1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Ankaraja zbulon realitetin kurd

Prej shumë muajsh qeveria turke po negocion me PKK-në për të gjetur një zgjidhje paqësore të konfliktit kurd. Kryeministri Erdogan synon edhe votat e kurdëve

Politikanët kurdë nga veriu i Irakut ishin në javën e kaluar në kryeqytetin turk, ku u pritën si mysafirë të lartë shteti. Në të njëjtën kohë parlamenti turk në Ankara diskutoi një projekt-ligj për të krijuar bazën ligjore për zhvillimin e negociatave mes shtetit turk me udhëheqësin e separatistëve kurdë Abdullah Oçalan që gjendet në burg. Faktoret politikë të brendshëm dhe zhvillimet e politikës së jashtme kanë ndryshuar vitet e fundit rrënjësisht.

Kryeministri Rexhep Tajip Erdogan qe i pari kryeministër i vendit që foli në vitin 2005 për "problemin kurd" duke thyer një tabu që ekzistonte deri atëherë në doktrinën zyrtare të shtetit, e cila për shkak të kryengritjes së Partisë Punëtore të Kurdistanit (PKK) fliste vetëm për një problem terrori.

Erdogani synon votat e kurdëve

Që prej një viti e gjysmë qeveria e Erdoganit po negocion me udhëheqësin e PKK-së Oçalan, që gjendet i burgosur në ishullin Imrali në Detin Marmara, për të gjetur një zgjidhje paqësore të konfliktit kurd, i cili që nga viti 1984 u ka kushtuar jetën më shumë se 40.000 vetëve.Për Erdoganin ky nuk është vetëm një shans për të hyrë në librat e historisë: Fundi i gjakderdhjes i siguron i siguron atij si votat e turqve edhe kurdëve. Nuk është rastësi që vendimet për paketën legjislative për çështjen kurde që po diskuton Parlamenti, është vendosur të merren afër kohës që zhvillohen zgjedhjet presidenciale, pra në muajin gusht, kur Erdogan me sa duket do të kandidojë.

Abdullah Oçalan

Abdullah Oçalan

Megjithatë, Erdogani duhet të tregohet i kujdesshëm, nëse nuk dëshiron t’u japë nacionalistëve turq një shans për ta akuzuar se me koncesionet e tij ndaj kurdëve - si në rastin e heqjes së ndalimit për përdorimin e gjuhës kurde në media dhe arsim – po shet atdheun. Ndërkohë që kurdët mendojnë se procesi i paqes po shkon përpara shumë ngadalë.

Kurdët e Irakut të veriut partner i rëndësishëm

Edhe marrëdhëniet e Turqisë me kurdët në veri të Irakut fqinj kanë ndryshuar thellësisht nën drejtimin e Erdoganit. Iraku bleu në vitin 2013 mallra turke në vlerë prej 11,9 miliardë dollarë. Pjesën më e madhe e tyre kanë pasur si destinacion rajonin kurd të Irakut. Vetëm Gjermania me 13,5 miliardë ka pasur nivel më lartë importesh nga Turqia.

Provinca kufitare Hakar

Provinca kufitare Hakar

Ankaraja shpreson gjithashtu për importe të qëndrueshme nafte nga rajoni kurd i Irakut, si dhe të ardhura si vend tranziti për naftën kurde në rrugën e saj për tregjet botërore. Në kontekstin e këtyre zhvillimeve ideja e një shteti të pavarur kurd në Irakun e veriut e ka humbur për Ankaranë tmerrin e dikurshëm.

Zyrtarisht Ankaraja është për integretitetin territorial të Irakut, por ndërsa më parë Kurdistani ishte një makth për Turqinë, tani ai është realiteti, shkroi gazetari Hasan Cemal në një artikull për portalin e lajmeve T24. Huseyin Celik, zëdhënës i partisë AKP të Erdoganit, tha në një intervistë për agjencinë e Irakut të Veriut Rudaw se kurdët në Irakun e Veriut kanë të drejtë për vetëvendosje.