Arrest hetimor për ish-presidentin Mubarak
13 Prill 201115 ditë në arrest hetimor, kaq gjatë do të mbahet i arrestuar ish presidenti egjiptian i rrëzuar nga protestat Husni Mubarak. Ky informacion i prokurorisë u bëfillimisht i ditur në mënyrë të pazakontë. Njoftimi u dha fillimisht në një faqe internti në rrjetin "facebook". Faqja e facebook-ut ishte ngritur nga Ministria e Drejtësisë. Më pas lajmi u konfirmua nga medie të tjera. Synimi ishte që lajmi të mbërrinte tek të afërmit e demonstruesve, të cilët gjatë protestave kundër Mubarakut në mes të muajit shkurt u vranë apo u plagosën.
Se kur ka ndodhur arrestimi është ende e paqartë. 82-vjeçari të martën ishte dërguar në një spital në lokalitetin bregdetar Sharm el Sheik, për shkak të problemeve kardiake. Gjendja e tij shëndetësore është "pak a shumë e qendrueshme", tha drejtori i spitalit Mohammed Fathallah në televizionin shtetëror egjiptian.
Arrestohen djemtë e Mubarakut
Pak më parë Mubaraku ishte marrë në pyetje për herë të parë nga drejtësia lidhur me korrupsionin në kohën e qeverisjes së tij si dhe për dhunën ndaj lëvizjes demokratike në vend. Marrja në pyetje sipas të dhënave nga organet e drejtësisë ka vazhduar edhe në spital.
Sipas informacioneve në medie të dy djemtë e Mubarakut, Gamal dhe Alaa Mubarak, janë arrestuar tashmë. Ata janë në arrest për 15 ditë në Kajro, për t'u marrë në pyetje. Djemtë e Mubarakut akuzohen se në muajin janar kanë planifikuar sulme vdekjeprurëse kundër demonstruesve duke paguar grupe të posaçme njerëzish. Gjatë protestave u vranë rreth 800 vetë, mijëra të tjerë u plagosën. Një tjetër akuzë ndaj ish presidentit dhe fëmijëve të tij është përvetësimi i parave të shtetit.
Mubarak e sheh veten viktimë të një fushate
Por ish presidenti Mubarak i hedh poshtë të gjitha akuzat. Në një rregjistrim audio të bërë publik ditën e dielë, ai tha se akuzat kundër tij janë të rreme: ai nuk është pasuruar personalisht dhe nuk ka pasuri jashtë shtetit. Ai dhe familja e tij janë viktima "të fushatave të padrejta dhe pretendimeve të rreme", tha Mubarak në audion e transmetuar nga stacioni arab El Arabija.
Demonstrime të reja
Mubarak u largua pas 30 vjetësh në pushtet pas protestave masive kundër tij. Që atëherë ai jetonte në arrest shtëpiak në një pallat presidencial në Sharm el Sheik. Që prej të premtes së kaluar përsëri mijëra vetë demonstrojnë në sheshin Tahrir në Kajro dhe kërkojnë nxjerrjen para drejtësisë të Mubarakut dhe pjesëtarëve të rregjimit të tij.
Autor: Marion Linnenbrink (afp, dapd)/B.Cani
Redaktoi: E. Xhani