1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

BE-ja kërkon qëndrim ndaj shtetit të palestinezëve

15 Shtator 2011

Palestina kërkon të kërkojë antërësinë në OKB para asamblesë së përgjithshme të organizatës. Kështu pavarësia e saj do të njihej në plan ndërkombëtar. Kërkesa ka shkaktuar kokëçarje diplomatike në BE dhe Gjermani.

https://p.dw.com/p/12ZKr
Kërkesa e Palestinës për njohje në OKB shkakton trazime diplomatike
Kërkesa e Palestinës për njohje në OKB shkakton trazime diplomatikeFotografi: AP

Ulësen e tyre në OKB palestinezët e kanë prej kohësh. Të punuar me dru ulliri, të veshur me mëndafsh dhe të lyer me ngjyrën e kaltër të Kombeve të Bashkuara. Mbi të shkruhet: „E drejta e Palestinës – Anëtarësi e plotë në OKB.“ Një organizatë palestineze joqeveritare e kishte porositur ulësen dhe filloi me të në shtator një udhëtim në kryeqytete të ndryshme.

 
Por nëse ulësja do të marrë vërtet vendin e saj në Kombet e Bashkuara, mbetet e paqartë. Të hënën (20.09.2011) fillon punimet asambleja e 66 e përgjithshme e OKB-së në Nju-Jork. Ditët në vijim presidenti palestinez Mahmud Abaz pritet të kërkojë pranimin e Palestinës si vendi i 194 në Kombet e Bashkuara: një vend, i cili zyrtarisht nuk është njohur ende si shtet. Pikërisht kjo u shkakton jo pak kokëçarje diplomatike anëtarëve të OKB-së dhe i ka ndarë ata në dy kampe.

 
SHBA-ja do të vendosë veton

Nga njëra anë janë përkrahësit: para së gjithash Amerika Latine, Afrika dhe bota arabe e mbështesin kërkesën palestineze. 126 shtete janë kështu në krah të Palestinës, tha presidenti Abas të mërkurën. Disa anëtarë të BE-së e mbështesin gjithashtu kërkesën palestineze. Këtu bëjnë pjesë Belgjika, Greqia, Irlanda, Spanja dhe Portugalia. Edhe Franca do të pranonte kërkesën për anëtarësim, nëse deri atëherë nuk do të ketë negociata për paqen mes Izraelit dhe palestinezëve.

Në kampin tjetër është SHBA. Uashingtoni në parim është shprehur për një zgjidhje me dy shtete, që do të thotë: një shtet i pavarur palestinez që do të ekzistonte krahas Izraelit. Por Uashingtoni kërkon që kjo të arrihet me negociata, jo me veprime të njëanshme në Asamblenë e Përgjithshme. Qeveria e SHBA-së ka bërë tashmë të qartë se do të vendosë veton në Këshillin e Sigurimit të OKB-së. Edhe Britania e Madhe, Holanda, Italia dhe Çekia refuzojnë anëtarësimin në këtë moment. 
 
Gjermania kundër veprimit të njëanshmën në OKB 

Gjermania bën pjesë gjithashtu në kampin kundër veprimit të njëanshmën dhe ka paralajmëruar autoritetin palestinez ndaj ndërmarrjes së këtij hapi. Gjatë një vizite në Lindjen e Afërt në mes të shtatorit, ministri i Jashtëm gjerman Guido Westerwelle, deklaroi se duhet të shmangen hapat që do të vështirësonin arritjen e zgjidhjes me dy shtete. Pyetja vendimtare është se çfarë i shërben procesit të paqes, dhe çfarë do ta pengonte atë. Në këtë kuadër Gjermania duhet të marrë parasysh edhe raportin e saj të veçantë me Izraelin. Kjo është e barabartë me një “jo” diplomatike ndaj veprimit të njëanshmën të palestinezëve në Asamblenë e Përgjithshme, të cilin qeveria izraelite e refuzon në mënyrë strikte.

