1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

110311 Libyen EU

12 Mars 2011

Gaddafi duhet të largohet, në rast nevoje edhe me dhunë. Më këtë kërcënim të lëshuar njëzëri BE kërkon të detyrojë diktatorin libian të largohet. Por pjesa më e madhe e vendeve anëtare janë kundër një aksioni ushtarak.

https://p.dw.com/p/10Y6q
Kancelarja Merkel, presidenti francez Sarkozy dhe Barroso gjatë samitit të BE-së për Libinë në Bruksel.Fotografi: dapd

BE u përpoq të arrinte një qëndrim të përbashkët ndaj Libisë. Por rezultatet direkte janë të dobëta. Masa më konkrete u përmend nga kancelarja gjermane Angela Merkel:

"Ne duam që diktatori Gaddafi të largohet. Për ne ai nuk është më bashkëbisedues legjitim, pasi bën luftë kundër popullit të vet. Për këtë arsye do të shqyrtojmë se si BE mund të vendose sanksione të mëtejshme, kryesisht në fushën ekonomike dhe financiare, për të bërë të qartë se rregjimi i Gaddafit nuk ka mbështetjen tonë dhe se për ne ai nuk është më bashkëbisedues i autorizuar."

Një nga bashkëbiseduesit e BE-së do të jetë këshilli kalimtar opozitar në Bengasi. Franca ndërkaq, në një veprim të njëanshëm, e ka njohur këtë këshill si përfaqësuesin e vetëm legjitim të popullit libian. Kjo shkaktoi irritime të mëdha në BE. Gjithashtu në mënyrë të njëanshme, presidenti francez Nicolas Sarkozy pak para fillimit të samitit ishte shprehur për sulme ajrore kundër Libisë, nëse do të përmbusheshin një numër kushtesh. Këtë ai e kishte paraqitur si qëndrim të përbashkët me kryeministrin britanik David Cameron. Ishte e parashikueshme që në dokumentin përfundimtar të samitit nga kjo nuk mbeti shumë. Por Sarkozy u shpreh megjithatë i kënaqur me vendimin:

Belgien EU Gipfel zu Libyen Angela Merkel und Nicolas Sarkozy
Irritim në Bruksel - deklaratat e njëanshme të presidentit Sarkozy për sulme ajrore kundër Libisë.Fotografi: dapd

"Zoti Cameron dhe unë jemi shumë të kënaqur që teksti i hartuar nga Këshilli Evropian shpreh shqetësimin tonë të thellë sa i takon sulmeve ajrore dhe parashikon që për mbrojtjen e popullsisë civile, vendet anëtare do të shqyrtojnë të gjitha opsionet e nevojshme."

Por "shqyrtim" në këtë rast do të thotë, shtyrje për një kohë të pacaktuar. Qëndresa në BE ndaj çdo lloj ndërhyrjerje ushtarake është e madhe. Kryeministri suedez Fredrik Rienfeldt, vendi i të cilit nuk është anëtar në NATO, nuk sheh asnjë kompetencë të BE-së në këtë çështje:

"Sipas mendimit tim çdo diskutim rreth një ndërhyrjeje ushtarake duhet bërë në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, Ligën Arabe dhe NATO. Kjo nuk hyn në kompetencat e BE-së."

Britaniku David Cameron kërkon ndërkohë një orientim krejt të ri të politikës evropiane për Afrikën e Veriut, e cila "nuk ka funksionuar gjithnjë":

"Afrika e Veriut ndodhet vetëm disa milje larg jugut të Spanjës. Ajo çfarë ndodh atje ka ndikim direkt në Evropë. Është në interesin tonë të ndikojmë në këto ngjarje me rëndësi të madhe. Ne duhet të mbështesim ndryshimin, duhet të vëmë kushte më të forta për miliarda eurot që japim për këto vende, dhe duhet t'u bëjmë këtyre vendeve një ofertë shumë të mirë, e cila të mbështetet në mundësitë masive ekonomike, që ofrojnë tregtia dhe bashkëpunimi me Evropën."

Se çfarë do të ndodhë më tej, varet nga konferenca e Ligës Arabe, e cila fillon punimet këtë të shtunë (12.3.) në Kajro. Presidenti i Këshillit të BE-së Herman Van Rompuy bëri thirrje për një samit të përbashkët me Ligën dhe Unionin Afrikan, për të diskutuar qëndrimin e mëtejshëm ndaj Libisë. Në radhë të parë në rast të masave ushtarake, miratimi i këtyre dy instancave konsiderohet i domosdoshëm.

Autor: Christoph Hasselbach / Eliana Xhani

Redaktoi: Esat Ahmeti