1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Altmann: Fundamentalizmi mund të jetë rrezik nëse nuk përmirësohet situata ekonomike në Ballkan

7 Mars 2011

Altmann: Shqiptarët kanë një raport shumë pozitiv me SHBA-në. Por dikush edhe mund të shkëputet fare qartë prej kësaj preket prej propagandës islamiste dhe vendos të ndërmarrë aksione të tilla kundër amerikanëve.

https://p.dw.com/p/10UdX
Eksperti për Ballkanin Franz-Lothar AltmannFotografi: Franz-Lothar Altmann

DW: Në hapësirën shqiptare konstatohet njëfarë shtangieje. Me se kemi të bëjmë vërtet në rastin e veprës në Aeroportin e Frankfurtit?

Altmann: Problemi është, se këtu u përhap natyrisht lajmi, që atentatori është me prejardhje nga Kosova dhe u shtuan pak informacione në lidhje me atë, nëse ekzistonin ende lidhje me Kosovën apo me grupime islamiste në Ballkan. Por edhe vetëm fakti, që u tha se një i ri nga Kosova, i cili ishte marrë intensivisht me përmbajtje islamiste në internet, shkaktoi këtu njëfarë tronditjeje, sepse në tërë këtë diskutim dëgjon vazhdimisht të flitet për lidhje të karakterit mafioz nga Kosova në vendet e Bashkimit Evropian. Kjo ishte një lidhje shumë e mbrapshtë, që u vendos në publik.

DW: Sa të fortë e konsideroni praninë e myslimanizmit radikal në hapësirën shqiptare?

Altmann: Në fakt deri tani nuk kemi pasur përshtypjen, se atje luajnë rol të madh islamistët radikalë. Kur kujtoj sondazhet e Gallupit në Ballkan, të zhvilluara në nëntor, rëndësia e fesë, pra edhe e myslimanizmit, është rritur dukshëm, edhe në Kosovë e Shqipëri. Kjo u regjistrua, por në fakt vetëm në botën e interesuar shkencore. As kjo nuk ka çuar ende në vlerësimin, që po merr rëndësi myslimanizmi radikal. Deri tani nuk ka qenë kështu.

DW: Sipas jush ç'rëndësi ka, po e quaj, mjedisi shqiptar, për shembull në rastin e të riut me prejardhje nga Kosova?

Altmann: Edhe këtu pas disa ditësh u raportua në publik, se me gjasa ky ishte një autor i vetëm, kjo u bë. Do të thotë, që në diskutim nuk u vendosën lidhje, që do të çonin në Shqipëri apo vetë në Kosovë. Por, sikurse thashë, vetë fakti, që është një kosovar, shkaktoi fillimisht irritime. Megjithatë, u tha fare qartë, se është me sa duket një autor i vetëm, një njeri i çuar në udhë të gabuar, i cili nëpërmjet propagandës islamiste u nxit deri në kryerjen e kësaj vepre, por jo prej propagande islamiste, e cila vjen nga Shqipëria apo Kosova (kjo u saktësua në shtypin e këtushëm). Kjo ishte edhe e domosdoshme, sepse, siç thashë, fillimisht ishte i pranishëm irritimi. Thuhej, aha kemi përsëri një rast kur shqiptarët këtu në Gjermani ose në Evropën Perëndimore kryejnë vepra të mbrapshta, që janë jo patjetër mafioze, por në këtë rast madje të natyrës terroriste.

E përsëris: Pati irritime, por nga organet hetuese u konstatua: nuk gjehen lidhje me Kosovën apo me Shqipërinë. Kjo u prit shumë pozitivisht para së gjithash prej politikanëve, sepse kjo do ta kishte shtyrë gjithë diskutimin për Ballkanin dhe para së gjithash për Shqipërinë dhe për Kosovën në një drejtim shumë shumë të keq.

DW: Shumë shqiptarë dallojnë një kundërthënie të madhe në atë, se ishin amerikanët ata që e çliruan Kosovën dhe rrethanës, që vrasësi ka thënë, se donte të shpaguante misionin amerikan në Afganistan. Si e shihni ju këtë?

Altmann: Po, është e saktë. Deri tani kemi pasur përshtypjen, se ndër shqiptarët mbizotëronte mendimi, se miqtë më të mirë të Shqipërisë apo të Kosovës janë amerikanët. Kujtoj këtu edhe vizitën e Bushit në Tiranë dhe kur pyet në Kosovë, thuhet: amerikanët janë miqtë më besnikë dhe më të mirë. Ky i ri me sa duket është çuar në udhë të gabuar nga propanganda islamiste, jo nga Kosova a Shqipëria, po nga drejtime shumë antiperëndimore, që kritikojnë misionin në Afganistan. Me ç'duket i riu ka qenë fort i impresionuar prej saj. Me sa dimë deri tani, ka gjasa që ai është një mysliman i devotshëm dhe është shtyrë në drejtimin: Perëndimi, amerikanët nuk kanë se ç'kërkojnë në Afganistan, kemi të bëjmë me një pushtues, i cili më në fund duhet të detyrohet që të largohet nga ky vend. Në këtë kuptim është një rastësi jofatlume, që i riu ishte nga Kosova. Ai është nxitur në udhë të gabuar nga propaganda islamiste.

