261209 Transatlantikflug Anschlag
26 Dhjetor 2009Lënda shpërthyese ndodhej e lidhur në këmbën e atentatorit
Incidenti ndodhi natën duke gdhirë e shtuna (26.12.), kur avioni i shoqërisë amerikane të fluturimeve Northwest kishte nisur fluturimin e uljes në Detroit. Deputeti republikan, Peter King, kryetar i Komisionit për Mbrojtjen e Atdheut në Dhomën e Përfaqësuesve u informua për incidentin dhe i tha kanalit televiziv të SHBA Fox News, se i arrestuari është një nigerian 23 vjeçar. Burri pati ndezur me sa duket një lëndë shpërthyese që ndodhej e lidhur në këmbën e tij. Incidenti në fluturimin që kryhej nga shoqëria Delta kaloi pa dëme për dy arsye:
"Nga njëra anë, lënda shpërthyese nuk shpërtheu aq fort, sa e kishte planifikuar ai. Nga ana tjetër, pasagjerët e bënë shumë shpejt zap atentatorin. Vetë atentatori pësoi djegie të shkallës së tretë. Mund të kishte ndodhur një katastrofë."
Në Amsterdam kontrolli i atentatorit nuk u krye si duhet
Avioni qe nisur në Amsterdam, por i dyshuari si atentator e pati nisur fluturimin e tij që në Nigeri. Supozohet se ka mundësi që për këtë shkak atë nuk e kanë kontrolluar si duhet në Amsterdam. Që 23 vjeçari ka lidhje me rrjetin terrorist të El Kaidas, ky është një fakt i njohur për autoritetet. Peter King tha më tej:
"Ka shumë pyetje për kontrollin e sigurisë në Nigeri, për atë që ndodhi në Amsterdam dhe pse ky burrë nuk ndodhej në listën e personave që ndalohet të fluturojnë. Siç e kuptova unë, autoritetet e dinin që ai kishte lidhje me skenën terroriste. Për të ekzistonte një dosje."
Besohet se burrit i kanë ardhur nga Jemeni pjesët e veçanta të lëndës shpërthyese. Për këtë, deputeti King tha:
"Këtë nuk mund ta konfirmoj 100%, por kjo është ajo që kam dëgjuar dhe nga burime të besueshme, prandaj edhe jam i prirur ta besoj."
Presidenti i SHBA, Barak Obama urdhëroi që nga vendi i tij i pushimeve në Havai përforcimin e masave të sigurisë.
Autor: Kristina Bergman / Auron Dodi
Redaktoi: Vilma Filaj- Ballvora