17.000 aksionarë padisin Telekomin
25 Janar 2012Thuhet të bëhet fjalë për vlerësime të gabuara pasurish të patundshme dhe për plane blerjesh, që synohej të mbaheshin të fshehta. Dhe veçanërisht fjala është për një kurs aksioni të rënë me shpejtësi.
Procesi më i madh gjyqësor i investuesve në Gjermani hyn të mërkurën në një raund të ri: Para rreth 15 vjetësh Deutsche Telekom u indeksua në bursë. Në gjithsej tri raundet e bursës të Telekomit qindra mijëra vetë investuan para në aksionin e kësaj shoqërie, aksion i cili pësoi një rënie të shpejtë. Aksionarët e vegjël po luftojnë prej vitesh për zhdëmtim. Një gjë është e qartë në këtë mes, thotë avokati dyseldorfas Friedrich Isenbart: Investuesit kishin shpresa të tepruara te T-Aktie (aksioni T = Telekom), e quajtur edhe "aksion popullor". Si aksione popullore emërtohen aksione, që në kuadër të privatizimeve (të pjesshme) të një sipërmarrjeje u shiten qëllimisht investuesve të vegjël. "Duhet mbajtur parasysh që edhe një aksion popullor është një aksion normal. Dhe aksioni është një letër me vlerë, që bart rrezik, i nënshtrohet luhatjeve të vlerës. Edhe në rastin e T-Aktie nuk ishte ndryshe. As në broshurën e bursës të aksionit të Telekomit nuk është fshehur, që mund të shfaqen luhatje vlere."
Deklarata të rreme dhe humbje
Mirëpo në procesin gjyqësor është fjala për më shumë sesa vetëm për humbje kursi. Telekomi akuzohet për deklarata të rreme në broshurë në raundin e tretë të daljes në bursë në vitin 2000. A është paraqitur drejt pasuria e patundshme e Telekomit në broshurën e bursës? Kjo është njëra pyetje. Një tjetër pyetje është: A duhet të ishte përmendur blerja miliardëshe, asokohe e planifikuar, por ende e papërfunduar, e firmës amerikane të telefonisë mobile Voice-Stream? Parimisht, thotë avokati Isenbart, aksionarët mund të kërkojnë zhdëmtim, kur të dhëna thelbësore në broshurën e bursës janë të pasakta dhe jo të plota. "Për këtë nuk diskutohet në këtë rast. Duhet thënë se për broshurën nuk është përgjegjës (e detyrimisht edhe me përgjegjësi për zhdëmtim) vetëm emetuesi vetë, pra Telekomi, po edhe autorët e vërtetë të broshurës; e autorë të vërtetë të broshurës mund të jenë anëtarët e kryesisë dhe të instancës këshilldhënëse, ata të këshillit mbikëqyrës, të paktën në ato raste, kur ekziston një interes biznesi në këtë emetim."
Që procesi në Gjermani të përfundojë shpejt, për këtë duhet dyshuar. Nuk ka vetëm instanca të tjera, të cilave mund t'u drejtohen. Më shumë se 17.000 aksionarët e vegjël përfaqësohen nga rreth 900 avokatë. Për gjykatën kjo është edhe një detyrë mjaft e madhe logjistike.
Autor: Monika Lohmüller/Elert Ajazaj
Redaktoi: Angjelina Verbica