BE: Shqipëria të zgjidhë çështjen e pronësisë
21 Korrik 2011Projekti për regjistrimin e pronave në bregdetin e Jonit financohet nga BE me një shumë prej 1, 5 milionë eurosh. Ai përfshin zonën nga Llogaraja deri në kufirin me Greqinë dhe do të zbatohet me asistencën teknike të pranisë së OSBE-së në Shqipëri. Bashkë me regjistrimin e pronave ky projekt merr përsipër që të vendosë edhe sinjalistikën rrugore në një zonë prioritare turistike siç konsiderohet nga qeveria e Tiranës bregdeti i Jonit.
Në prezantimin e projektit të enjten (21.07) në Tiranë ambasadori i delegacionit të BE-së, Ettore Sequi, e cilësoi projektin në fjalë “ të rëndësishëm për turizmin dhe që rregullon kuadrin ligjor të Shqipërisë për pronat pasi vendos të drejtat e pronës”. Ai theksoi gjithashtu se “asnjë investitor i huaj nuk investon nëse nuk ka siguri për pronën”.
Zgjidhja e çështjes së pronës ndër kushtet për statusin e kandidatit
Realizimi i këtij projekti, i pari i këtij lloji në Shqipëri, është vlerësuar nga ambasadori i OSBE-së në Tiranë, Eugen Wollfarth si një "mënyrë efikase për të prodhuar të dhëna të sakta për pronat në bregdetin e Jonit dhe zgjidhur konfliktet si edhe për të zvogëluar korrupsionin." Z. Wollfarth tha gjithashtu se përgjegjësia për njohjen e pronës bie mbi shtetin.
Zgjidhja e çështjes së pronave dhe dhënia e tyre pronarëve të ligjshëm përbën një nga 12 rekomandimet prioritare që BE i kërkon Shqipërisë të plotësojë për të aplikuar në shtator të këtij viti për statusin e vendit kandidat për anëtarësim.
Autor: Ani Ruci
Redaktoi: Lindita Arapi