Arizona Attentat
11 Janar 2011Raporti i sherifit bën fjalë për një vepër "të një individi të vetëm, me probleme të mëdha psiqike“. Kjo mund të jetë e verteta lidhur me dorasin 22 vjeçar, i cili me të shtënat në Tucson u bë vrasës i disa njerëzve, por rrethanat flasin një gjuhë tjetër. Eshtë gjuha e intolerancës dhe e urrejtjes, që mbizotëron dialogun politik në SHBA. Dhe kjo nuk ka filluar dje.
Në vitet gjashtëdhjetë urrejtja racore e çoi Amerikën për pak në një luftë civile. Ajo nxitej nga ithtarët e Ku-Klux-Clanit dhe simpatizantët e tyre. Pa fushatën e tyre kundër emancipimit të të zinjve vrasja e aktivistit për të drejtat e njeriut Martin Luther King nuk do të kishte qenë e mundur.
Predikuesit e urrejtjes kanë përsëri koniunkturë
Vrasjet e vëllezërve Kennedy - edhe ato ishin rezultati i një klime të helmuar të brendshme politike, ku gjente shprehje përçarja e vazhdueshme e kombit amerikan. Edhe katër dhjetëvjeçarë më vonë predikuesit e urrejtjes kanë përsëri koniunkturë në SHBA. Ata dalin para mikrofonëve të diskutimeve politike në radio, në prapadhomat e zyrave të fushatave politike, apo gjithnjë e më shumë në thellësitë e errëta të së ashtuquajturës „Blogosferë.“
Objekti urrejtjes së tyre quhet që prej vitit 2008 Barack Obama, i cili si i pari president me ngjyrë i SHBA dhe si demokrat i spektrit të majtë, shërben që kundërshtarët e tij të gërmojnë gjithnjë e më thellë në sëndukët e fëlliqur të propagandës politike. Kjo kulturë e keqe politike ka kohë, që gëlon në shtete si Arizona.
Në shtetin fqinj të Meksikës me miratimin e heshtur të autoriteteve rojet e vetëemëruara të kufirit prej vitesh bëjnë herë pas here gjueti mbi emigrantët e paligjshëm. Nuk është rastësi, që pikërisht këtu plumbat qëlluan deputeten demokrate. Aty, ku të drejtat e njeriut shkelen me këmbë, nuk vlen shumë as jeta e kundërshtarit politik.
Një vend i përçarë
Por retorika politike shkatërruese nuk është privileg vetëm i forcave reaksionare të Amerikës. Edhe ish Presidenti Bush dhe zëvendësi i tij Dick Cheney nuk u trajtuan me delikatesë nga kundërshtarët e luftës së Irakut. Pavarësisht në se është fjala për Bushin, apo Obamën ekstremizmi politik në disa pjesë të shoqërisë amerikane ka marrë vitet e fundit përmasa frikësuese. Polemika e lirë dhe një stil politik çnjerëzor karakterizojnë gjithnjë e më shumë luftën politike në një vend të përçarë thellë. Kjo tendencë vazhdon deri në qarqet më të larta të politikës, mjafton që shohësh vetëm faqet e internetit të ikonës së lëvizjes radikale konservatore të Tea- Party, Sarah Palin.
Për disa ditë Amerika zyrtare do të rrijë në qetësi, sepse me kongresmenen Gabrielle Giffords është qëlluar një nga mesi i saj. Nëse kjo heshtje do të çojë në detoksifikimin e suksesshëm të formave të komunikimit politik, mbetet të dyshohet.
Autor: Daniel Scheschkewitz
Redaktoi: Angjelina Verbica