1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Akuzohet kryeministri i Rumanisë

Robert Schwartz14 Korrik 2015

Victor Ponta akuzohet për mashtrim, evazion fiskal dhe pastrim parash të pista. Një pjesë e pasurisë së tij është vënë nën administrimin e organeve të përmbarimit.

https://p.dw.com/p/1FyKq
Fotografi: picture-alliance/dpa/O. Ganea

Në kohën kur Evropa po feston shmangien e Grexit-it, në Rumani po flitet gjithnjë e më hapur për "Pontexit". Kërkesat për dorëheqjen e kryeministrit socialist Victor Ponta po shpeshtohen. Ndër të parët është prononcuar para një muaji presidenti konservator-liberal Klaus Iohannis, kur filluan hetimet kundër Pontës për korrupsion, por u bllokuan nga shumica parlamentare. Iohannis kritikoi kryeministrin Ponta për pengimin e drejtësisë dhe kërkon dorëheqjen e tij. Tani i ka përsëritur kërkesat.

Mashtrim prej 800.000 eurosh

Në procesin e ri kundër kryeministrit bëhet fjalë për fatura të cilat Ponta i ka nënshkruar para tetë vitesh në kohën kur ishte bashkëpunëtor i një kancelarie avokatësh të mikut të tij partiak Dan Sova, për këshillimin e dy sipërmarrjeve shtetërore për energji. Prokuroria vlerëson se dëmi i shkaktuar kap shifrën prej 800.000 euro. Dyshohet se Ponta i ka bërë 17 fatura pa punuar fare. Gjatë kontrolleve financiare është konstatuar se ai i ka manipuluar më pas raportet për të justifikuar këto pagesa.

Por ky proces nuk është shkaku i vetëm pse tani kërkohet "Pontexit". Diskutime shumë të fuqishme ka shkaktuar mungesa e tij njëmujore nga vendi. Pas bërjes publike të fajësimeve Ponta ëshë zhdukur dhe ka shkuar në Baku, ku si i vetmi lider i vendeve të BE-së, është vënë në anën e presidentit të Rusisë Vladimir Putin, së bashku me presidentët e Turqisë dhe Bjellorusisë Recep Tayyip Erdogan dhe Aleksander Lukashenko, në hapjen e lojërave të Evropës. Nga Azerbajxhani Ponta ka fluturuar me avionë për në Turqi, për të operuar gjurin. Ponta nuk e ka informuar presidentin Iohannis për këto udhëtime.

Victor Ponta
Victor PontaFotografi: Getty Images/AFP/D. Mihailescu

Ponta kthehet pas një muaji

Në fund të javës së kaluar Ponta është kthyer në Bukuresht dhe me një letër i ka informuar shokët e tij socialdemokrat se përkohësisht heqë dorë nga drejtimi i partisë, siç thotë ai: për të evituar dëmtimin e partisë. Imazhi i kryeministrit - por edhe i partisë së tij social-demokrate - kaherë ka nisur të dëmtohet. Nga një komision i pavarur universitar është konstatuar plagjiatura e titullit të tij doktor shkence. Më pas një komision i urdhëruar nga ai ka pezulluar vendimin e komisionit universitar. Ndërsa Ponta në fund hoqi dorë vet nga ky titull. Në verën e vitit 2012 ai kishte nisur një proces për largimin e presidentit të atëhershëm Traian Basescu nga posti, por dështoi shumë keq. Në nëntor të vitit 2014 humbi papritur zgjedhjet presidenciale nga Klaus Iohannis.

Monica Macovei
Monica MacoveiFotografi: Monica Macovei

"Tradhëtia"

Ish-ministrja e Drejtësisë, tani eurodeputete, Monica Macovei, thotë se mbetja e Pontës në krye të qeverisë "paraqet një akt tradhëtie dhe diskretimi të Rumanisë“. Besimi i vendeve partnere ka ndaj Rumanisë është zbehur dhe po zbehet çdo ditë e më shumë. Partia e tij ende është duke e mbështetur. Në fillim të vitit Ponta ka deklaruar se do të mbetet në këtë post deri në nëntor të vitit 2016. Organet juridike duhet të vendosin nëse kështu do të jetë.