1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Arrestimi i Gjuriqit si instrument politik

27 Mars 2018

Arrestimi i Gjuriqit dhe lajmet dramatike nga Kosova kanë shkaktuar reagime të shumta në Beograd. Bashkëbiseduesit e DW thonë se deklarimet politike kanë pasur mesazhe të caktuara.

https://p.dw.com/p/2v3sA
Kosovo Verhaftung Marko Djuric
Fotografi: picture-alliance/dpa/AP Images/V. Kryeziu

Pas seancës urgjente të Këshillit të Sigurisë në Beograd, presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq, doli para gazetarëve dhe me tone shumë të ashpra sulmoi politikanët e Kosovës dhe ata perëndimorë. Për politikanët dhe policinë e Kosovës ai përdori edhe fjalë të rënda, si "terroristë", "banda terroriste", "banda e mbështetur nga fuqitë perëndimore"... Ndërsa për Serbinë tha se ajo edhe në këto momente do të ruajë gjakftohtësinë.

Por Vuçiqi tha se të gjithë ata që kanë marrë pjesë në këtë aksion policor do të ndiqen penalisht, duke përfshirë këtu edhe dy serbë. Ndërsa sa i përket iniciativës së Listës Serbe për dalje eventuale nga koalicionit qeveritar, presidenti i Serbisë tha se "ata vetë do ta marrin vendimin përfundimtar".

Gjatë natës së kaluar kanë mbërritur shumë lajme për bisedimet e Vuçiqit me politikanë ndërkombëtarë. Në veçanti është theksuar biseda e tij telefonike me presidentin e Rusisë Vladimir Putin dhe përfaqësuesen e lartë të BE Federica Mogherini. Por Vuçiq tha se ka dhe të tillë, me të cilët nuk ka dashur të bisedojë në këtë situatë.

Ngjarjet në veri të Kosovës si të "këqija dhe tragjike" i ka vlerësuar për Deutsche Wellen Çedomir Antiq, kryetar i Klubit Përparimtar. "Mendoj se e gjitha kjo ka dëshmuar dështimin e atij që quhet shtet i Kosovës, të krijuar nga BE dhe Amerika. Por përkundër poshtrimit të shtetit të Serbisë dhe dhunës ndaj përfaqësuesit të saj, mendoj se ky është një lloj vazhdimi i rrugës së atij trenit laraman, i cili ishte nisur për Mitrovicë. Mua më habisin protestat për shkak të arrestimit të Gjuriqit, kur dihet se deputetët e Listës Serbe, të cilët janë nën komandën e Vuçiqit, e kanë zgjedhur vetë Thaçin për president dhe Haradinajn për kryeministër të Kosovës."

Përdorimi i dhunës

Pamjet që kemi parë me ndërhyrjen e policisë së maskuar nuk më duken normale dhe ligjore, thotë për DW gazetarja Ljiljana Smajloviq. "Mendoj se përmasat e aksionit nuk kanë qenë të duhura madje as për Kosovën, për gjërat që ka bërë ai. Ndërsa shpjegimi i Vuçiqit se Gjuriqi nuk ka shkeluar asnjë rregull më duket bindës. Aksioni më është dukur si një aksion për hakmarrje politike, ndaj vlerësimi i Vuçiqit se kemi të bëjmë me "banditizëm", nuk më duket i tepruar", vlerëson Smajloviq.

Marko Gjuriç
Marko GjuriçFotografi: picture-alliance/dpa/AA/N. Ibrahimkadic

Në raportimet e televizioneve të Serbisë është thënë shpesh se ky aksion ka për synim ndërprerjen e dialogut me Beogradin. Por presidenti Vuçiq ishte në këtë aspekt shumë më i kujdesshëm. Dilema megjithatë mbetet. Ljiljana Smajloviq mendon se Serbia është e interesuar për dialog, për shkak të anëtarësimit të mundshëm në BE. Ndërsa Prishtina e ka provokuar këtë aksion ndër të tjera edhe për të bërë presion për heqjen e regjimit të vizave.

„Prishtina me mjete shumë më të ashpra në vitin 2004, me një pogrom ndaj serbëve, ka arritur të hapë rrugën e pavarësisë së vet. Ndaj mendoj se ky është një përdorim tipik i dhunës për qëllime politike, sepse në Prishtinë mendohet se Perëndimi duhet t'i mbështesë ata, ndërsa Serbia duhet të ketë vetëm dëme".

Çedomir Antiq mendon se për një incident të këtillë kanë pasur nevojë të gjithë. "Marko Gjuriq ka pasur sukses vetëm në anëtarësimin e të gjitha komunave serbe në Partinë Përparimtare Serbe (të Vuçiqit). Në punët e tjera nuk ka pasur kurfarë suksesi, ndërsa pas këtij aksioni është bërë hero. Presidenti Vuçiq është legjitimuar sërish si atdhedashës, sepse ai gjithmonë shkon prej një skaji në skajin tjetër. Thaçi dhe Haradinaj duhet të konfirmohen tërë kohën, sepse janë nën presionin e elementeve radikale në Kosovë. Ndërsa BE tani ka edhe një krizë tjetër me të cilën duhet të merret", medon Antiqi.

Ndërsa Ljiljana Smajloviq thotë se nuk e kupton fare këtë stil dhe psikologji në Prishtinë. "Më duket se ata ende janë duke u udhëhequr me stilin e UÇK-së. Ndaj ky është edhe një mesazh i fuqishëm se serbët nuk mund të kenë ndonjë mbështetje ndërkombëtare në Kosovë, por shpresoj se institucionet evropiane do ta denojnë këtë aksion. Por unë nuk pres se në SHBA, BE dhe në Perëndim do të ketë ndonjë ndërmjetësim të ndershëm, sepse ata tërë kohën kanë qenë në anën e Kosovës."

Lista Serbe 

Presidenti Vuçiq tha se Lista Serbe duhet të vendosë vetë për fatin e saj. Por Antiqi mendon se qëllimi i vetëm i Vuçiqit është mbetja në pushtet. „Tregimet e tija për teroristët dhe ndjekjen e tyre janë plotësisht të pakuptimta. Ku është lista e këtyre persoanve që do të ndiqen apo të arrestohen? Ndërsa Lista Serbe në Kosovë është një kreaturë politike. Ata janë njerëz pa kurrfarë baze. Sikur populli serb në Kosovë të votonte i lirë, ata me siguri që nuk do të fitonin", pohon Antiqi. Ndërkohë që Smajloviqi mendon se Lista Serbe ndoshta do të dalë nga qeveria, por Vuçiqi nuk ka thënë qartë se çfarë do të ndodhë me dialogun dhe nëse do të tërheqë nënshkrimin nga Marrëveshja e Brukselit.