Ministri i jashtëm Westerwelle nuk mban qëndrim të qartë
Ministri i jashtëm Westerwelle nuk mban qëndrim të qartëFotografi: picture-alliance/dpa

Ministri i Jashtëm luksemburgas Jean Asselborn i tërhoqi vëmendjen Gjermanisë të mos lejojë që Palestina të kthehet me duar bosh nga Nju-Jorku. Në një intervistë me agjencinë e lajmeve „dpa“ në fillim të shtatorit, Asselborn tha: „Ne duhet t'u themi miqve tanë gjermanë, dhe këtë e bëjmë me modesti pasi e njohim përgjegjësinë e tyre, se mbrojtja e interesave të Izraelit nuk është identike me mbrojtjen e interesave të një qeverie specifike izraelite.“ BE duhet t'i tregojë Izraelit se pozicioni i tij kokëfortë ndërkombëtar nuk është më i tolerueshëm, tha të mërkurën ministri i Jashtëm luksemburgas për radion Deutschlandfunk. "BE, mund të ushtrojë shumë ndikim mbi qeverinë izraelite, veçanërisht me mbështetjen e Gjermanisë, pasi në periudhë afatgjatë, ky pozicion dëmton me siguri sigurinë dhe interesat e shtetit izraelit," shtoi politikani. 
 
BE përpiqet për një qëndrim të përbashkët

Gjermania me siguri do të preferonte një qendrim unik të BE-së. Por njëherë për njëherë kjo nuk është e mundur, pasi BE nuk arrin të marrë vendim. Gjetja e një pozicioni të përbashkët është e vështirë, pasi një pjesë e shteteve anëtare i mbështësin palestinezët, ndërkohë që të tjerët refuzojnë. Në fillim të shtatorit ministri i Jashtëm i Polonisë Radoslaw Sikorski, deklaroi në një takim të ministrave të jashtëm të BE-së, se BE do të pozicionohet pasi të jetë paraqitur një kërkesë nga autoriteti palestinez: “Deri atëherë, kemi rënë dakord të mos spekulojmë.”

Qeveritë evropiane kërkojnë unitet në çështjen e Palestinës
Qeveritë evropiane kërkojnë unitet në çështjen e PalestinësFotografi: picture-alliance/dpa

Më shumë është i mundshëm një pozicion i ndërmjetëm, bëhet e ditur nga qarqet e mirë informuara, njofton agjencia e lajmeve “dpa”.  “Për sovranitetin e tyre shtetet e veçanta vendosin vetë”, tha e ngarkuara e BE-së për politikën e jashtmë Catherine Ashton, në takimin e ministrave të jashtëm. Më pas vendet e veçanta mund të vendosin të lira nëse e miratojnë kërkesën, apo jo. BE mund të përfaqësojë një zgjidhje të ndërmjetme ose mininale: statusin e vëzhguesit të posaçëm si “shtet joanëtar”, bën të ditur më tej agjencia “dpa”. Një status të tillë ka për shembull Vatikani.

Evropianët e thjeshtë e mbështesin kërkesën e palestinezëve

Edhe pse qeveritë e tyre dhe BE përpiqen të gjejnë një pozicion, pjesa më e madhe e popullsisë në tre shtetet e mëdha të BE-së, sipas një studimi të institutit britanik të anketimeve YouGov, mbështesin shtetin palestinez. Anketimi i publikuar të hënën tregon se 76% e gjermanëve e mbështësin pavarësinë e Palestinës. Në Britaninë e Madhe mbështetësit janë 59% dhe në Francë 69% e të anketuarve.

Mahmud Abas, në prag të votimit, i quajti përpjekjet e tij për njohjen e shtetit palestinez si „të pakthyeshme“. Por edhe më tej mbetet e hapur nëse ulëses në OKB do t'i jepet vërtet një vend i përhershëm në Asamblenë e Përgjithshme dhe prej saj.
  
Autor: Naomi Conrad (afp, dapd, ots, ips) / Elert Ajazaj
Redaktoi: Angjelina Verbica