1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Al Xhazira e mirëseardhur në Ballkan

20 Shtator 2010

Televizioni nga Katari Al Xhazira ka paralajmëruar se do të hyjë në Ballkan. Ekspertët në Bosnjë-Hercegovinë thonë se kjo do të ndikonte pozitivisht në fushën e mediave. Megjithatë motivet mbeten të paqarta.

https://p.dw.com/p/PHVy
Televizioni nga Katari Al Xhazira do të hapë studio në Sarajevë.
Televizioni nga Katari Al Xhazira do të hapë studio në Sarajevë.Fotografi: AP

Në prag të luftës në mediat e Bosnjë-Hercegovinës flitej për mundësinë që Sarajeva të jetë qendër e një kanali televiziv të "Euronews-it“. Ky detaj i kujtohet drejtorit të Qendrës së Mediave në Sarajevë, Boro Kontiq edhe tani kur bëhet fjalë për futjen e mundshme të Al Xhazirës në tregun e mediave në Bosnjë-Hercegovinë dhe në Ballkan.

"Kur një kanal kaq i madh televiziv do të futet në tregun tuaj, tek njerëzit menjëherë zgjohet frika, nëse kemi sërish të bëjmë me mundësinë e shpërthimit të ndonjë lufte të re apo të kthesave të mëdha politike. Mirëpo mendoj se në këtë rast kemi të bëjmë thjesht me dëshirën e një kanali televiziv që të shtrihet edhe në këto rajone", pohon Kontiq.

Sekretarja Shoqatës së Gazetarëve të B-H Borka Rudiq
Sekretarja Shoqatës së Gazetarëve të B-H, Borka RudiqFotografi: DW

"Vendimi i Al Xhazirës është një ide interesante sepse këtu nuk kemi të bëjmë me ndonjë ofertë të madhe financiare, pasi tregu në Bosnjë-Hercegovinë nuk është shumë i madh. Pra qarkullimi i parave me siguri që nuk është motivi kryesor, pohon sekretarja Shoqatës së Gazetarëve të B-H Borka Rudiq, duke shtuar se sipas të dhënave të deritanishme, Al Xhazira do të duhej të emetonte lajme për tërë rajonin. Kjo me siguri do të influencojë hapësirën e mediave në Ballkan.

"Fjala është për një rrjet me mbështetje të fuqishme dhe me mundësinë e përzgjedhjes së kuadrove të mira", pohon Kontiq. Ndërsa Borka Rudiq shtron pyetjen se sa kuadro në këtë rajon mund t'u përgjigjen kërkesave të një rrjeti të këtillë. Ajo nuk është e "sigurt se në rajonet tona do të ketë kuadro të mjaftueshme kualitative dhe profesionale për t'iu përgjigjur interesave të këtilla."

Globi dhe logo e Al Xhazirës
Globi dhe logo e Al XhazirësFotografi: DW

Shumë ekspertë mendojnë se me lajmet e veta në gjuhët e të gjitha vendeve të ish - Jugosllavisë, Al Xhazira do të ishte një konkurrent serioz për televizionet në këtë rajon. Por drejtuesi i sektorit informativ në televizionin e Bosnjë-Hercegovinës, Damir Shimiq paralajmëron se "askush nuk duhet të dorëzohet para betejës ".

Al Xhazira me siguri që është një rrjet me fuqi të mëdha finaciare, që mund të angazhojë gazetarët dhe kuadrot më kualitativë dhe të bëhet një konkurencë shumë e madhe për televizionet e mëdha në këto rajone, pohon Shimiq. Ndërsa Boro Kontić thekson se "do të jetë shumë interesante të shihet se si një rrjet mund të ofrojë informacione objektive në shtetet e lindura pas shkatërrimit të ish-Jugosllavisë. "

Studio e Al Xhazirës në Doha
Studio e Al Xhazirës në DohaFotografi: picture-alliance/dpa

"Ky rrjet ndoshta mund të tejkalojë problemet e tanishme dhe interesat e ngushta të bashkësive të ndryshme etnike, serbe, boshnjake apo kroate", Borka Rudiq nuk është e bindur që televizionet, pra as Al Xhazira mund të jenë imune ndaj ndikimeve politike. Sipas saj, Al Xhazira do të ndikojë në krijimin e opinionit publik në B-H. Megjithatë ajo nuk mendon se me futjen e Al Xhazirës në këto rajone do të forcohet faktori radikal islamik.

"Nuk mendoj se me futjen e Al Xhazirës tek ne do të forcohet edhe ndikimi nga Lindja dhe mendoj se ky nuk është motivi i Al Xhazirës", pohon Borka Rudiq.

Drejtori i Qendrës së Mediave në Sarajevë rikujton se secili faktor është i interesuar të shfrytëzojë influencën e mediave. Por në rastin e Al Xhazirës mendon se "do të mbisundojë interesi i asaj që quhet informacioni primar".

Drejtori i Qendrës së Mediave në Sarajevë, Boro Kontiq
Drejtori i Qendrës së Mediave në Sarajevë, Boro KontiqFotografi: DW/ Pirolic

"E di që Al Xhazira është kanali i parë i cili emeton mesazhet e Al Kaidës, por nuk kam asnjë të dhënë me të cilën mund të dëshmohet se ky televizion ka lidhje me grupet ekstremiste islame", pohon Boro Kontiq.

Borka Rudiq shpjegon se Al Xhazira do të jetë kanali i dytë i huaj në B-H. Ajo rikujton se edhe futja e televizionit Pink nga Serbia në tregun boshnjak kishte shkaktuar reagime të shumta dhe është pritur me skepticizëm, për shkak të: "ndikimit të madh të politikës së Millosheviqit dhe politikës së përgjithshme negative ndaj B-H, që megjithatë nuk ka ndodhur." Sipas të dhënave të deritanishme, ky televizion i Katarit do të investojë në selinë e saj në Ballkan rreth 11 milionë euro. Ndërkohë që kërkesa e kuadrove tani më ka filluar.

Autor: Samir Huseinoviq/ Bahri Cani

Redaktoi: Aida Cama