1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Arrihet marrëveshja Kosovë-Serbi për kodin telefonik

Bekim Shehu
14 Nëntor 2016

Kosova do të ketë kodin e saj telefonik dhe për këtë është pajtuar edhe Serbia. Prishtina thotë se kjo është një arritje e madhe, ndërsa Beogradi, thotë se ka arritur të ruajë asetet e Telekom Serbija në Kosovë.

https://p.dw.com/p/2SejW
Mann telefoniert im Freien
Fotografi: picture-alliance/Beyond

Kosova dhe Serbia përfundimisht kanë arritur marrëveshje për kodin telefonik të Kosovës, pas më shumë se gjasht vjet bisedime në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian. Prefiksi për Kosovën do të 383 dhe do të hyjë në fuqi nga fillimi i dhjetorit i këtij viti. 

"Përfaqësuesit e dy palëve me ndihmën e Bashkimit Evropian kanë arritur marrëveshje në implementimin e mëtejmë të marrëveshjes së dakorduar dhe të nënshkruar për Telekomunikacionin më 2013 dhe në Planin e Veprimit 2015 të rrjedhur nga kjo marrëveshje. Marrëveshja do të sigurojë një kod treshifror që është ndarë për Kosovën nga Unioni Ndërkombëtar i Telekomunikacionit (ITU)”, thuhet në njoftimin e BE-së.

Më tej bëhet e ditur se "në kuadër të zbatimit të kësaj marrëveshjeje, Serbia obligohet t'i dërgojë letër ITU-së me të cilën pajtohet që ITU t'ia alokojë kodin telefonik Kosovës, dhe ky obligim duhet të realizohet me datën 3 dhjetor 2016. Ndërsa, nga ana e saj, Kosova obligohet që të japë një lejim të përkohshëm dhe të kufizuar për telefoni mobile për një kompani të re 'mts.d.o', kompani kjo e regjistruar sipas Ligjeve të Republikës së Kosovës".

Sipas njoftimit, marrëveshja i mundëson kompanisë së re "MTS d.o.o” të veprojë me leje të plotë për shërbimet telefonike në Kosovë dhe të marrë autorizimin e përkohshëm për telefoninë mobile. Kosovës do t'i jepet kodi digjital treshifror nga ITU, në të njëjtën kohë që kjo kompani e re do të nisë operimet në Kosovë”.

Bashkimi Evropian e përshëndet marrëveshjen

Sipas BE-së në javët e ardhshme, të dyja palët Kosova dhe Serbia do të zbatojnë një sërë masash për të zbatuar këtë marrëveshje. Të gjithë draft dokumentet e lidhura me licencat, transferimi dhe regjistrimi i pasurive do të përfundojë deri më 28 nëntor.

Bashkimi Evropian, e ka mirëpritur këtë rezultat dhe në të njëjtën kohë nxit të dyja palët që të përshpejtojnë progresin për zbatimin e marrëveshjeve të tjera të arritura, në veçanti atë për Bashkësinë e Komunave me shumicë serbe dhe atë për Energjinë.

Kosovo Stellvertretende Ministerpräsidentin Edita Tahiri
Edita Tahiri Fotografi: DW/B. Shehu

Ministrja për Dialog në qeverinë e Kosovës, Edita Tahiri, këtë marrëveshje e ka cilësuar "një të arritur të madhe të Kosovës, duke thënë se të gjitha kodet tjera që janë përdorur deri më tash ( 381, 377, 386) do të largohen nga përdorimi. Marrëveshja për telekomin dhe zbatimi i saj do të mundësojë të vendoset rendi dhe ligji edhe në fushën e telekomit dhe nuk do të ketë më asnjë operim ilegal në sektorin e telekomit në të gjithë territorin e vendit”, thotë Edita Tahiri.

Identitet shtetëror në fushën e telekomunikimit

Sipas saj, Kosova përfiton në shumë fusha, duke krijuar  si thotë "identitetin e vet shtetëror në fushën e telekomunikimeve, pasi që do të identifikohet ndërkombëtarisht me kodin e saj unik shtetëror +383. Me implementimin e kodit të ri, ai do të përdoret në tërë territorin e vendit dhe nga të gjithë operatorët e telefonisë mobile dhe fikse, të cilët veprojnë në Republikën e Kosovës. Me implementimin e kodit të ri unik, do të eliminohen pengesat e krijuara nga mungesa e tij, respektivisht përdorimi i tri kodeve të ndryshme (aktualisht +377, + 386, dhe +381), të cilat e kanë bërë të pamundshëm implementimin e disa mekanizmave të rëndësishëm për mbrojtjen e konkurrencës. Do të eliminohen pengesat në orientimin e trafikut si në shkuarje ashtu edhe në ardhje, si dhe menaxhim më adekuat të resurseve të kufizuara numerike. Me këtë marrëveshje për telekomin sipas Edita Tahirit, "vendoset kufiri frekuencor mes dy shteteve, Kosovës dhe Serbisë, dhe hapet rruga që Kosova ta realizojë programin shtetëror të digjitalizimit sipas standardeve të ITU.

Gjuriq: Pozitive për marrëdhëniet e Serbisë me Prishtinën dhe BE-në

Marrëveshjen ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, e ka komentuar edhe shefi i zyrës për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, duke thënë se "është mirë që Serbia nuk ka pranuar një marrëveshje që nuk është në interes të serbëve, por që ka arritur një marrëveshje që i përshtatet serbëve”. 

"Kjo marrëveshje ruan pronën komplete të ‘Telekom Serbija', që mund të shihet në deklaratën e BE-së. Të gjitha asetet e "Telekom Serbia”, janë transferuar në "MTS d.o.o” që do të operojë në Kosovë dhe është zyrtarisht në pronësi të MTS Telekom Serbia. Pra, astetet e ‘Telekom Srbija' janë zyrtarisht të ruajtura përgjithmonë, si stacioni bazë dhe çdo gjë tjetër. Kosovarët kanë dashur të rrëmbejnë asetet tona dhe ne nuk kemi pranuar. Kjo është një marrëveshje e rëndësishme, e sigurisht do të jetë pozitive në marrëdhëniet tona me Prishtinën dhe BE-në”, ka thënë Marko Gjuriq.

Që nga paslufta Kosova ka përdorur tri kode telefonike, 381, 377 dhe 386, duke humbur kështu miliona euro.