1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Arben Theodhosi : Njerëz që deri në atë momente kishin patur frikë trokitën në dyert tona

Rënia e Murit te Berlinit, mbetet sot pas 20 vitesh, e freskët dhe e paharuar në kujtesën e shqiptarëve. Ajo mbetet ngjarja qe i parapriu ndryshimit më të madh në jetën e tyre, të pas Luftës së Dytë Botërore.

Pikturë e Arben Theodhosit

Pikturë e Arben Theodhosit

Ai qëndroi për 14 vjet në internim në Kurbnesh dhe po kaq vite punoi atje, në minierë. Piktori Arben Theodhosi ishte një nga viktimat e shumta të luftës së klasave në Shqipëri dhe armiqve imagjinarë të diktatorit komunist Enver Hoxha.

Ai shpalli “armik të popullit” të atin, Koço Theodhosin, ministër në atë kohë, i diplomuar për ekonomi në Francë, me rezultate të shkëlqyera, të cilin e burgosi dhe më pas e pushkatoi. Familja Theodhosi u internua. Jeta për Arbenin 22 vjeçar u përmbys, nga bangat e Akademisë së Arteve te Bukura në Tiranë, ku ai studionte në vitin e fundit për pikturë, papritur e pa veten të internuar në Kurbnesh, minator në minierat e tij.

Arben Theodhosi

Arben Theodhosi

Sot nga studio e tij, në Tiranë, diku në zonën e Bllokut, ai rijeton 9 nëntorin e vitit 1989, kur ra Muri i Berlinit, kur ndjeu fort se edhe në Shqipëri, regjimi komunist i kishte ditët të numëruara, kur kuptoi se nuk do ta ngryste jetën në thellësitë e minierës. “ Ishte vërtet një moment shumë interesant ,i jashtëzakonshë, një moment çlirimi. Më kujtohet isha ende në atë periudhë të vështirë të jetës sime, në minierë në Kurbnesh, në internim. Gjëja e parë që më ra në sy mua dhe gjithë të internuarve politikë ishte shpërthimi i vizitave në shtëpitë tona. Njerëz që deri në atë momente kishin patur frikë madje edhe të na hidhnin sytë jo më të na afroheshin neve, “armiqve,” trokitën në dyert tona. Sidomos ata më të guximshmit, që mezi e kishin pritur lirin, dhe nuk flisnin për asgjë tjetër veçse bënin aludime nëse do të vinte edhe në Shqipëri ndryshimi, liria. Ishte tronditëse, ishte një shpresë e madhe. Më kujtohet, si tani, se si trokiti në derën time një djalë, pothuajse krejt i verbër, desident politik. Nuk dinte çfarë të bënte, të pyeste apo të fliste. Më habiti sesi në atë zonë të largët, të izoluar ai kishte marrë vesh se kishte rënë Muri i Berlinit dhe kishte shpresa, priste diçka. Shpresa përndryshim ndihej nga të gjithë, ajo ishte në ajër…” tregon Arben Theodhosi.

Kjo ndjesi rezultoi e vërtetë. Sot, 20 vjet pas Rënies së Murit të Berlinit, jeta e Arben Theodhosit është rikthyer në rrjedhat e saj normale, atje ku mbeti në vitin fatkeq 1975. Ai është sot piktor i njohur, autor i disa ekspozitave vetiake, fitues i çmimit të ekspozitës ndërkombëtare ”Onufri” të vitit 1995, pjesëmarrës në ekspozita ndërkombëtare: Forbidden Art në Vienë, në Hollandë, në Itali, Greqi. Pikturat e tij ndodhen në koleksionet private në shumë vende të Europës Perëndimore dhe të SHBA.

“Kam punuar kryesisht në gjininë e pikturës dhe kam tentuar një art abstraksionist ose një absrakt ekprsionizmi në artin e traditës. Frymëzimi ka qenë kryesisht figura njerëzore. E vendos kudo që të jetë, e rëndësishme është që kjo figurë të jetë në qendër,” thotë Arben Theodhosi.

Pikpamjet e tij për artin, përjetimet nga jeta ai i ka shprehur në tri libra, njëherazi edhe katalogë: ”Rievokim”, “Në gjurmët e së ndryshmes”dhe “Sfidë ndaj kufinjve”. Ai tregon se këta kufinj janë në art, krijimtarinë artistike, por janë edhe fizikë, realë, në formën e pamundësisë, psh, të lëvizjes së lirë, për shkak të regjimi të vizave mes BE dhe Shqipërisë. Sot 20 vjet pas rënies së Murit të Berlinit ai ndihet i realizuar si artist por i mungon liria e individit për të lëvizur, arritja më e madhe që solli ngjarja historike e 9 nëntorit 1989. Si e percepton regjimin e vizave një artist? “ Që të jesh i lirë do të thotë, të ikësh ku të dëshërosh, të hapësh ekspozita vetiake, të krijosh lidhje me artistë të tjerë, që krijojnë në Europë apo në botë.. dhe kjo është shumë e vështirë sepse duhet të kesh një vizë jo turistike por të afatgjatë ose.. në fakt nuk duhet të kesh vizë far. Regjimii vizave per një artist eshte një pengesë e madhe për lirinë e tij” thotë ai.

Lehtësirat që zyrat konsullore të ambasadave të vendeve të BE në Tiranë krijojne per artistët u japin atyre gjithsesi një liri të kufizuar, të cunguar që e lë të uritur shpirtin e tyre, frymëzimin dhe ëndrrën artistike. Liria e levizjes për piktorin Theodhosi, gjithë artistët madje njeriun e zakonshëm në Shqipëri mbetet shpresa për t'u realizuar edhe sot 20 vjet pas Rënies së Murit të Berlinit.

Autor : Ani Ruci

Redaktoi : Aida Cama

  • Data 09.11.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/KSAP
  • Data 09.11.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/KSAP