1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Amnistia fiskale sjell debat në Shqipëri

Aida Cama1 Prill 2011

Një projektligj i qeverisë shqiptare mbi aplikimin e amnistisë fiskale po përcillet me mjaft debate nga përfaqësuesit e biznesit dhe të politikës. Ekspertët kanë rezerva për momentin e zgjedhur për diskutimin e tij.

https://p.dw.com/p/10lpc
Aeroporti i Tiranës - një sukses në aspektin ekonomik
Aeroporti i Tiranës - një sukses në aspektin ekonomikFotografi: DW

Në thelb procesi i amnistimit fiskal është një falje në shkallë të gjerë nga ana e shtetit të detyrimeve të prapambetura, që kanë qytetarët ose subjektet e biznesit në formën shlyerjes tatimore, doganore ose detyrimeve të sistemit të sigurimit shoqëror e shëndetësor. Në bazë të projektligjit që ka paraqitur qeveria dhe që momentalisht është objekt diskutimi në parlament dhe me grupet e interesit nga amnistia përjashtohen aktivitetet kriminale.

Për qeverinë ky proces është nxitës për ekonominë, për formalizmin e saj, sepse çlirohen fonde të cilat “vegjetojnë” ose vijonë qarkullimin jashtë sistemit ligjor. Por opozita po shpreh spekticizëm dhe ngurrim për ta mbështetur me votë këtë projektligj, pasi sipas saj, qeveria kërkon ta shfrytëzojë për fushatë elektorale amnistinë fiskale.

Nxjerrje në dritë e aseteve të padukshme

Zef Preçi,Tiranë
Zef Preçi,TiranëFotografi: DW / Arben Muka

Për drejtorin e qëndrës shqiptare për kërkime ekonomike, dr. Zef Preçi, pritmëria nga realizmi i aministisë fiskale është nxjerrja “në dritë” e atyre aseteve të padukshme që ndikojnë në zhvillimet ekonomike të një vendi.

“Do të thotë që kundrejt një pagese në përqindje në varësi me kategorinë e kapitalit që amnistohet ato çlirohen dhe pas kësaj periudhe janë lehtësisht të përdorshme në treg. Do të thotë që krijohet një burim suplementar i parave përkohësisht i tërhequr nga qarkullimi, ose të përdorura informalisht. Nga ana tjetër krijon mundësinë për t'u ndarë në një farë mënyre me të shkuarën”.

Zef Preçi mendon se nisma të tilla duhet të vijnë natyrshëm nga teknicienët, nga qarqet akademike, nga vetë grupet e biznesit dhe detyra e politikës është që t'i miratojë me një konsensus sa më të gjerë të mundshëm. Sipas tij, duhet të përgatiten kushtet që të çrrënjoset mendësia tek qytetarët se mos paguani sepse do të vijë një ditë që shteti do t'ua falë detyrimet.

“Paratë që grumbullohen nga të ardhurat e arkëtimet e këtij procesi mendoj se nuk duhet të shkojnë për të shtuar buxhetin e vitit, por të destinohen në shlyerjen e borxhit publik, i cili ka qënë dhe mbetet kërcënimi më serioz për stabilitetin makroekonomik të vendit”- thotë Zef Preçi për DW.

Rezerva për momentin

Zenel Hoxha, president i dhomës britanike të tregëtisë dhe industrisë në Shqipëri, e konsideron si pozitive nismën për të kryer amnisti fiskale. Por shpreh disa rezerva. Së pari, për momentin që është zgjedhur në shpalljen e amnistisë ku sipas tij, klima e ndezur politike dhe periudha në prag të zgjedhjeve lokale mund ta kanalizojnë procesin si një fushatë politike. Së dyti, ai përmend një shqetësim që është artikuluar dhe nga grupet e interesit, që gjithshka të bazohet mbi një ligj të hartuar me kujdes, të konsultuar dhe me eksperiencën e vendeve që e kanë kryer më parë këtë proces. Problemin e tretë që ngre Zenel Hoxha për DW-në është propozimi i autoriteteve për të aplikuar nivele të ndryshme tarifash për subjektet që do të përfshihen.

Zenel Hoxha
Zenel HoxhaFotografi: Arben Muka/DW

“Aspekti tjetër që mund të jetë një ngërç për këtë është fakti se janë vendosur barriera tarifash. Kur bëhet fjalë për amnisti mendoj se ajo duhet të trajtohet si e tillë, në tërë përshkallëzimin e saj. Opinioni ynë është që të mos ketë fare tarifa kjo amnisti. Me qëllim që të kemi një përfshirje të të gjithë atyre që vërtet duhet të amnistohen”.

Në lidhje me aplikimin e amnistisë fiskale në mes të kësaj jave ka patur dhe një reagim nga ekspertët e Bankës Botërore që punojnë në Shqipëri. Ksenia Lvovsky, përfaqësuese e këtij institucioni e kushtëzoi suksesin e realizmit të aministisë nga mënyra e zbatimit. “Është shumë e rëndësishme që aministia të jetë transparente dhe mbi të gjitha të minimizojë rrezikun moral. Kjo do të thotë se duhen marrë masat që pas aministisë njerëzit të mos vazhdojnë evazionin, me shpresën se do të ketë përsëri amnisti në të ardhmen”, ka deklaruar Lvovsky.


Autor: Arben Muka /Tiranë

Redaktoi: Auron Dodi