1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Merkel vlerëson Evropën

B. Gräßler, K. Scholz, E. Ahmeti18 Dhjetor 2013

Në deklaratën e parë qeveritare kancelarja gjermane u shpreh për politikën e saj evropiane. Evropa ka bërë hapa të mirë në rrugën e saj drejt stabilitetit dhe zhvillimit por është i nevojshëm më shumë bashkim ekonomik.

https://p.dw.com/p/1Abxc
Fotografi: picture-alliance/dpa

Gjermania do të jetë e fortë në afat të gjatë vetëm në qoftë se Evropa është e fortë, theksoi kancelarja Angela Merkel në Bundestag. Prandaj një nga detyrat kryesore të koalicionit të gjerë të Unionit dhe SPD-së është promovimi i një roli përgjegjës dhe integrues të Gjermansë në Evropë. Nuk është rastësi që deklarata e parë qeveritare në mandatin e ri i kushtohet politikës evropiane sepse sot është e vështirë të dallosh politikën evropiane nga politika e brendshme.

Në fjalimin e saj që zgjati rreth njëzet minuta, i cili tingëllonte më shumë si një leksion se sa një fjalim në parlament, kancelarja balancoi progresin dhe deficitet e Bashkimit Evropian. Kështu, kriza e borxhit nuk është tejkaluar ende por ka pasur shenja pozitive. Irlanda dhe Spanja do të largohen nga fondet e shpëtimit, për këtë ato duhet të përgëzohen. Përparime janë bërë edhe në Portugali, Qipro dhe Greqi. Evropa ka bërë hapa të mirë në rrugën e saj drejt stabilitetit dhe zhvillimit. Fakti që Letonia vitin e ardhshëm do të bëhet anëtarja e 18-të e eurozonës është një shenjë se monedha e përbashkët evropiane vazhdon të jetë ende atraktive.

Merkel bëri thirrje për të kapërcyer mosmarrëveshjet rreth bashkimit ekonomik dhe bashkimit monetar. Ne kemi nevojë për më shumë bashkim ekonomik. Reformat e nevojshme strukturore kombëtare duhet të kërkohen nga Komisioni Evropian dhe të janë të detyrueshme. Për këtë temë do të diskutohet të enjten dhe të premten në Këshillin Evropian në Bruksel dhe "do të arrihen përparime të ngadalshme." Por ne duhet të jemi të gatshëm edhe për të ndryshuar kontratat dhe për të rishpërndarë kompetencat e caktuara, kërkoi kancelarja gjermane Angela Merkel.