1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Alternativa për Gjermaninë e vendosur kundër fesë islame

Për fjalinë "feja islame nuk është pjesë e Gjermanisë", që ndodhej në projektprogramin e AfD pati kritika në të gjithë Gjermaninë. Në kongresin e partisë populistët e djathtë e konfirmuan kursin kritik ndaj fesë islame.

AfD-ja e fiksoi kursin e saj kundër fesë islame në programin e saj të përgjithshëm. Në kongresin dyditor të partisë në Shtutgart, 2000 anëtarët e pranishëm të "Alternativës për Gjermaninë" i dhanë bekimin fjalisë "feja islame nuk është pjesë e Gjermanisë." Veç kësaj, në program kërkohet që minaretë, thirrja e muezinit dhe mbulimi i plotë me perçe i femrave të ndalohet. AfD, sipas formulimit të saj vërtet që e mbështet "lirinë e besimit, të ndërgjegjes dhe të përkatësisë". Por ushtrimit të fesë i duhen vënë kufij të qartë. Formulimi i përmendur më parë se feja islame nuk pajtohet me kushtetutën nuk gjendet në vendim.

Debate të ashpra u bënë për temën e ndalimit të plotë të migrimit. Pasi pjesëmarrësit e kongresit të partisë u shprehën të shtunën (30.04) në mbrëmje kundër migrimit "veçanërisht nga ambjente të huaja kulturore", delegatët kërkuan të dielën një korrigjim të kursit. Në fund u rrëzuan disa formulime radikale që qenë vendosur. Në vend të tyre, në programin e partisë tani lexon: "emigrantë të kualifikuar për tregun e punës, me gatishmëri të lartë për t'u integruar janë të mirëseardhur te ne."

Kundër pushtetit të madh të BE

Partia kërkon veç kësaj që të kufizojë kompetencat e Brukselit. Nëse nuk do të arrihet kjo, AfD do të angazhohet për një dalje të Gjermanisë nga BE. Kryetarja e Partisë, Frauke Petry theksoi se kjo është një perspektivë afatgjatë.

Kongresi i AfD në Shtutgart

Kongresi i AfD në Shtutgart

Kryetari i AfD-së, Jörg Meuthen tha se synimi është që AfD të konsolidohet si " fuqi e re konservatore në vend". Bashkëkryetarja Petry formuloi një pretendim për pushtet. AfD nuk do që të qendrojë në vazhdimësi si "partnere e vogël në parlamente". "Ne duam të kapim shumica, në mënyrë që programatikën tonë ta imponojmë me sukses si kundërprojekt kundër establishmentit politik."

Sipas një sondazhi aktual të Institutit demoskopik Emnid, të organizuar për gazetën "Bild am Sonntag", AfD-ja merr në federatë mbështetje nga 13 përqind e zgjedhësve, pra ndodhet në vendin e tretë, pas partive unioniste dhe SPD. Për zgjedhjet presidenciale në Gjermani në shkurt 2017, Petry prezantoi si kandidat të AfD-së, anëtarin themelues dhe zëvendëskryetarin e partisë, Albrecht Glaser.

Një aksident me të dhënat shkaktoi zemërim te anëtarët e AfD-së. Në një platformë interneti u botuan të dhënat personale të të gjithë anëtarëve të AfD-së të pranishëm në Shtutgart. Partia bëri për këtë arsye kallëzim penal.

Sekretari i përgjithshëm i CDU-së, Peter Tauber kritikoi në gazetën "Bild am Sonntag": "Debatet në kongresin e partisë tregojnë: AfD-ja kërkon të kthehet pas në një republikë federale, që nuk ka ekzistuar asnjëherë në këtë formë. Kjo nuk është konservatore, por reaksionare." Kurse sekretarja e përgjithshme e SPD-së, Katarina Barley tha se kongresi i partisë tregon "sa jo moderne dhe me vështrim të kthyer pas është vërtet AfD."