1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Autoritetet serbe mund ta vizitojnë Kosovën

M. Maksimoviq/Bahri Cani8 Tetor 2013

Autoritetet serbe megjithatë do të mund ta vizitojnë Kosovën edhe gjatë fushatës elektorale. Kështu u vendos në takimin e mbajtur në Bruksel mes kryeministrave të Kosovës dhe Serbisë, Hashim Thaçi dhe Ivica Daçiq.

https://p.dw.com/p/19vws
Fotografi: European External Action Service

Një vit prej fillimit të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë dhe pas 17 raundeve të bisedimeve në Bruksel, kryeministrat Hashim Thaçi dhe Ivica Daçiq thonë se e besojnë mundësinë e normalizimit të plotë të raporteve mes këtyre dy vendeve. Pas takimit të zhvilluar mbrëmë (07.10.) në Bruksel, me ndërmjetësimin e shefes së diplomacisë evropiane, Chaterine Ashton, kryeministrat e Serbisë dhe Kosovës thanë se ky ishte takimi më i suskesshëm deri më tani. Hashim Thaçi dhe Ivica Daçiq u shprehën se janë zgjidhur të gjitha problemet kontestuese për organizimin e zgjedhjeve lokale në Kosovë - të paktën në tryezën e bisedimeve.

„Kemi rënë dakord që t'i zgjidhim të gjitha problemet më të rëndësishme: që sa më shumë serbë të shënohen në listat zgjedhore, që sa më shumë serbë të zhvendosur të mund të votojnë në zgjedhjet lokale dhe që serbët të kenë përfaqësuesit e tyre në vendvotime. Por kemi rënë dakord edhe për mundësinë që përfaqësuesit e Serbisë të vizitojnë Kosovën gjatë fushatës elektorale apo në ndonjë periudhë tjetër. Këto janë parimet kryesore pa të cilat nuk mund të ketë normalizim të raporteve“, u shpreh kryeministri i Serbisë.

Daçiq: vizitat do të realizohen

Edhe kryeministri i Kosovës beson në mundësinë e normalizimit të raporteve mes Serbisë dhe Kosovës. Ditët e fundit kemi pasur ngritje të tensioneve për shkak të mundësisë së vizitës së kryeministrit të Serbisë në Kosovë. Autoritetet serbe e kanë ndaluar hyrjen e tij në Kosovë, por kryeministri Thaçi thotë se ata "angazhohen për lirinë e lëvizjes pa diskriminime ndaj askujt."

Der serbische Premierminister Ivica Dacic
Ivica DacicFotografi: picture-alliance/dpa

„Në bazë të marrëveshjes së 19 prillit dhe marrëveshjeve të mëparshme për lirinë e lëvizjes, ne do të vlerësojmë çdo kërkesë të autoriteteve të Serbisë për të vizituar Kosovën dhe mbi bazën e fakteve do të japim përgjigje. Por diskriminime me siguri nuk do të ketë“, tha ai.

Thaç pohon se duhet të respektohet procedura për vizita, ndërsa kryeministri i Serbisë është i bindur se vizitat e autoriteteve serbe në Kosovë mund të realizohen përmes "mekanizmit për tejkalimin e çështjeve të hapura."

„Unë nuk do të vazhdoja dialogun, po të mos ishte zgjidhur kjo çështje. Mendoj se me këtë i kam thënë të gjitha. Nëse unë si nënshkrues i marrëveshjes së Brukselit nuk mund të vizitoj Kosovën, atëherë kjo është plotësisht e papranueshme.“

EU Kosovo Serbien Thaci in Brüssel
Hashim ThaçiFotografi: Reuters

Thaçi: lufta e ftohtë ka përfunduar

Bashkimi Evropian tërë kohën po kërkon një përgatitje të denjë të zgjedhjeve, të cilat për herë të parë do të mbahen në tërë territorin e Kosovës, me pjesëmarrjen e të gjitha bashkësive etnike. Për zbatimin e zgjedhjeve të organizuara mirë, Brukseli u ka bërë thirrje të gjithë votuesve për pjesëmarrje në zgjedhje. Beogradi pohon se i ka plotësuar gati të gjitha obligimet e veta, ndërsa Thaçi u shpreh se "lufta e ftohtë ka përfunduar". Kosova dhe Serbia tani kanë hyrë në fazën e bashkëpunimit evropian, pohon Thaçi.