DW: Sa të madh e konsideroni rrezikun, që të ketë njerëz me të njëjtat karakteristika nga kjo hapësirë, të cilët duan ta imitojnë veprën?

Altmann: Që mund të ketë njerëz, që e përsërisin këtë akt, kjo është e mundshme, por ata nuk duhet të jenë detyrimisht në radhë të parë persona nga hapësira shqiptare. Këtë nuk e besoj, pasi, sikurse thatë me të drejtë, në fakt shqiptarët kanë një raport shumë pozitiv me SHBA-në. Por dikush edhe mund të shkëputet fare qartë prej kësaj preket prej propagandës islamiste dhe vendos të ndërmarrë aksione të tilla kundër amerikanëve. Sigurisht që mund të ketë kopjime të kësaj vepre, por e përsëris: kjo nuk ka të bëjë me atë, që këta persona mund të jenë nga Kosova ose nga Shqipëria. Nuk mendoj kështu.

DW: Ç'mund të ndërmerret në kuadër të një programi kundër radikalizimit, edhe në këto vende? A shihni këtu nevojë për të vepruar?

Altmann: Mendoj, që parimisht duhet pasur kujdes, nëse fanatikët fetarë dhe nëse fundamentalistët fitojnë shumë rëndësi. Që këtu ka mbështetje në këtë drejtim nga shtetet arabe, kjo mund të shihet në Bosnjë, mund të shihet në përmasa të caktuara edhe në Shqipëri, por jo aq fort sa në Bosnjë. Natyrisht edhe në Kosovë shikon xhami të reja, që financohen me paratë nga shtetet arabe dhe nga organizata arabe, të cilat duhen parë më shumë si fundamentaliste. Kjo është sigurisht diçka, ku duhet treguar kujdes, por nuk kam përshtypjen, se për momentin po merr përmasa, që mund të thuhej: fundamentalizmi përbën rrezik. Është atëherë i rrezikshëm kur gjithë situata në rajon, pra në rajonin tonë të Ballkanit Perëndimor, nuk përmirësohet në pikëpamjen ekonomike. Atëherë ka gjithnjë tokë pjellore për përfytyrime fundamentaliste, për një radikalizim te të rinjtë, të cilët nuk kanë perspektivë, janë të papunë. Ata po, janë viktima të mirëpritura për propagandën radikale.

DW: A dalloni rrezik, që skepticizmi ekzistues në lidhje me zgjerimin e BE-së të rritet?

Altmann:: Po. Kjo me siguri është një nga situatat shumë të vështira, që si në rajon, ashtu edhe këtu tek ne konstatojmë njëfarë lodhjeje nga zgjerimi. Edhe nga sondazhet shihet, që kohët e fundit në të gjitha këto vende të Ballkanit Perëndimor bie dukshëm miratimi për anëtarësimet në BE. Thjesht prej zhgënjimit nga fakti, që gjithçka ecën shumë ngadalë. Nga ana tjetër edhe te ne: Lodhja në rritje nga zgjerimi, gjithashtu si rezultat i zhgënjimit nga fakti, që në vendet për të cilat bëhet fjalë, reformat bëjnë në vend numëro, që atje pak gjëra lëvizin, që si për shembull tani në Kosovë me zgjedhjet u desh të viheshin pikëpyetje të mëdha, që zgjedhja e presidentit ngjalli dyshime. Pra kemi vazhdimisht incidente, që jo detyrimisht nxisin zgjerimin këtu në vendet tona. Kjo edhe reflektohet, sepse kur raportohet në rajon, thuhet: Shikoni, në vendet e Bashkimit Evropian sa vjen e shtohet skepticizmi. Ky është një reagim, që ndodh si në një lojë pingpongu, nga njëra anë në tjetrën. Kur shohim se në Bosnjë - Hercegovinë është e pamundur të realizohet një qeveri qendrore, kur shohim se si forcat e ndryshme politike nuk pajtohen dot për parime bazë, të cilat do të çonin në një përparim në negociata apo qoftë edhe në fillimin e negociatave, kur shohim se si në Shqipëri diskutimi zhvendoset nga parlamenti në rrugë, kjo sigurisht është diçka që nuk e nxit gatishmërinë për zgjerimin në vendet tona dhe, sikurse thashë, kur kjo raportohet në këto vende, kthehet në një lojë pingpongu, e cila shkakton reagime të kuptueshme nga të dyja palët.

Autor: Elert Ajazaj

Redaktoi: Vilma Filaj-Ballvora