1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Altin Qato: Ka punonjës të veçantë policie të implikuar, por jo fenomen

2,5 milionë bimë kanabisi u asgjësuan në 2016-n. Drejtori i Përgjithshëm për Sigurinë Publike në Policinë e Shtetit, Altin Qato thotë për DW se përfshirja e policëve në kultivimin e drogës nuk është fenomen.

Deutsche Welle: Gjatë gjithë këtij viti u vu re një shtrirje e gjeografisë së drogës në të gjithë Shqipërinë. Si e shpjegoni ju këtë masivizim të mbjelljes së kanabisit?

Altin Qato: Policia si çdo aktivitet kriminal që e vlerëson në maksimum për ta goditur që të sjellë më shumë siguri publike e konsideron edhe kultivimin e bimëve si një aktivitet kriminal të mirëfilltë që do një punë të mirëorganizuar për të parandaluar, goditur dhe zbuluar autorët. Ne bëjmë edhe punë sensibilizuese që në fillim të vitit. Rezultatet flasin për një shkatërrim masiv. Këtë vit, deri për periudhën kur flasim, kemi shkatërruar më shumë se 2,5 milionë bimë narkotike. Ky është një numër më i madh se viti i kaluar, kjo ka krijuar një kontekst sikur situata mund të ketë dalë jashtë kontrollit. Ne e argumentojmë këtë me një organizim më të mirë të policisë për kontrollin e territorit, duke rritur numrin e forcave të policisë, të aktivizuar për të goditur këtë aktivitet, kemi rritur bashkëpunimin me partnerë të tjerë ndërkombëtarë, qeverinë italiane. Në bazë të një marrëveshjeje mes dy Ministrive të Brendshme ne bëjmë një monitorim të kontrolluar nga ajri me ndihmën e Guardia di Finanza.

Kaq shumë drogë e shkatërruar, po sa vetë janë kapur?

Vetëm për këtë vit kemi rreth 1670 procedime penale të nisura të referuara në prokurori, ku bëjmë veprime të rregullta proceduriale. Nga këta 400 autorë janë të identifikuar si kultivues, rreth 252 prej tyre janë të arrestuar, por puna fokusohet edhe tek grupe të organizuara që merren me trafikimin e drogës në vendet e Bashkimit Europian. Pjesa tjetër është e shpallur në kërkim. Pra nga këto 1600 procedime, 20% janë zbuluar, por puna për gjetjen e autorëve vazhdon.

Nuk ju duket shifër e ulët për një problem kaq të madh?

Por krahasuar me vitin e kaluar kemi rritje të procedimeve. Ne vazhdojmë bashkëpunimin me prokurorinë që bën hetimet për zbulimin e plotë të këtij aktiviteti kriminal për të gjetur kush janë pronarët e tokave, kush janë përdoruesit, por duhet një kohë derisa të mbyllet kuadri i plotë me dokumentimin e zbulimin e autorëve.

Ku fokusohet puna juaj aktualisht tek shkatërrimi i parcelave apo zbulimi i vendeve ku është fshehur droga?

Bima narkotike ka periudhën e vet. Kultivimi në parcela të hapura fillon diku nga fundi i marsit dhe prillit, sipas të dhënave tona. Në shtator e tetor përfundon cikli i bimës narkotike, varet edhe nga lloji i saj. Tani ne jemi fokusuar në masat për të goditur trafikimin. E gjithë kjo sasi që mund të kultivohet e që i ka shpëtuar kontrollit policor është e destinuar për tregun ndërkombëtar, kryesisht atë europian. Kjo sasi nuk përdoret në tregun shqiptar, sepse është shumë i vogël.

Kam dëgjuar zëra kritikë që thonë se nuk dihet ku shkon kjo drogë e shkatërruar? Nuk ka mbikqyrje për një proces të tillë asgjësimi?

Faktikisht ne jemi shumë transparentë. Asgjësimi bëhet në vend, ky është një rregull procedurial, nuk është se policia e merr sasinë e gjetur në një parcelë dhe e transporton diku. Merren mostrat e nevojshme që lejohen për t'u marrë sipas rregullat, pjesa tjetër asgjësohet, e kjo dokumentohet me pamje filmike e duke u fotografuar.

Ka investigime që kanë treguar se pa mbështetje nga policia, ky zinxhir nuk funksionon. A keni ju raste të identifikuara?

Puna e policisë është e punë e vështirë në drejtim të këtij aktiviteti, sepse elementë që merren me këtë aktivitet shfrytëzojnë zona të largëta malore, ku është e pamundur vajtja me mjete, pra në harxhojmë energji e shumë forca për të arritur në vend. Kjo i ndihmon këta autorë që t'i shmangen kontaktit vizual me policinë, të shpëtojnë. Ne kemi bërë punë shumë të mirë me Guardia di Finanza, janë 99% e parcelave të identifikuar nga ata e të shkatërruara nga ne.

Po a ka lidhje të policisë me rrjetet e drogës?

Kemi hasur edhe raste, kur elementë të veçantë kanë bashkëpunim, por ky nuk është fenomen. Nuk është i gjerë si fenomen, ne i kemi ndjekur edhe penalisht. Ne nuk e shmangim përgjegjësinë e punonjësve të policisë, ka punonjës të veçantë, të implikuar në këtë aktivitet por kundërshtojmë që nuk është si fenomen.

Sa raste policësh të implikuar keni zbuluar?

Për momentin që flasim kemi rreth 40 procedime penale të punonjësve të policisë, 8 prej tyre janë të arrestuar, janë rreth 43 procedime displinore që sipas informacioneve tona, ata nuk kanë vepruar, ose nuk kanë kryer detyrën si duhet për goditjen e këtij aktiviteti. E theksoj nuk është fenomen, po të kujtojmë numrin e lartë të bimëve të asgjësuara, ndërkohë që kemi vetëm për këtë vit që flasim kemi rreth 9000 forca policie të angazhuara për goditjen e këtij aktiviteti, me një kosto rreth 6 milionë dollarë që shpenzon policia nga buxheti i saj. Ne jemi të motivuar.