Bajerni u nda nga trajneri Klinsman
28 Prill 2009Klubi sportiv i Bajernit të Mynihut u nda nga trajneri i tij Jyrgen Klinsman (Klinsmann). Pasardhës i tij do të jetë provizorisht Jup Hajnkes (Heynckes).
I pyetur për reagimin e Klinsman-it ndaj pushimit nga puna manaxheri i Bajernit Uli Hënes (Hoeneß) tha gjatë konferencës për shtyp:
"Mendoj se ai ishte i befasuar, pasi ma do mendja që pas humbjes së Volfsburgut në Kotbus ka menduar se do ta shtynim edhe një herë vendimin. Por vendimi ynë në këtë fazë nuk mund të varet prej faktit që lojtarët e Kotbusit fituan në mënyrë sensacionale dje kundër Volfsburgut. Ne duhet t'i bëjmë pyetjen vetes se çfarë shohim në fushën e lojës, më saktë në fushën tonë (në Mynih). Dhe javët e fundit që prej Krishtlindjeve, me pak përjashtime, kjo nuk ka qenë siç e përfytyronim ne."
63 vjeçari Hajnkes, i cili nga vitit 1987 deri 1991 ka qenë një herë trajner i Bajernit, do të qëndrojë deri në fund të sezonit. Kubi futbollistik i Bajernit u skualifikua si nga Liga e Kampioneve ashtu edhe nga kupa gjermane e futbollit. Të shtunën kampioni humbi në fushën e vet 0:1 me Shalke 04 dhe rreshtohet në vendin e tretë të tabelës. Klinsmanni ishte trajner për 10 muaj.
Autor: Elert Ajazaj
Redaktoi: Auron Dodi