1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

BE shpëton Kjoton

12 Dhjetor 2011

Takimi i nivelit të lartë për klimën, organizuar nga KB në Durban, mori fund me një platformë. Delegatët nga 194 vende të botës që marrin pjesë në Konventën e KB për klimën, ranë dakord papritur për një paketë.

https://p.dw.com/p/13QpS
Mbaron takimi për klimën në Durban
Mbaron takimi për klimën në DurbanFotografi: picture-alliance/dpa

Pas një maratone dyjavorëshe shefja për çështjet e klimës në Kombet e Bashkuara, Christina Figueres mund të deklaronte të dielën në mëngjes së konferenca për klimën në Afrikën e Jugut, mori fund me nxjerrjen e një deklarate, të ashtuquajtur platformë e Durbanit.

Nuk dihet nëse marrëveshja u arrit sepse delegatët nuk mund të vazhdonin më të qëndronin pas bisedimesh që u zgjatën me 30 orë, ose për shkak të apelit urgjent të lëshuar nga COP- presidentja afrikanojugore Maite Nkoana-Mashabane. Ministrja e Jashtme e Afrikës së Jugut, dukej shumë e lodhur kur drejtoi në plenium apelin për të arritur në një marrëveshje: „Ne e dimë që rezultati nuk është perfekt. Por, ne nuk duhet ta kthejmë perfeksionin në armik të të mirës dhe të të mundshmes."

E ashtuquajtura platformë e Durbanit shihet si fillimi i një politike globale për klimën, që kërkon të reduktojë në dekadat e ardhshme emisionet e dyoksidit të karbonit, në mënyrë që ngrohja globale të qëndrojë nën dy gradë celsius. Me politikën e tanishme, shkencëtarët parashikojnë rritjen e temperaturës me katër gradë.

Marrëveshja e sapo pranuar parashikon një plan veprimi për të arritur një pakt botëror për klimën deri në vitin 2017 ose 2020, sipas të cilit jo vetëm vendet industriale, por edhe vendet në ekspansion ekonomik dhe vendet në zhvillim të jenë të detyruara të reduktojnë emisionet e tyre.

Si shpërblim, Bashkimi Evropian kërkoi zgjatjen me një periudhë të dytë të të vetmes marrëveshje të detyrueshme për emisionet, protokollit të Kjotos. Vitin e ardhshëm do të vendoset nëse kjo zgjatje do të jetë pesë apo dhjetë vjet. Në këtë mënyrë protokolli i Kijotos, jo vetëm që u shpëtua por u pranua edhe që deri vitin tjetër ai të bëhet gati për nënshkrim.

Marrëveshja e arritur nuk është perfekte, megjithë takimin maraton. Gjatë bisedimeve vetëm Bashkimi Evropian këmbënguli për arritjen e rezultateve ambicioze. Komisarja e BE-së për klimën Connie Hedegaard kërkoi deri në fund arritjen e një marrëveshjeje të detyrueshme. „Kur kemi një probem të madh përpara, një problem global, një problem ndërkombëtar, nuk mjafton vullnetarizmi për të zgjidhur problemin,“ nënvizoi ajo.

Me një aleancë krejt të re me vendet më të varfëra në zhvillim dhe shtetet e vogla ishuj, BE arriti të zbatonte në konferencën e Durbanit një pjesë të madhe të kërkesave të veta. Bisedimet u zhvilluan ditë dhe natë, deri sa më pesë të mëngjesit u gjet një emërues i përbashkët.

Megjithëse eksperti për klimën, Martin Kaiser nga  Greenpeace e shikon të gjithë paketën në mënyrë skeptike:  "Është arritur një sukses, që Kina dhe India, së bashku me Brazilin dhe Afrikën e Jugut të tregojnë tani gatishmëri që të marrin pjesë në një pakt global për klimën. Shpata e Demokleut, që SHBA të mos marrë pjësë në detyrime, vazhdon të qëndrojë.“

Por shumë çështje që kanë të bëjnë me arritjen e një marrëveshjeje ndërkombëtare për klimën, ku të marrin pjesë edhe ndotësit më të mëdhenj të ambientit, do të diskutohen në grupet e punës dhe në konferencat e ardhshme për klimën. 

Autor: Helle Jeppesen /Aida Cama

Redaktoi: Bahri Cani