1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

BE për turp? Pse heshtin krerët e BE-së për referendumin britanik?

Krerët e Bashkimit Europian nuk angazhohen në fushatën zgjedhore kundër Brexit, e duan me këtë të ndihmojnë proeuropianët në Britaninë e Madhe. Kjo të thotë shumë për marrëdhënien e vështirë mes ishullit e unionit.

Si ta quash këtë: Frikë nga armiku apo taktikë e mençur? Para referendumit në Britaninë e Madhe krerëve të BE-së nuk po u dëgjohet zëri. Udhëtimet në mbretërinë e përçarë evitohen. I fundit që guxoi të ishte në Londër, ka qenë eurokomisioneri britanik, Jonathan Hill, para14 ditësh.

Presidenti i Komisionit Europian, Jean-Claude Juncker i ka vënë vetë vetes detyrë të mos flasë. Ai ka thënë se “do ta mbajë gojën mbyllur sa të jetë e mundur”. Kjo vlen edhe për pjesën tjetër të trupës së BE-së. Vërtet që presidenti i Këshillit të Europës, Donald Tusk, këto ditë paralajmëroi nga një Brexit, por kjo u deklarua në një territor të sigurtë, në një konferencë ekspertësh në Bruksel.

BE? Ah, ajo gjëja nga Brukseli që të bën me turp...

BE-ja dhe veçanërisht Komisioni Europian janë aq tejet jo popullorë në mbretërinë grindavece. Prandaj edhe strategët e komunikimit në bordin e Junckerit kanë vendosur të bëhen të padukshëm. Vërtet është për turp që krerët e Brukselit nuk guxojnë të shkojnë në Britaninë e Madhe për të mbrojtur kauzën e tyre. Çfarë do të thotë kjo për kulturën politike, kur një dalje publike shihet si provokim? Madje vetë të angazhuarit e fushatës për një qëndrim të Britanisë së Madhe në BE nuk duan aspak mbështetje nga Europa.

David Cameron, kryeministri britanik lufton më me dëshirë i vetëm në emisionet e planfikuara televizive. Ai paraqitet si superheroi i vetmuar, që ka bërë zap monstrën e tmerrshme europiane dhe që ka siguruar statusin më të mirë të mundshëm për Britaninë e Madhe në BE. Sigurisht për këtë marrëzi nuk do përshtateshin ata djemtë e këqinj nga Brukseli - Juncker, Tusk, dhe presidenti i Parlamentit Europian, Schulz.

Ndërkohë debati në ishullin e çuditshëm bëhet me kaq argumenta absurde, saqë, një këmbëngulje për “Po” e BE-së vërtet këtë moment do të sillet efektin e kundërt. Faktet vetëm të bezdisin. Megjithatë e vështruar nga jashtë, të duket e çuditshme, që Bashkimi Europian ul kokën, kur në fakt në këtë votim bëhet fjalë për vetë BE-në. Nëse britanikët votojnë për daljen nga BE,-ja do të thuhet se BE është angazhuar shumë pak, ose ndoshta më shumë sa duhet. Presidenti i Komisionit Europian, Juncker, me sa duket është dorëzuar në përpjekjen për ta kuptuar këtë logjikë. Kritika për gjoja përzierje apo pak angazhim, është për atë ”kaq pa vlerë”, ka bërë të ditur europiani i lashtë. Tingëllon dëshpërim në këtë qëndrim...

Duhet të turpërohesh vërtet?

Kur të fashitet edhe vala e pluhurit pas shpërthimit të Brexit më 23 qershor, në Bruksel do shtrohet pyetja, nëse heshtja ishte vërtet strategjia e duhur. Nuk është më e ndershme, të thuash mendimin tënd, edhe pa u pyetur? Në fund të fundit bëhet fjalë për një çështje vendimtare për BE - jo për një çështje të brendshme të Britanisë së Madhe.

Të vjen t'u thërrasësh krerëve të BE: “Kini më shumë guxim!” Pozicion të qartë, ju lutem! Komisioni është krenar që e ka reduktuar emetimin e propozimeve rregullatore që vinin prej tij, krahasuar me të mëparshmit, problemet e konfliktet stërzgjaten, shtyhen. Vendet anëtare, që momentalisht ndodhen në kursin e re-nacionalizimit, nuk dëmtohen. Veç Polonisë. Por këtu nuk kishte rrugë tjetër, sepse po vihej në lojë vetë besueshmëria e BE-së në debatin për ligjshmërinë në Poloni. Megaprojekti i Komisionit të Junckerit, programi i investimeve nuk po ecën përpara. Në Bruksel luhet loja statike, kush lëviz i pari, humb. Kjo ka të bëjë edhe me dramën e Brexit, por jo vetëm me të.

Duket se nuk është më në modë të luftosh me zë të lartë për Europën. Koha kërkon tonet të ulta. Madje vetë Jean-Claude Juncker, si thotë ai, i ka vënë vetes detyrë vetëpërmbajtjen, që nuk është e zakonshme për të. A është kjo receta e duhur për të bindur euroskeptikët? Një gjë dihet: Kush ka turp edhe pse bën gjënë e duhur, nuk entuziazmon dot askënd!

Ju mund të ofroni mendimin Tuaj në fund të këtij komenti! Ne e mirëpresim qëndrimin Tuaj!