1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Afrim me hapa breshke

Cili do të jetë partneri i Unionit kristiandemokrat e kristian social për krijimin e qeverië së ardhshme gjermane. Edhe pas takimit të dytë të përfaqësuesve socialdemokratë me Unionin CDU/CSU nuk ka një përgjigje.

Kur përfaqësuesit e CDU/CSU-së dhe ata socialdemokratë hynë në sallën e Shoqërisë Parlamentare në Berlin të hënën pasdite, dihej që ky do të ishte një takim me orë të zgjatura. Lista e temave që kishin vënë në axhendë palët dialoguese të një koalicioni të mundshëm ishte e gjatë, aq e gjatë, sa me sa duket ishte e vështirë që ajo të ezaurohej brenda këtij takimi. Nga mesnata, pas tetë orë negociatash, të dyja palët ranë në ujdi që seanca tjetër të vazhdojë të enjten. Nga ky takim pritet përgjigja përfundimtare për pyetjen nëse ekziston baza për krijimin e një koalicioni. Kreu i partisë kristiansociale, Horst Seehofer theksoi paraprakisht se me kë do të zhvillohen bisedimet e ardhshme varet nga ecuria e raundit të dytë të negociatave me partinë e Gjelbër të martën, Për CSU-në çështja e koalicionit mbetet e hapur.

Pa detaje

Në foto, Alexander Dobrindt

Në foto, Alexander Dobrindt

Asnjëra nga palët, si socialdemokratët e partia kristiandemokrate e kristiansociale nuk donte të bënte publike detaje lidhur me takimin e dytë. Sekretari i Përgjithshem i CDU-së, Hermann Gröhe bëri fjalë për "bisedime intensive dhe objektive", ku u vunë re edhe "pozicionet që na ndajnë." Ndërsa Sekretari i Përgjithshëm i CSU-së, Alexander Dobrindt e plotësoi politikanin kristiandemokrat me fjalët: "Ka shumë mjegull para nesh, që shpresojmë të hapet për ne ditët e ardhshme."

Edhe Sekretarja e Përgjithshme e socialdemokratëve, Andrea Nahles nuk u shpreh më konkretisht. Kemi folur për tema nga më të ndryshmet dhe testuam se "cilat temat përmbajnë potencial konflikti". Megjithatë ajo vlerëson se kjo bisedë solli më shumë qartësi për pozicionet ku ndodhet të dyja palët. Lidhur me pyetjen nëse ajo do t'i rekomandonte partisë së saj në këtë moment futjen në një koalicion me CDU/CSU-në, Nahles u përgjigj me një "Jo" të shkurtër.

Kompromis i vështirë

Duket qartë se të dyja partitë, si CDU/CSU ashtu edhe socialdemokratët duhet të afrojnë më shumë pozicionet nëse duan koalicionin e madh. Një gjë është e qartë: Të dyja palët duhet të bëjnë kompromise. Këtu bën pjesë si rritja e tatimit për të ardhurat e larta, futja e pagës minimale, shfuqizimi i asistencës për fëmijët që nuk gjejnë vende në kopsht - kërkesa këto të socialdemokratëve. Andrea Nahles kishte bërë të qartë se partia e saj kërkon një pagë minimale prej 8,5 euro.

Në foto, Andrea Nahles

Në foto, Andrea Nahles

Ndërsa tek Unioni nuk janë të paktë ata që besojnë se shteti nuk duhet të përzihet në marrëdhënien mes punëdhënësit dhe punëmarrësit. Horst Seehofer në këtë çështje nuk ka dhënë shenja të një gatishmërie për kompromis. Politikani kristiansocial u shpreh para mediave se Unioni CDU/CSU është fitues i zgjedhjeve, dhe është detyrimi i tij para zgjedhësve që të përmbushë objektivat politikë të premtuar. Por politikanët e Unionit e dinë se në këtë pikë socialdemokratët nuk do të bëjnë kompromis. Të dielën e ardhshme ata zhvillojnë konventën e partisë me 200 të deleguar, ku do të vendoset nëse socialdemokratët do të futen në negociatat e koalicionit. Nëse kreu socialdemokrat, Sigmar Gabriel nuk do t'u ofrojë të deleguarve diçka konkrete, atëherë delegacioni i socialdemokratëve rrezikon të marrë një "Jo" të qartë për koalicionin e madh.