1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Amerikanët dhe kultura e frikës

Pas vrasjes së dy afro-amerikanëve nga policia, gjatë një proteste në Dallas u vranë disa policë. Nëse tani nuk nis një dialog i ri, priten pasoja të rënda, thotë politologu Scott Lucas.

DW: Nisur nga ngjarjet aktuale në Dallas, si mund të përshkallëzohet situata në një shoqëri të tillë si SHBA në kohët e sotme?

Scott Lucas: Në SHBA ka sunduar gjithmonë një kontradiktë. Nga njëra SHBA është një vend ekonomikisht dhe ushtarakisht i fortë, dhe ka - megjithë shumë gabime - madje edhe një sistem vërtet të mirë politik. Por në të njëjtën kohë amerikanët jetojnë në një kulturë frike. SHBA është një vend shumë i frikësuar dhe kjo prej dekadash. Unë e kam përjetuar këtë vetë gjatë Luftës së Ftohtë, por edhe në kohën pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit të vitit 2001. Njerëzit kanë frikë nga vështirësitë, si nga drogat dhe kriminaliteti.

Politologu Scott Lucas

Politologu Scott Lucas

Lëvizja "Black Lives Matter" u themelua pasi në Ferguson u qëllua nga një polic i bardhë nxënësi afro-amerikan Michael Brown. Lëvizja kujdeset për çështje shumë të rëndësishme. Nuk është fjala vetëm në lidhje me dhunën policore apo dhunën e pretenduar të policisë, por edhe për situatën ekonomike, mungesën e vendeve të punës në rajone të caktuara dhe pabarazinë e të ardhurave. Megjithatë, ekziston një rrezik që kjo lëvizje të shihet si një kërcënim për të gjithë policinë. Por, nëse kjo ndodh, atëherë mbyllet mundësia e një dialogu dhe lind një konflikt.

Ne kemi një ish-deputet të Kongresit, Joe Walsh, i cili tani shkruan në twitter, se mbretëron gjendje lufte. Nëse politikanët shfrytëzojnë situatën dhe zgjedhin një gjuhë të tillë, si për shembull Donald Trump, kjo do të çojë shpejt në një erozion të shoqërisë. Vërtet, e madje më shumë se erozion. Unë nuk do të përdorja termin "kërcënim", sepse kjo do të kontribuonte vetëm për këtë përdorim të gjuhës, por do të flisja për një problem serioz në politikën amerikane.

DW: A ka sipas mendimit tuaj ndonjë lidhje mes kulturës për përdorimin e armëve të zjarrit dhe militarizimit të policisë?

Kjo është një pyetje që ne e shtrojmë prej vitesh me radhë. Vlerësimi im është: deri sa ne të kemi arritur që të dimë si të veprojmë me armët, që në Amerikë janë kudo lirisht në dispozicion, deri sa ne t'i kemi nën kontroll shkaqet kryesore të dhunës, mungesa e kontrollit të armëve të zjarrit do ta ketë përpirë shoqërinë tonë. Nëse ne nuk mbështetemi tani tek dialogu dhe e intensifikojmë më tepër konfliktin, atëherë kjo do të ketë pasoja të rënda.

Scott Lucas është politolog në Universitetin e Birmingamit. Fokusi i studimeve të tij është politika amerikane