Ban kërkon dialog për zgjidhjen e çështjes së veriut
24 Korrik 2012Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-Mun mbërriti për vizitë në Kosovë. Para gazetarëve në aeroportin e Prishtinës ai shprehu kënaqësinë për vizitën dhe kërkoi që edhe zgjidhja e veriut të kërkohet nëpërmjet dialogut. Ban nënvizoi vazhdimin e dialogut dhe përmirësimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi.
Sekretari i Përgjithshëm ka ftuar po ashtu të gjitha palët që të intensifikojnë punën në çështjen e personave të zhdukur, ndërkaq ka nënvizuar se Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë do të vazhdojë të ketë një rol të rëndësishëm. Ban ka shfrytëzuar rastin për të shprehur ngushëllimet e tij për vdekjen e poetit të njohur Ali Podrimja, trupi i pajetë i të cilit u gjet në Francë të shtunën më 21 korrik.
Ai është pritur nga presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga dhe do të takohet edhe me zyrtarë të tjerë të lartë si dhe me përfaqësues të misionit të OKB-së. Ban do të vizitojë më pas Deçanin dhe Prizrenin.
Të hënën ai zhvilloi bisedime në Beograd me presidentin Tomislav Nikoliç. Ban theksoi ndër të tjera rëndësinë e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe arritjen e zgjidhjes me anë të kompromisit.
Ai tha se të dyja palët duhet të përparojnë edhe më tej me anë të dialogut në mënyrë që të përmirësohet jeta e qytetarëve dhe së bashku të arrijnë synimin për të ardhmen drejt Bashkimit Europian. Nikoliç nga ana e tij i kërkoi Ban Ki Mun-it që bisedimet me Kosovën të vazhdojnë nën praninë e përfaqësuesve të OBS. Pas Kosovës ai do të vizitojë Bosnjë-Hercegovinën dhe Maqedoninë.