1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Bashkëpunimi i pamundur?

20 Gusht 2010

Edhe sot 20 pas fillimit të shpërbërjes ende nuk janë shëruar plagët e luftës në republikat e dikurshme të ish-Jugosllavisë. Kjo i rëndon marrëdhëniet mes vendeve dhe e bën të pamundur bashkëpunimin.

https://p.dw.com/p/Onnz
Flamujtë dhe simbolet e ish- Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë.
Flamujtë dhe simbolet e ish- Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë.Fotografi: DW/Marina Martinovic

Ndonëse në luftërat e Jugosllavisë së viteve 90-të nuk ka pasur ndonjë fitues dhe humbës të qartë, ish-republikat e saj përballen në mënyra të ndryshme me pasojat e luftës. Në ato vende ku shkatërrimet nuk kanë qenë aq të tmerrshme është krijuar një përshtypje e shoqërisë se megjithë plagët e shumta, ata kanë qenë në anën e fituesve dhe në anën e së drejtës. Këto vende e kanë më të lehtë të përballen me pasojat e luftës. „Kjo shihet veçanërisht në raport me krimet e luftës", thotë politologu dhe anëtari i Qendrës Alumni për Studime Ndërdisiplinore (ACIPS) në Sarajevë. Shembull i mirë për këtë është Kroacia. Fakti që Kroacia është çliruar vetë, ia lehtëson shoqërisë së atjeshme përballjen me kriminelët e luftës nga radhët e veta", pohon Gratz.

Beograd
BeogradFotografi: picture-alliance/ dpa

Por atje ku krimet e luftës janë bërë në mënyrë sistematike dhe ka qenë metodë e zgjedhur prej udhëheqësve të luftës, gjendja është ndryshe. Vrasjet masive, djegiet, dëbimet apo dhunimet masive janë përdorur në Bosnjë-Hercegovinë si mjet për „spastrimet etnike". Mjete të tilla janë përdorur gjatë luftës si armë kryesisht prej serbëve të Bosnjës. Prandaj sot është vështirë që në Bosnjë-Hercegovinë, ku serbët, boshnjakët dhe kroatët duhet të ndërtojnë një shtet të përbashkët, të gjendet një model i përbashkët për kapërcimin e së kaluarës, thotë Gratz.

Duhet bashkëpunuar në qoftë se synohet anëtarësimi në BE

Sot, dy dekada pas shpërbërjes së shtetit të përbashkët, dhe 15 vite pas përfundimit të luftës së tmerrshme, megjithë plagët e shumta të hapura, të gjitha vendet pasardhëse të ish -Jugosllavisë duan të antarësohen në Bashkimin Evropian (BE). Një prej kushteve për anëtarësim është bashkëpunimi rajonal, i cili deri tani ka qenë i vështirë. Afrimet e deritanishme janë bërë me hapa shumë të ngadalshëm, sepse palët nuk kanë besim tek njëra-tjetra.

Kopertina e librit "Elitocid në Bosnjë - Hercegovinë" të Dennis Gratz.
Kopertina e librit "Elitocid në Bosnjë - Hercegovinë" të Dennis Gratz.Fotografi: Nomos

Megjithatë disa gjëra kanë ndryshuar. Në shkurt në Kroaci u zgjodh presidenti i ri Ivo Josipoviq. Ai ka bërë një hap të madh përpara në bashkëpunimin mes Kroacisë dhe Serbisë, kryesisht sa i përket luftimit të krimit të organizuar, pohon Tanja Topiq, politologe nga Banja Lluka e Bosnjë-Hercegovinës. Kroacia mbështet edhe procesin e antarësimit të vendeve të rajonet në BE, thotë ajo. Për shembull, Kroacia i ka dhënë falas Serbisë dhe Bolsnjë-Hercegovinës shumë dokumente të përkthyera, të cilat janë të domosdoshme për kandidaturën në BE. Ky është gjest shumë bujar, i cili lehtëson edhe bashkëpunimin e ardhshëm.

Politika nacionaliste ndikon negativisht në procesin e integrimeve

Megjithatë ekzistojnë shumë ngarkesa të vjetra që e rëndojnë shumë bashkëpunimin mes këtyre vendeve fqinje. Lufta ka bërë që më shumë të jenë të ngarkuara raportet me Serbinë. Boshnjakët e Bosnjë-Hercegovinës kritikojnë qeverinë në Beograd se kurrë nuk është distancuar vërtetë nga krimet e luftës në vendin e tyre dhe nuk ka marrë përgjegjësinë për këto krime. Dyshimet që në Serbi gjendet i lirë i akuzuari për krime lufte, gjenerali Ratko Mlladiq, i rëndojnë edhe më shumë raportet mes këtyre dy vendeve. Beogradi po refuzon njëkohësisht të pranojë edhe pavarësinë e Kosovës dhe të vendosë raporte diplomatike me këtë vend.

Balkanexpress
BalkanexpressFotografi: DW-TV

Të gjitha këto tensione bëjnë që partitë nacionaliste të forcohen edhe më shumë në vendet e ish-Jugosllavisë, në veçanti në Bosnjë-Hercegovinë. „Këto forca nacionaliste po bllokojnë prej vitesh kapërcimin e krizës dhe zhvillimin e shoqërisë", pohon Dennis Gratz. Ndërkohë që, sipas tij, bashkëpunimi i ngushtë do të ishte jo vetëm i mundshëm, por edhe logjik. „Ne kemi qenë jo vetëm qytetarë të një shteti të përbashkët, por kemi pasur edhe kulturë, gjuhë e madje edhe botkuptime të njëjta. Shoqëria jonë, fatet dhe nevojat tona, kanë qenë të ndërlidhura mes vete, sepse ne kemi pasur një të kaluar të përbashkët", thotë Gratz.

Objekt e jo subjekt politik

Në zhvillimin e këtyre vendeve ka dallime si në aspektin politik ashtu edhe ekonomik, dallime që nuk duhet të injorohen, thekson Millosh Shollaja, drejtor i Qendrës për Mrrëdhënie Ndërkombëtare në Banja Llukë, pjesën serbe të Bosnjë-Hercegovinës.

Ai paralajmëron se iniciativat rajonale, të cilat theksohen gjithmonë si të domosdoshme, shpesh janë „tepër formale, me një infrastrukturë të keqe dhe pa mbështetje financiare. Për shumë pushtetmbajtës në rajon, ato janë vetëm një tribunë për fjalime para publikut ndërkombëtar."

Shollaja beson se vendet e rajonit janë më shumë një objekt se sa një subjekt i politikës ndërkombëtare. Por kjo ka dhe anët e veta pozitive, thotë ai. "Elitat e vjetra politike kanë forcuar ndjenjat nacionaliste për të ardhur në pushtet. Por, presioni i bashkësisë ndërkombëtare për një bashkëpunim më të ngushtë rajonal do të shtohet. Prandaj janë reale shpresat që ky bashkëpunim me të vërtetë të jetë më i madh", thotë ai.

Forcimi i shoqërisë civile do ta mbështetë këtë proces, konstaton Shollaja. Ndonëse ky nuk do të jetë proces i thjeshtë, për shkak se këto vende nuk kanë ndonjë traditë të gjatë demokratike.

Autor: Samir Huseinoviq / Bahri Cani

Redaktoi: Vilma- Filaj Ballvora