1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Büyük: "Tigrat e Anadollit" ndërkohë po tërhiqen nga tregu ballkanik

Senada Sokollu13 Maj 2014

Qeveritë turke theksojnë prej dekadash partneritetin strategjik me Shqipërinë. Po në se konsiston ky partneritet? Si e vështron ekonomia turke Ballkanin? Për DW flet politilogu turk Hamdi Firat Büyük.

https://p.dw.com/p/1Bz3K
Hamdi Firat Büyük Politikwissenschaftler Türkei
Hamdi Firat Büyük , politolog pranë Drejtorisë së Ballkanit në Organizatën Ndërkombëtare të Kërkimeve, USAK, në AnkaraFotografi: privat

DW: Në takimet bilaterale me kryeministrat dhe me presidentët shqiptarë, Erdogani ka theksuar disa herë që Shqipëria është një aleat strategjik i Turqisë në Ballkan. Pse thuhet kjo dhe cili është vendi i Shqipërisë tek Turqia?

Büyük: Shqipëria ka qenë deri tani për të gjitha qeveritë turke me rëndësi strategjike. Kjo nuk ka të bëjë vetëm me qeverinë islamike- konservatore të AKP-së nën kryeministrin Rexhep Tayyip Erdogan. Turqit dhe shqiptarët kanë jetuar nën sundimin osman për 400 vjet së bashku. Shumë vezirë të mëdhenj kanë qenë me origjinë shqiptare. Para së gjithash në ushtrinë osmane ka pasur shumë pashallarë shqiptarë, komandantë dhe gjeneralë. Shqipëria ishte vendi i fundit që shpalli pavarësinë nga Perandoria Osmane. Shqiptarët janë në këtë mënyrë kombi më besnik vëlla i turqve. Kësaj i shtohet edhe aspekti fetar: 70 përqind e shqiptarëve janë myslimanë dhe me këtë Shqipëria paraqet dendurinë më të madhe të myslimanëve në Ballkan. Pas luftërave ballkanike në fillim të shekullit të 20-të, pas dy luftërave botërore dhe pas luftës së Jugosllavisë në vitet 1990, mijëra familje shqiptare emigruan në Turqi. Diaspora shqiptare ka shumë fondacione dhe organizata në Turqi. Sipas vlerësimeve, në Turqi jetojnë më shumë se një milionë shqiptarë. Ata janë integruar në qarqet politike dhe ekonomike dhe përfaqësohen fort edhe në ushtri.

Para së gjithash pas Luftës së Ftohtë u përmirësuan gjithnjë e më shumë marrëdhëniet midis Turqisë dhe Shqipërisë. Statusi i Kosovës ka gjithashtu ndikim të madh në marrëdhëniet midis të dyja vendeve. Si Turqia, ashtu edhe Shqipëria kanë të njëjtën pikëpamje për Kosovën dhe e mbrojnë Kosovën në organizatat ndërkombëtare si në NATO dhe në OKB.

Edhe ushtria shqiptare dhe turke bashkëpunojnë ngushtë. Shumë studentë shqiptarë ndjekin shkollat turke të luftës dhe nga ana tjetër, ushtria turke ndihmon që të modernizohet ushtria shqiptare, duke dërguar ekspertë në Shqipëri, për të stërvitur ushtrinë shqiptare.

DW: Shqipëria dhe Turqia kanë si traditë marrëdhënie shumë të mira bilaterale, por tani për herë të parë do të nënshkruhet një "Marrëveshje për partneritetin strategjik". Çfarë mund të përmbajë kjo marrëveshje?

Büyük: Turqia ka partneritete strategjike me 16 shtete. Shqipëria do të jetë vendi i 17-të. Turqia e ka tashmë të njëjtën marrëveshje me vendet e Ballkanit Greqi dhe Bullgari. Këto marrëveshje janë pjesë e politikës së jashtme turke, të iniciuara nga qeveria e AKP-së dhe ministri i Jashtëm, Ahmet Davutoglu. Turqia synon t'i avancojë këto partneritete me vende që kanë rëndësi strategjike për Turqinë, për t'i përmirësuar marrëdhëniet në disa nivele. Në bazë të këtyre marrëveshjeve, vendet organizojnë takime të përbashkëta kabinetesh dhe presidentësh. Së bashku pastaj kërkohen premisa zgjidhjesh për fusha të ndryshme tematike. Turqia ka organizuar para pak kohësh 33 takime kabineti me shtete të tjera dhe ka nënshkruar me to 374 marrëveshje, para së gjithash në fushën ekonomike. Marrëveshja me Shqipërinë do të përmbajë gjithashtu shumë aspekte: energjinë, turizmin, tregtinë, arsimin, marrëveshjen për vizat dhe shumë më tepër. Të dyja vendet do të ngrenë me shumë gjasa zona të tregtisë së lirë.

