1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Austri: Qëndrimi i kandidatëve për president ndaj Ballkanit

Nenad Memic
15 Nëntor 2016

Dy kandidatët për postin e presidentit në Austri janë mjaft të ndryshëm e po kaq dallime ka edhe në politikën e tyre kundrejt Ballkanit Perëndimor.

https://p.dw.com/p/2SgJH
Österreich Wahlen Norbert Hofer Alexander Van der Bellen Wahlkampf
Norbert Hofer dhe Alexander Van der BellenFotografi: Getty Images/AFP/G. Hochmuth

Më 4 Dhjetor zhvillohen për herë të tretë zgjedhjet presidenciale në Austri. Kandidati i pavarur, i mbështetur nga ekologjistët Alexander Van der Bellen dhe kundërshtari i tij Norbert Hofer nga partia Austriake e Lirisë (FPÖ) duket se janë lodhur nga kjo zgjedhje e pazakontë e stërzgjatur, megjithatë ata kanë përpara një luftë të vështirë elektorale. Këto zgjedhje presidenciale në Austri janë përcaktuese të kursit në shumë drejtime: Nëse garën e fiton kandidati i partisë populiste të djathtë Norbert Hofer, kjo mund të ishte një kthesë politike në historinë e republikës dhe populistët e djathtë do të forcoheshin për zgjedhjet parlamentare më 2018. Që prej krizës së refugjatëve, FPÖ-ja kryeson në të gjitha anketimet. Për këtë arsye rivali i Hoferit, Alexander Van der Bellen, gëzon mbështetjen nga një front i gjerë i përbërë nga ekologjistët, socialdemokratët e pjesërisht edhe nga partia popullore konservatore (ÖVP).

Alexander Van der Bellen dhe Norbert Hofer vijnë nga skaje të ndryshme të spektrit politik në Austri: Njëri konsiderohet si i majtë intelektuale dhe tjetri si ideatori i kampit të djathtë. Meqënëse në Austri ka një komunitet të madh migrantësh nga Ballkani Perëndimor, të dy kandidatët kanë mendime të ndryshme lidhur me këtë rajon mjaft të ndjeshëm  në aspektin gjeopolitik. Si Van der Bellen ashtu edhe Hofer e përshëndesin perspektivën në BE të vendeve të Ballkanit Perëndimor: „Ne e vlerësojmë pozitivisht anëtarësimin e Sllovenisë dhe të Kroacisë në BE. Kjo ka sjellë për të dyja këto republika paqe dhe stabilitet. Unë e përshëndes faktin, që edhe të tjera republika të Ballkanit Perëndimor të marrin një perspektivë anëtarësimi", thotë për DW, Alexander Van der Bellen. Ky kandidat për president thekson, se detyra tjetër konkrete e projektit europian të paqes duhet të jetë integrimi i vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor në BE, por kjo vetëm duke zbatuar bazën europiane të së drejtës. Edhe Norbert Hofer e sheh të ardhmen e Ballkanit Perëndimor në BE: „Pranimi i shteteve të Ballkanit Perëndimor në BE është një piketë e rëndësishme për stabilitetin e ardhshëm politik dhe ekonomik si dhe të bashkëekzitencës paqësore. Edhe nëse jo të gjitha vendet janë të gatshëm menjëherë për pranimin, duhet që të tregohet qartë perspektiva për një integrim në të ardhmen", thekson Hofer në bisedë për DW.

Austria si ndërmjetësues

Nëse do të mbajnë postin e presidentit austriak të dy kandidatët duan t'i pranojnë sfidat e rëndësishme politike në Ballkanin Perëndimor: ndërsa Hofer „në traditën e Bruno Kreiskys" do të fokusohet tek roli ndërmjetësues i Austrisë në rajon, Van der Bellen premton që shumë shpejt bashkë me kancelarin dhe ministrin e Jashtëm të Austrisë të shqyrtojë mundësitë konkrete se si mund t'i mbështesë Austria vendet e Ballkanit Perëndimor në rrugën e tyre drejt BE-së.

Lidhur me gjendjen aktuale politike në Bosnje-Hercegovinën e tronditur prej krizave dhe referendumin e zhvilluar së fundi nga serbët e Bosnjes mbi ditën kombëtare të dy kandidatët shpresojnë tek zgjidhjet diplomatike: „Si qeveria në Sarajevë, ashtu edhe ajo në Beograd shpresohet të motivohen nga perspektiva europiane nëkuadër të bisedimeve për antarësim, në mënyrë që edhe përfaqësuesit e serbëve të Bosnjes dhe të mos mund t'i shmangen për perspketivës europiane", thotë kandidati i pavarur  Alexander Van der Bellen. Norbert Hofer është i vetëdijshëm për gjendjen komplekse politike në Bosnjen e pasluftës: „Me kalimin e viteve me përpjekje të ndershme do të jetë e mundur të arrihet në një zgjidhje të arsyeshme diplomatike", thotë kandidati i FPÖ-së.

„S'ka antarësim në BE pa njohjen e Kosovës"

Një vatër e dytë krize në Ballkanin Perëndimor janë marrëdhëniet mes Serbisë dhe Kosovës: kandidati i FPÖ-së Norbert Hofer nuk donte ta komentonte njohjen e Kosovës nga Serbia si një kusht të mundshëm për anëtarësimin në BE dhe theksoi, se Serbia dëshmon "të dhënat më të mira" nga të gjitha vendet e Balkanin Perëndimor. Ndërkaq këtë javë kryetari i FPÖ-së, Heinz Christian Strache në gazetën serbe „Danas" bënte thirrje për votat e migrantëve serbë në Austri pro kandidatit Hofer. FPÖ-ja mbështet një Europë me themele kristiane. Nëse austriakët me origjinë serbe e vlerësojnë një pikëpamje të tillë dhe nuk dëshirojnë një islamizim të Europës, mbështetja e tyre për Hoferin është "shumë e mirëpritur", thekson Strache.

Alexander Van der Bellen ishte më konkret lidhur me çështjen kosovaro-serbe: „Serbia  de facto ka rolin e lokomotivës për një proces më të shpejtë të anëtarësimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Megjithatë nuk duhet të ketë një antarësim të Serbisë pa njohjen e Kosovës", deklaron ish-kryetari i partisë ekologjiste, që kandidon si i pavarur për postin e presidentit.

Në Austri jetojnë mbi një gjysmë milioni migrantë me prejardhje nga vendet e ish-Jugosllavisë. Shumë prej tyre janë tashmë nënshtetas austriakë dhe mund të marrin pjesë në votimet për zgjedhjen e presidentit më 4 dhjetor.