Ashpërsohet protesta e opozitës në Ukrainë - Tre demonstrues gjejnë vdekjen
22 Janar 2014Në protestat që po zhvillojnë kundërshtarët e qeverisë në kryeqytetin ukrainas Kiev situata është shkallëzuar me përleshje të dhunshme mes demonstruesve dhe policisë. Sipas të dhënave të shërbimeve mjekësore në mesin e protestuesve ka të paktën tre të vdekur dhe disa të plagosur. Në të njëjtën kohë forcat e policisë ndërhynë me forcë për heqjen e barrikadave të ngritura në qendër të qytetit nëpër rrugë e sheshe kundër qeverisë. Policia përdori gaz lotsjellës dhe mjete të tjera gjatë ndërhyrjes për shpërndarjen e protestuesve. Shumë opozitarë u arrestuan, bëjnë të ditur mediet vendase.
Asnjëra nga palët nuk e merr përgjegjësinë për dhunën e përgjakshme, përkundrazi ato akuzojnë njëra-tjetrën. "Si kryeministër i Ukrainës, ju njoftoj zyrtarisht që përgjegjësinë për viktimat e mbajnë organizatorët dhe pjesëmarrësit në trazirat masive, tha kryeministri Nikolai Asarov të mërkurën (22.01.2014) gjatë një mbledhjeje të kabinetit qeveritar. Opozita nga ana e saj u kundërpërgjigj menjëherë: „Për vrasjen e qytetarëve ukrainas duhet të mbajë përgjegjësi presidenti Viktor Janukovitch dhe ministri i i Brendshëm Vitali Sachartschenko".
Duke mos marrë parasysh urdhërin e ndalimit të demonstratave dhe pavarësisht të ftohtit me temeperatura disa gradë minus gjatë natës njerëzit u grumbulluan përsëri në sheshin qendror të kryeqytetit. Së fundi parlamenti miratoi një ligj për ndalimin e protestave, vendim ky që u kritikua ashpër si anti-demokratik nga Bashkimi Europian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Mijëra protestues që nga nëntori dalin në rrugë e sheshe për të kundërshtuar refuzimin e qeverisë ukrainase për të nënshkruar marrëveshjen e tregtisë me Bashkimin Europian dhe varësinë e vendit nga Moska. Rusia nga ana e saj akuzoi Perëndimin se nëpërmjet diplomatëve të vet në Ukrainë po mbështet hapur protestat duke rrezikuar zhytjen e vendit në kaos.