1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Arrestimet e para për dhunën në Parlament

Ministria e Punëve të Brendshme ka ngritur kallëzim penal ndaj 15 personave për pjesëmarrje në turmë dhe pengimin e autoriteteve. Në mesin e tyre janë edhe organizatorët e protestës.

Vetëm pesë prej pesëmbëdhjetë personave të kërkuar për dhunën e së enjtjes në Parlament janë kapur. Policia është duke kërkuar edhe dhjetë të dyshuarit e tjerë që kryesisht janë nga Shkupi. Prokuroria nuk ka pranuar të japë detaje për personat e dyshuar, duke paralajmëruar më shumë detaje në ditët në vazhdim. Nuk konfirmuan as nuk mohuan informatat se në mesin e të dyshuarve ka edhe policë, respektivisht eprorë të policisë. Ligji parashohin 3 deri në 5 vjet burg për pjesëmarrësit në turmë që pengojnë punën e policisë, ndërsa për ata që marrin pjesë në turma ku shkaktohen dëme të mëdha dhe rrezikohen edhe jetët e njerëzve, dënimi fillon prej pesë vitesh për pjesëmarrësit dhe dhjetë vjet për organizatorët.

LSDM kërkon transparencë

Deputeti i LSDM-së, Damjan Mançevski, i cili ishte njëri ndër të sulmuarit mbrëmjen e së enjtes, në një konferencë për shtyp publikoi disa fotografi dhe emra, të cilët sipas tij kanë sulmuar deputetët. "Prokuroria dhe policia duhet të bëjnë hetim publik dhe trasnparent me qëllim që të zbulohet numri i keqbërësve të cilët ishin pjesëmarrës në këto ngjarje. Nga inçizimet qytetarët masovikisht kanë njohur mbështetësit e Gruevskit, Mijallkovit, Çavkovit dhe Veljanoskit. Të gjithë ata janë të njohur për deputetët e VMRO-DPMNE-së”, ka thënë Mançevski .

LSDM­ ka përsëritur se kryetari i ri i Parlamentit është zgjedhur sipas Rregullores, ligjeve dhe Kushtetutës dhe se në periudhën që pason, në pajtueshmëri me ligjin do të zgjidhet edhe Qeveria e re.

VMRO akuzon LSDM për dhunën e së enjëtes

"LSDM ka kryer përpjekje për grusht shteti. LSDM-ja e shkeli Kushtetutën, ligjet dhe Rregulloren e procedurës së Kuvendit. LSDM-ja shkeli demokracinë duke u përpjekur për të shpallur Talat Xhaferin si kryetari të Parlamentit", thotë deputeti i VMRO-DPMNE-së, Vllatko Gjorçev. "Përgjegjësia për këtë sjellje anti-shtetërore duhet të ketë. LSDM ka kryer dhunë politike, e cila më vonë rezultoi në dhunë fizike”, thotë Gjorçev.

Diplomati i lartë amerikan Lee në Shkup

Zëvendës ndihmësi sekretari amerikan i shtetit Hojt Brajan Lee ka takuar në Shkup liderët e partive politike shqiptare pralamentare. Në takim, partitë shqiptare i kanë potencuar diplomatit amerikan angazhimin dhe rolin e tyre në drejtim të zgjidhjes së krizës politike. Kryetari i BDI-së Ali Ahmeti ka theksuar se kryetari i ri i

Parlamentit Talat Xhaferi, posedon mbështetjen e faktorit ndërkombëtar dhe se realitetin duhet ta pranojë edhe VMRO-DPMNE-ja.

"Maqedonisë në këtë situatë më së shumti i duhet stabiliteti, i duhet që proceset të zhvillohen në rrugë të mbarë, i duhet që institucionet të funksionojnë. Sigurisht që kthim pas nuk ka, nëse ne nuk vetëdijesohemi sigurisht që do të pësojnë të gjithë qytetarët", ka deklaruar Ali Ahmeti, kryetar i BDI-së. Ahmeti gjithashtu tha se është në komunikim me VMRO-në sepse janë forca politike të një vendi. Ndërkohë i pyetur se nëse Veljanoski thërret vazhdimin e seancës, deputetët e BDI-së do të marrin pjesë apo jo, u shpreh i prerë se Veljanoski nuk ka të drejtë morale e as ligjore të thërrasë seancë të re.

Orientimi i Maqedonisë në BE dhe në NATO prioritet

Hojt Lee zhvilloi takime edhe me përfaqësuesit e Lëvizjes Besa, Aleancës për shqiptarët dhe PDSH-së. Krerët e asnjërës parti nuk u prononcuan për media, ndërsa përmes kumtesave njoftuan për qëndrimet të cilat i kanë shpalosur para diplomatit amerikan. Përfaqësuesit e Besës e kanë dënuar dhunën e ushtruar ndaj deputetëve në Parlament dhe kanë shprehur gatishmëri për të kontribuar në zgjidhjen e krizës politike. Lëvizje Besa mbetet e përkushtuar më zgjidhjen e krizës, duke bërë thirrje që të respektohet vullneti i shumicës, që sa më shpejt të vihen në funksion institucionet e shtetit dhe kështu të fillojë realizimi i reformave të domosdoshme që do ta rikthenin vendin në agjendën euro-atlantike.

LR-PDSH e ka informuar diplomatin amerikan për "ngjarjet trishtuese në Parlament" si dhe për gjendjen shëndetësore të liderit të LR-PDSH, Ziadin Sela, i cili për arsye shëndetësore e kishte të pamundur të jetë pjesë e takimit. Arben Taravari dhe deputeti Vesel Mehmeti kërkuan që politika e SHBA-të vazhdojë të jetë pranishme edhe në të ardhmen ngase orientimi i Maqedonisë për inkuadrim në NATO dhe BE vazhdon të jetë prioritet dhe përcaktim strategjik i Maqedonisë dhe qytetarëve të saj.

Zyrtari i lartë amerikan, të hënën pritet të takojë presidentin Gjorge Ivanov, kryetarin e Parlamentit Talat Xhaferi dhe kryetarët e LSDM-së, Zoran Zaev dhe të VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski.