Bahrain Lage
16 Mars 2011Qeveria e Bahrejnit shtyp me dhunë lëvizjen demokratike në vend. Në mëngjes pas shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme ajo urdhëroi zbrazjen e Sheshit të Perlave në Manama. Aty ka javë që ishin vendosur në çadra qindra demonstrues. Në të aguar të ditës qindra forca të sigurimit filluan sulmin e tyre.
Të shtëna në sheshin e Perlave
Automjete të blinduara iu afruan sheshit pastaj policia hapi zjarr dhe hodhi në shesh granata me gaz lotsjellës. Rreth 500 protestues e kishin kaluar natën në këtë shesh. Dëshmitarët okularë tregojnë se sulmi i policisë ka qenë i rrufeshëm, shumë demonstrues kanë marrë arratinë dhe janë tërhequr në rrugët përreth. Deri tani nuk dihet se a ka marrë pjesë në aksion edhe ndonjë nga ushtarët e huaj, të cilët të hënën (14.03.) arritën në Bahrejn nga Arabia Saudite dhe Emiratet e Bashkuara si pjesë e trupës së përbashkët të Gjirit Persik. Qysh të martën përleshje janë regjistruar në disa vende. Gjendja shumë e keqe thuhet të ketë qenë në Sitra, një pjesë e ishullit e banuar kryesisht me shiitë. Edhe pse informacionet, që vinin nga Sitra, ishin të pakta mendohet që banda të armatosura besnike të qeverisë dhe forca zyrtare të të sigurisë kanë përndjekur banorët e këtij vendi.
Një mjek njoftoi nga një klinikë se mbi 200 njerëz janë pranuar me plagosje të shkaktuara nga municioni i çifteve. Rreth 200 të tjerë u desh të trajtohen si pasojë e lëndimeve të shkaktuara nga gazi lotsjellës. Në televizionin arab Al Xhazira u lajmërua një djalosh nga spitali Salamniye në Manama dhe tregoi se as atje mjekët nuk po arrijnë të trajtojnë numrin e madh të të plagosurve: "Ushtarët e Bahrejnit dhe ushtarët sauditë po kryejnë krime kundër njerëzimit në Bahrejn. Këtu ka shumë viktima. Në Sitra viktimat ndodhen në rrugë, ne nuk e dimë se si është gjendja e tyre, pasi nuk lejohemi të shkojmë atje. Policia ka ndaluar autoambulancat, sanitarët janë rrahur. Disa prej tyre po trajtohen këtu në dhomë." Televizioni shtetëror përgënjeshtroi lajmin, sipas të cilit demonstruesit kanë vrarë një ushtar saudit. Krerët fetarë shiitë të Bahrejnit iu lutën botës arabe dhe Këshillit të Sigurimit për ndihmë urgjente.
Protestë kundër ndërhyrjes të ushtarëve sauditë
Nga Sheshi i Perlave në drejtim të ambasadës saudite të martën (15.03.) kanë marshuar mijëra vetë për të protestuar kundër ndërhyrjes së ushtarëve sauditë. Demonstrata nuk u pengua nga policia dhe ishte deri në fund paqësore. Tek ithtarët e opozitës është krijuar përshtypja se Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë dhënë dritën jeshile qeverisë së Bahrejnit për shtypjen me dhunë të protestave. Uashingtoni deri tani nuk ka kërkuar tërheqjen e trupave të Gjirit Persik nga Bahrejni.
Autor: Carsten Kühntopp/Esat Ahmeti
Redaktoi: Angjelina Verbica