1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

290411 Anschlag Marokko

29 Prill 2011

KS i OKB-së e dënoi ashpër sulmin në qendër të qytetit maroken Marrakesh. Në shumë vende të botës sulmi ka shkaktuar indinjatë të thellë. Të enjten në një kafene turistësh shpërtheu një bombë.

https://p.dw.com/p/116F9
Pamje tmerri për skudrat e shpëtimit
Pamje tmerri për skudrat e shpëtimitFotografi: AP

Marrakesh, e enjte 28 prill para para orës 12: Shumë turistë janë ulur për të ngrënë drekë në tarracën e kafenesë së njohur Argana. Papritmas një shpërthim i rëndë trondit restorantin e famshëm në Xhema el Fna, sheshin në qendër të Makarreshit, i cili është edhe trashëgimi botërore e UNESCO-s. Një top zjarri shkatërron ballkonin, tavani bie në tokë, në shesh shpërthen paniku. Njerëzit largohen me ulërimë nga sheshi.

--- DW-Grafik: Peter Steinmetz
Karte Marokko und MarrakeschFotografi: DW

Autoambulancat depërtojnë shumë ngadalë përmes turmës së njerëzve deri tek vendi i fatkeqësisë. Ndihmësit ndeshen me pamje tmerruese. Ata mbulojnë me batanije kufomat e copëtuara në dysheme, në mënyrë që të kursejnë sytë kurreshtarë të kalimtarëve. Një dëshmitar okular sqaron: "Unë pashë shumë të vdekur, gjithkund gjak. Shumica e të vdekurve janë turistë."

Të paktën 15 njerëz humbën jetën, 11 prej tyre ishin të huaj. Gjashtë prej tyre thuhet se janë francezë. Sipas të dhënave të ministrisë së Jashtme në Berlin në mesin e viktimave nuk ka shtetas gjermanë. Mbi 20 të plagosur janë dërguar në spital.

Spekullime lidhur me pjesëmarrjen e El Kaidës në Magreb

Autoritetet fillimisht deshën të besojnë që bëhet fjalë për një aksident. Por pak më vonë zëdhënësit të qeverisë Khalid Naciri iu desh të konfirmojë se fjala është për një sulm terrorist. "Shpërthimi ka një sfond kriminal. Supozimi ynë se kanë shpërthyer vetëm disa bombola gazi nuk rezultoi i saktë, ne kemi të bëjmë me një sulm, me një atentat." Për këtë flasin disa fakte, theksoi ministri i Brendshëm gjatë një konference shtypi. Në trupin e viktimave janë gjetur gozhda. Përveç kësaj sipas dëshmitarëve okularë pak minuta para shpërthimit në vendin e ngjarjes janë parë persona të dyshimtë. Deri tani përgjegjësinë për sulmin në Marrakesh nuk e ka marrë askush përsipër.

Kafeneja e njohur Argana në sheshin Xhemaa El Fna pas atentatit
Kafeneja e njohur Argana në sheshin Xhemaa El Fna pas atentatitFotografi: AP

Eksperti francez i terrorizmit Roland Jacquard megjithatë dyshon se pas sulmit fshihet krahu afrikanoverior i Al Kaidës. "Al-Kaida ka në shënjestër zakonisht turistët, për shkak se pastaj ka shumë viktima ndërkombëtare. Mendoni për rastin e Djerbas, të Scharm El Sheikut në Egjipt, rastin e Kenias. Me sulme të tilla bëhen kryetituj dhe ky është qëllimi i këtyre njerëzve. Dhe një djalë i ri me një çantë në shpinë nuk bie në sy në turmën e njerëzve në Marrakesh."

Sulmi i fundit më i madh terrorist në Marok ka ndodhur në vitin 2003 në qytetin e Kazablankës, ku humbën jetën 45 persona. Që atëherë Maroku ka ashpërsuar luftën kundër terrorizmit. Pjesa e vjetër e qytetit të Marrakeshit deri tani konsiderohej si e sigurtë falë vëzhgimit të kamerave dhe pranisë policore.

Autor: Alexander Gëbel/Esat Ahmeti

Redaktoi: Angjelina Verbica