Bahri Cani
13 Shkurt 2013I lindur në Kosovë (komuna e Lipjanit), pas përfundimit të shkollës së mesme ekonomike, ai vazhdon studimet në degën e Shkencave Politike në Beograd. Hapat e parë në gazetari i hedh gjatë kohës së studimeve si bashkëpunëtor i revistës javore "Student". Pas diplomimit në fillim të viteve 1990, kur gjëmonte lufta në Kroaci dhe Bosnjë e Hercegovinë, ai punësohet në gazetën e vetme të pavarur asokohe "Borba". Me vëninen e kësaj gazete nën kontrollin e regjimit të Sllobodan Millosheviqit, Bahri Cani bashkë me gazetarët e tjerë, duke refuzuar të bëhen pjesë e makinerisë propagandistike, kalojnë në gazetën "Nasha Borba". Gjatë qëndrimit në Beograd ai punon edhe për shumë gazeta në gjuhën serbe si dhe për periodikun në Kosovë e në Shqipëri.
Në vitin 1994 nis bashkëpunimin me Deutsche Welle-n, fillimisht si korrespondent nga Beogradi dhe tashmë prej më shumë se dhjetë vjetësh si redaktor në Bon. Bahri Cani është autor i librit "Kosmet ili Kosova", për dialogun mes Prishtinës dhe Beogradit si dhe i broshurës "Kush po e ndan Kosovën", me propozimet e ndryshme për ndarjen e Kosovën në dy shekujt e fundit. Gjatë qëndrimit në Gjermani ai ka marrë pjesë në shumë konferenca dhe ka punuar për fondacione dhe media në gjuhën gjermane. Bahri Cani flet shqip, gjermanisht, anglisht, serbisht, kroatisht, boshnjakisht... Ai është i martuar dhe ka një djalë.
"Përvoja nga Beogradi, ku kam përjetuar katër luftra dhe thyerjet më të mëdha politike në ish-Jugosllavi, më ka ndihmuar shumë në profesionin tim si gazetar", thotë ai.