1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

BE-ja ofron mbështetje politike për Greqinë

12 Shkurt 2010

Kryetarët e shteteve dhe qeverive të BE-së diskutuan në samitin e tyre të jashtëzakonshëm në Bruksel mbi situatën e rëndë financiare të Greqisë. Ata ranë dakord për ngritjen e një rrjeti shpëtimi.

https://p.dw.com/p/LzCM
Foto simbolike: re të zeza mbi Akropol, kriza financiare në Greqi.
Fotografi: DW/AP

Ishte takimi i parë i nivelit të lartë i cili zyrtarisht drejtohej nga presidenti i përhershëm i Këshillit të BE-së, Herman Van Rompuy. Bashkë me kryetarët e shteteve dhe qeverive të 27 vendeve anëtare, ai u tërhoq në qetësinë e bibliotekës Solvay në Bruksel. Van Rompuy kishte nevojë për qetësi për diskutimin e temës serioze të krizës greke të borxheve.

Presidenti i Përhershëm i Këshillit të BE-së, Van Rompuy.
Van Rompuy: Eurozona ka nevojë për politikë solide financiare.Fotografi: AP

Greqia nuk do të lihet vetëm

Kriza kërcënon që të kalojë edhe në vende të tjera të eurozonës dhe rëndon monedhën e përbashkët. Një gjë është e qartë: vendet e eurozonës nuk do ta lënë Greqinë vetëm në këtë situatë, tha Van Rompuy: "Të gjitha vendet anëtare të eurozonës duhet të ndjekin një politikë kombëtare solide në kuadër të rregullave për të cilat është rënë dakord. Ato kanë një përgjegjësi të përbashkët për stabilitetin ekonomik dhe politiko-financiar të eurozonës. Në këtë sfond ne mbështesim pa kufizime përpjekjet e qeverisë greke dhe synimin e saj për të bërë gjithçka është e nevojshme, përfshirë këtu masat shtesë, në mënyrë që të arrihen objektivat ambiciozë të programit të stabilitetit për vitin 2010 dhe vitet në vazhdim."

Papandreu premtoi uljen me 4% të deficit brenda 2010-s

Në këmbim kryeminstri grek Jorgos Papandreu ka bërë premtime të rëndësishme. Për shembull ai synon të ulë brenda 2010 me 4% deficitin buxhetor aktualisht në nivelin 13% të Produktit të Brendshëm Bruto. Një detyrë kjo aspak e lehtë përballë kundërshtimit politik në Greqi.

Greqia synon t'ia dalë me forcat e veta

Por sipas fjalëve të kancelares gjermane Angela Merkel, një gjë Papandreu nuk e donte: pikërisht paratë: "Greqia nuk kërkoi asnjë lloj mbështetjeje financiare. Ajo deklaroi vetëm se është gati të zbatojë programin e saj dhe ta lidhë zbatimin e tij me gjykimin pozitiv të Komisionit dhe Bankës Qendrore Evropiane. Dhe sot ky është mesazhi më i mirë i mundshëm për euron."

Foto simbolike: Greqia dhe Bashkimi Evropian
Fotografi: DW/AP

Merkel dhe Sarkozy kërkojnë një qeveri evropiane për ekonominë

Institucionet evropiane do të vlerësojnë çdo muaj nëse Greqia përmbush detyrimet e saj. Por se çfarë ndodh nëse Greqia nuk i përmbush ato, për këtë të gjithë pjesëmarrësit në samit mbajtën heshtje të hekurt. Por Merkel dha edhe një tjetër sinjal të rëndësishëm. Ajo doli në konferencën për shtyp bashkë me presidentin francez Nicolas Sarkozy dhe theksoi se dy vendet më të rëndësishme të eurozonës kanë një përgjegjësi të veçantë. Së bashku ato kërkuan në sfondin e krizës një qeveri evropiane për ekonominë. Se çfarë do të thotë kjo, u sqarua kështu nga Sarkozy: "Një qeveri për ekonominë do të thotë që në kuadër të këtij Këshilli të gjykohet për situatën, të koordinohet politika dhe të merren iniciativa. Është tejet e rëndësishme që të arrihet një konsensus nga të gjithë pjesëmarrësit në tryezë."

Mesazh për tregjet financiare

Të tregosh solidaritet për njëri-tjetrin në krizë, të bashkëpunosh edhe më ngushtë por gjithnjë duke respektuar rregullat - ky ishte mesazhi më i rëndësishëm i takimit të jashtëzakonshëm. Ky mesazh i drejtohet në radhë të parë tregjeve. Nëse ai do t'i bindë tregjet kjo është çështje tjetër dhe do të tregohet në javët e ardhshme.

Autor: Christoph Hasselbach / Eliana Xhani

Redaktoi:Bahri Cani