1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Ankaraja ka nisur dialogun me armikun

Thomas Seibert / Bahri Cani11 Janar 2013

Me qëllim që t''i jepet fund konfliktit me kurdët, Ankaraja zyrtare ka nisur negociatat e drejtëpërdrejta me liderin e PKK-së Abdullah Öcalan. Suksesi do të ishte shumë i rëndësishëm për kryeministrin Erdogan.

https://p.dw.com/p/17I1W
Fotografi: picture-alliance/dpa

Abdullah Öcalani është sërish në qendër të vëmendjes politike. Gati 14 vjet pas arrestimit dhe burgosjes së tij në shkurt të vitit 1999, themeluesi i Partisë Punëtore Kurde (PKK) është shndërruar në figurën kyçe në kërkimet për gjetjen e një zgjidhjeje paqësore të konfliktit, që po zgjat që nga viti 1984. Autoritetet e nivelit të lartë të shërbimit sekret turk MIT, nisën në fund të dhjetorit (2012) bisedimet me Öcalanin në burgun Imrali në Stamboll, me shpresë se PKK-ja do të heqë dorë nga aksionet e dhunshme.

Kryeministri Recep Tayyip Erdogan dhe qeveria e tij duan që me Öcalanin të hartojnë një plan, i cili do t'u mundësonte rebelëve kurdë t'i dorëzojnë armët. Kryesia e PKK-së nuk do të nxirrej para gjyqeve, por do të kishte mundësinë e largimit në ekzil. Ndërsa ushtarët e thjeshtë do të kishin mundësinë për t'u riintegruar në shoqëri.

Kryeministri turk Tayyip Erdogan
Kryeministri turk Tayyip ErdoganFotografi: Reuters

Momenti i përshtatshëm

Momenti për nisjen e bisedimeve të tilla është i përshtatshëm. Aktualisht, për shkak të dimrit, po mbizotëron një lloj armëpushimi mes luftëtarëve të PKK-së dhe ushtrisë turke. Mundësia e shantazhit ndaj bisedimeve në këtë kohë është më e vogël se sa gjatë verës. Ndërkohë që edhe Öcalan ka dëshmuar përmes një apeli për ndërprerjen e një greve urie të të burgosurve nga radhët e PKK-së se influenca e tij ende është shumë e madhe.

Momenti i tanishëm është i rëndësishëm edhe për një arsye tjetër: gjatë dy viteve të ardhshme në Turqi do të ketë një maratonë zgjedhore, sepse do të mbahen zgjedhjet komunale, parlamentare dhe presidenciale. "Erdogani do që ta realizojë këtë qëllim para zgjedhjeve", pohon politologu nga Stambolli Sahin Alpay. Zgidhja paqësore do të ishte një fitim i madh për qeverinë, sepse konflikti me kurdët po zgjat për më shumë se tri dekada dhe u ka kushtuar jetën dhjetëra mijëra njerëzve.

Pamje nga burgu ishull Imrali
Pamje nga burgu ishull ImraliFotografi: picture-alliance/dpa

Ankaraja do të rikthejë besimin

Qëllimi i angazhimit është që PKK-ja të heqë dorë nga dhuna, thotë zëvendëskryeministri Besir Atalay, i cili koordinon politikën kurde në kabinetin qeveritar. Për të rikthyer besimin, përfaqësuesit e qeverisë kanë vizituar javët e kaluara edhe Öcalanin në burg në ishullin Imrali. Bisedimet do të vazhdojnë, bëri të ditur kryeministri Erdogan, duke shtuar se të mundshme janë bisedimet edhe me përfaqësues të tjerë të PKK-së.

Negociata të tilla mes Ankarasë dhe PKK-së ka pasur edhe një herë më parë por ato u ndërprenë në vitin 2011, pas sulmeve të rebelëve kurdë dhe vrasjes së 13 ushtarëve turq. Qeveria thotë se negociatat i ka shantazhuar atëherë vet PKK-ja.

Reagimet e PKK

Partia PKK e ka pritur me përmbajtje iniciativën e fundit të qeverisë në Ankara. Murat Karayilan, i cili e drejton këtë parti që prej arrestimit të Öcalanit, kërkon edhe hapa të tjerë nga qeveria, si dëshmi se është e gatshme për zgjidhje paqësore. Ndër të tjera kërkohen kushte më të mira për Öcalanin e burgosur dhe njohja formale e identitetit kurd në kushtetutën e Turqisë.

Pamje simbolike - PKK
Pamje simbolike - PKKFotografi: AFP

Disa vëzhgues në Turqi thonë se luftëtarët e Karayilanit mund ta pengojnë procesin e negociatave, sepse ata ndihen të përjashtuar nga bisedimet që po bëhen me Öcalanin. Deri tani kanë dështuar të gjitha përpjekjet për negociata që prej shpërthimit të luftimeve në vitin 1984. Edhe negociatat e reja me siguri që nuk premtojnë se do të përfundojnë me sukses.