermani del dhe thotë: 'O njerëz, Osama bin Laden-i dhe al Kaida është një organizatë e mrekullueshme, ne duhet t'i bashkohemi asaj', atëherë kjo nuk bën që kjo vepër të jetë e pandëshkueshme."