1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

BE kërkon të shpëtojë Shengenin

Bëhet fjalë për të ardhmen e Shengenit e unitetin tonë, paralajmëroi eurokomisioneri për refugjatët, Dimitris Avramopoulous. Një plan me disa etapa do të ndihmojë në rivendosjen e qarkullimit të lirë brenda BE-së.

„Ndodhemi në një moment të rëndësishëm të historisë sonë“, prognostikoi Dimitrio Avramopoulos, komisioneri i BE-së për refugjatët e çështjet e brendshme. Bëhet fjalë për të ardhmen e Shengenit dhe unitetin e Bashkimit Europian dhe „për atë që kemi arritur në këto 60 vite“. Me këtë Avramopoulos ka parasysh hapësirën e përbashkët ekonomike dhe qarkullimin e lirë në zonën Shengen. Mbyllja e kufijve në Europë do të kushtonte 18 miliardë euro në vit, ka llogaritur Brukseli. Më shumë bllokime trafiku të kamionëve, më pak turistë, më shumë polici kufitare – të gjitha do të ishin shpenzime miliardash. Por kjo llogari nuk solli ndonjë ndryshim të politikës së refugjatëve as në Vjenë e as në Ballkan. Meqënëse Brukseli nuk po gjen një zgjidhje për kontestimet politike, Komisioni atëherë po merret me anën operativen të problemit.

EU Kommissar Dimitris Avramopoulos

Dimitris Avramopoulos

Plan veprimi për rivendosjen e Shengenit

Gjithçka lidhet me mbrojtjen e kufirit greko-turk. Deri në fund të javës së ardhshme, Greqia do të paraqesë një plan veprimi se si do t'i plotësojë 50 kërkesat për mbrojtjen e kufirit - duke filluar nga regjistrimi i plotë i refugjatëve, kthimi i migrantëve ekonomikë e të tjera. Në fund të marsit Frontex do të kërkojë më shumë polici të mbrojtjes kufitare në ndihmë të Greqisë, ndërsa në fund të prillit do të bëhet një bilanc i masave të marra. Po qe se ato nuk sjellin ndonjë rezultat, atëherë në maj Komisioni Europian do të zgjasë afatin për mbylljen e pjesshme të kufijve edhe për dy vjet të tjera, gjë që faktikisht nënkupton dështimin e planit. Por po qe se plani i Komisinit te BE-së funksionon pjesërisht, atëherë, në qershor Këshilli Europian do të dërgojë një trupë të përbashkët të BE-së për mbrojtjen e kufijve të jashtëm të unionit,, e cila do të fillonte nga puna në shtator dhe do të ishte aktive deri në nëntor. Këto janë planet teorike të KE-së.

Asgjë pa Turqinë

„Turqia ka shërbyer si korridor“ dhe ka mundësuar eksodin e qindra mijëra vetëve, shprehet eurokomisioneri Avramopoulos, prandaj bashkëpunimi me këtë vend është më shumë se vendimtar. „BE ka nevojë për Turqinë për të kapërcyer krizën.“ Bashkëpunimi i ri po jep edhe frytet e veta, sepse ndërkohë janë kthyer 300 emigrantët e parë ilegalë. Kjo është edhe një nga pikat e strategjisë së përbashkët:

Ajo funksionon vetëm nëse pala turke pranon refugjatët që kthehen dhe që nuk kanë asnjë shans për azil në Europë. Dhe nga ana tjetër nëse refugjatët as nuk arrijnë të vijnë deri në tokën europiane, pra ata pengohen të kalojnë kufirin e jashtëm të BE-së. Por kjo mund të funksionojë, vetëm nëse Europa merr nga Turqia kontigjente të caktuara, sepse ky vend strehon ndërkohë më shumë se 2,5 milionë sirianë. Por nuk dihet nëse vende të tjera veç Gjermanisë do ta mbështesin këtë zgjidhje të BE-së.

Griechenland Idomeni by Night Group tents

Refugjatë në Idomeni

Plan për bashkëpunimin me Ankaranë

Komisioni Europian ndërkohë do të paraqesë raportin për hapat drejt liberalizimit të vizave me Turqinë. Në korrik do të vlerësohet progresraporti dhe në tetor pritet të vendosen lehtësime në liberalizimin e vizave që mund të hyjnë shpejt në fuqi. Këto janë lëshimet që bën Brukseli për t'ua ëmbëlsuar turqve bashkëpunimin në këtë krizë. Në të njëjtën kohë BE përgatitet për hapjen e kapitujve të tjerë të negociatave të anëtarësimit. E në fund rrjedhin edhe fondet e para. BE ka premtuar 3 miliardë euro, po qe se Turqia i mban refugjatët brenda kufijve të saj. 95 milionë euro janë para livrimit në Turqi. Gjysma e fondeve shkon në shkollimin e fëmijëve sirianë dhe për artikuj ushqimorë të World Food Programm.

Planet dështojnë në praktikë

Pyetjes se kush është i mirëseardhur në Europë pas masave të reja, eurokomisioneri Avramopoulos i përgjigjet në mënyrë abstrakte. “Jemi të hapur për të gjithë ata që kanë nevojë për ndihmë ndërkombëtare.” Sipas të dhënave të UNHCR-së, 48% e refugjatëve janë sirianë. “Ata nuk hiqen si sirianë, ata janë sirianë”, është shprehur një zëdhënës i organizatës së OKB-së. Ata duhet të kalojnë në Greqi apo Itali dhe të shpërndahen, gjë që siç dihet deri më tani nuk ka funksionuar. Po kjo mund të thuhet edhe për irakianët apo afganët që kanë nevojë së paku për mbrojtje brenda një afati të caktuar. Në rastin më të mirë, pra nëse masat e marra vërtet japin efekt, vala e refugjatëve vetëm mund të përgjysmohet.

Edhe njëherë eurokomisioneri Avramopoulos bëri fjalë për „fytyrën e shëmtuar të trafikantëve“. Ndërsa të enjten presidenti i Këshillit të BE-së, Donald Tusk drejtoi një apel dramatik ndaj migrantëve ekonomikë, të mos merrnin rrugën drejt Europës, sepse ata nuk pranohen në Europë. Por lufta e BE-së kundër trafikantëve është për momentin një luftë në letër. Trafikimi i qenieve njerëzore është një biznes multi-miliardësh që është rrënjosur ndërkohë thellë në strukturat korruptive të disa vendeve të Ballkanit dhe Turqisë.