1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

"Bankierë të të gjitha vendeve, bashkohuni!"

ADD23 Janar 2008

Në shtypin gjerman komentohet sot ndër të tjera kriza financiare në bursat ndërkombëtare.

https://p.dw.com/p/CwMw
Fotografi: AP

Në gazetën HANDELSBLATT që del në Dyseldorf, ndër të tjera lexojmë: "Paniku i tregjeve përfshiu tani edhe Bankën e SHBA. Ndryshe nuk mund ta shpjegosh që Federal Reserve i uli në mënyrë drastike me 0,75 përqind interesat bankare, vetëm një javë përpara se do të mbahet mbledhja e saj e zakonshme. Nëse Federal Reserve do të kishte qenë vërtet e interesuar të shpëtonte ekonominë, atëherë ajo mund të kishte pritur edhe shtatë ditë. Nga pikëpamja ekonomike kjo nuk ka ndonjë ndryshim. Nga ana psikologjike të mbetet përshtypja fatale se shefat e bankës amerikane u treguan më pak të interesuar për konjukturën, se sa për mbarëvajtjen e punës së investorëve në tregjet financiare"

Ndërsa TAGESSPIEGEL e Berlinit konstaton: "As edhe presidenti i SHBA nuk është në gjendje ta frenojë kthesën ekonomike. Programi konjukturor i Xhorxh Bushit ende nuk ka marrë formë ligjore, kur tregjet financiare i kanë harruar të 150 miliardë dollarët. Shumë pak, shumë vonë për ta shpëtuar rritjen ekonomike. Rënie ekonomike, recesion, krizë: ky mbetet, megjithë gjestet e qetësimit skenari realist. Në tregjet globale financiare ka zënë vend një skepticizëm i thellë. Nuk është e çuditshme kjo që po ndodh, por fakti se pse po ndodh kaq vonë. Meqenëse asgjë tjetër nuk bën dobi, Amerika rrotullon në panik çelësin e interesave bankare. Paratë le të jenë të lira, ekonomia të lulëzojë, populli të ketë mundësi të blejë. Lajmi frikësues i ditës është megjithatë që edhe ulja radikale e interesit kryesor bankar nuk i qetësoi tregjet."

"Bankierë të të gjitha vendeve, bashkohuni!" bën thirrje së fundi gazeta FRANKURTER RUNDSCHAU."Përkuluni para Ben Bërnenkit (Bernanke), shefit të Bankës Amerikane të Banknënotave Fed. Ai veproi dje që pa u hapur bursa kryesore ndërkombëtare Wall Street. Me guxim dhe i vendosur. Me 75 shifra e uli ai interesin kryesor të përbotshëm dhe i prehu me këtë krahët panikut aktual. Po kaq e rëndësishme sa kjo: me këtë ai u jep hapësirë manovrimi bankave që t'i përballojnë në njëfarë mënyre humbjet e parashikueshme. Bëhet fjalë për një aksion shpëtimi par ekselancë. Dhe me siguri që nuk do të jetë aksioni i fundit i këtij lloji"