DW: Ekspertët theksojnë gjithmonë e më tepër rritjen e ndikimit të Turqisë në vendet ballkanike. A e mbështesin shifrat, të dhënat dhe faktet konkrete këtë tezë, kur shumica e shteteve ballkanike janë të orientuara qartë drejt BE-së?

Büyük: Në dekadën e fundit, Turqia u përpoq ta zgjeronte politikën e saj të jashtme nëpër Ballkan, para së gjithash me anë të të ashtuquajturve mekanizma të "Soft Power". Turqia hapi Institute Yunus Emre (ngjashëm me Institutet Gëte), për të dhënë mësim gjuhën turke dhe për të përcjellë kulturën, letërsinë dhe historinë turke. Në Shqipëri ka një institut në Tiranë dhe një në Shkodër. Veç kësaj, Turqia hapi në Ballkan zyra të organizatës shtetërore të ndihmës për zhvillimin, TIKA. Edhe kërkesat për viza u hoqën për shtetet ballkanike.

Por para së gjithash zhvillimet më të fundit politike në Turqi, në kuadër të deficitit demokratik, e kanë dëmtuar këtë "Soft Power" të Turqisë në Ballkan. Këtë e tregoi edhe fjalimi i Erdoganit në Kosovë vjeshtën e kaluar: "Turqia është Kosovë dhe Kosova është Turqia", tha ai. Me këtë, Erdogani ringjalli frikën e "neoosmanizmit" në mendjet e popullatës ballkanike. Që atëherë, marrëdhëniet midis Serbisë dhe Turqisë nuk janë aq të mira sa më parë. Edhe nga pikëpamja ekonomike, Turqia nuk paraqitet kaq mirë në Ballkan. Turqia eksporton 6,9 miliardë dollarë në Ballkan, por kjo pjesë paraqet vetëm 4,5 përqind të të gjithë eksportit të Turqisë. Turqia dëshiron t'i zgjerojë marrëdhëniet me Ballkanin dhe të investojë në shtetet ballkanike, por investorët turq nuk përqendrohen në Ballkan. Para së gjithash, në dy-tri vitet e fundit, Turqia i ka kushtuar shumë vëmendje Lindjes së Afërt dhe Pranverës Arabe. Duket sikur Ballkani e ka humbur prioritetin e tij në politikën e jashtme turke. Veç kësaj, të gjitha shtetet ballkanike kanë një agjendë të BE. Por mbetet të shihet se çfarë do të ndodhë me politikën e jashtme turke, kur të gjitha këto shtete të bëhen anëtare të BE-së.

DW: Turqia angazhohet shumë fort edhe ekonomikisht në Shqipëri, çfarë e bën Shqipërinë tërheqëse si treg për Turqinë?

Büyük: Këtë pikë e kundërshtoj. Mua nuk më duket se ekonomia shqiptare është kaq atraktive për Turqinë. Shtetet ballkanike janë vende të vogla dhe tregjet e tyre nuk janë me leverdi për Turqinë dhe investorët turq. Në të gjithë Ballkanin jetojnë 50 milionë njerëz. Në bazë të OECD-së, Turqia ndodhet në vendin e dytë, përsa i përket eksportit në Shqipëri. Italia është në vend të parë. Eksporti i Turqisë në Shqipëri kap shumën 270 milionë dollarë, por pjesa e eksportit të përgjithshëm është 0,02 përqind.

Dekadën e fundit, investorët turq, të njohur si "tigrat e Anadollit" shkuan në tregun ballkanik. Ata kishin shpresa të mëdha, por ndërkohë po tërhiqen. Por marrëveshja e tanishme padyshim që mund të sjellë investorë në Shqipëri. Sipas Ministrisë turke të Ekonomisë, Turqia aktualisht investon 710 milionë dollarë në Shqipëri, para së gjithash në projektet e ndërtimit. Por këto shifra janë shumë larg atyre të synuara. Pra marrëveshja mund ta shtyjë edhe më tej vëllimin e këmbimeve tregtare midis Shqipërisë dhe Turqisë.

Hamdi Firat Büyük është politolog i Drejtorisë së Ballkanit në Organizatën Ndërkombëtare të Kërkimeve Strategjike USAK me qendër në Ankara.