1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Afrim i fuqive atomike? - India dhe Pakistani

Të dielën kreu i Pakistanit Zardari dhe ai i Indisë Singh do të hanë drekë së bashku. Zardari qëndron privatisht në Indi dhe vizita s'është shtetërore. Por krerët e dy vendeve takohen për herë të parë që nga viti 2005.

Presidenti pakistanez Zardari dhe kryeministri indian Manmohan Singh

Presidenti pakistanez Zardari dhe kryeministri indian Manmohan Singh

Mes Indisë dhe Pakistanit ka vetëm një kalim kufitar, i cili mund të kalohet edhe në këmbë. Normalisht këtu është djerrinë. Meqë vendet e armiqësuara mezi i japin viza palës tjetër, këtu për ditë gati 10 mijë vetë kalojnë kufirin. Por kohët e fundit këtu po ndryshon diçka.

Fazë përmirësimi

Kamionët presin në rreshta të gjatë për të kaluar kufirin. Në të dy anët. Indianët kanë për shembull të ngarkuar qepë dhe patate, pakistanezët, me më shumë ngjyra, kanë të ngarkuar tulla, apo çimento. Tregtia e dy armiqve të betuar, të armatosur me armë bërthamore, duket se po ringjallet me ngadalë. Dhe të shkëmbesh mallra dihet se është më mirë për marrëdhëniet ndërshtetërore, sesa fjalët e këqia:

"Unë mendoj se ata kanë hyrë në një fazë përmirësimi. Për shkak të përparimeve në çështjet ekonomike. Kjo do të thotë se pakistanezët janë të gatshëm të reduktojnë disa nga barrierat në mendjet e tyre, sa i përket marrëdhënieve me Indinë. Nëse kjo vazhdon, do të ishte me siguri e dobishme", thotë ish sekretari i shtetit në Ministrinë e Jashtme indiane, Kanwal Sibal. Duhet të mendoni se në çfarë niveli për të të ardhur keq ndodhen ende marrëdhëniet ekonomike. Për shembull vetëm 0.1% e importeve indiane vijnë nga Pakistani fqinj. Edhe sikur shifrat të përmirësohen në të ardhmen, ish diplomati Sibal mbetet skeptik në intervistë me studion e kanalit të parë gjerman ARD në Azinë jugore. "Të supozosh se rritja e tregtisë përkthehet një me një me përmirësimin e marrëdhënieve politike, është gabim: Kina është bërë partneri ynë më i rëndësishëm tregtar, përsa i përket shkëmbimit të mallrave. Por problemet tona politike me Kinën nuk janë zvogëluar. Ata madje janë theksuar, sidomos në kufi.

Hafiz Mohammad Saeed, kryetari i grupit militant pakistanez Lashkar-i-Taiba

Hafiz Mohammad Saeed, kryetari i grupit militant pakistanez Lashkar-i-Taiba

"Të behemi miq nuk është aq e lehtë. Pikërisht për shkakun se mbajmë me vete shumë bagazh historik. Për Pakistanin ndoshta është pak më e vështirë. Po edhe në Indi ka nacionalistë hindu, që i konsiderojnë fqinjët e tyre si mishërimin e së keqes. Por ata janë aktualisht shumë më të tërhequr se ekstremistët në Pakistan: Islamistët në Pakistan muajt e fundit kanë dalë rregullisht për të protestuar në rrugë. Programi i tyre për të shpëtuar vendin nuk është shumë i plotë. Ai në thelb përbëhet nga dy pika: Ndërprerja e marrëdhënieve me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Indinë:

Presioni i rrugës ia bën të vështirë qeverisë pakistaneze, e cila gjithsesi nuk ka popullaritet, të bëjë afrime të mëdha me Indinë. Dhe indianët janë të traumatizuar nga sulmet terroriste në vendin e tyre, në rradhë të parë nga masakra në Mumbai në fund të vitit 2008. Organizatorët janë identifikuar në mënyrë të përsëritur në Pakistan. Prandaj India ndjek gjithnjë me shqetësim proceset në vendin fqinj, i cili duket se ecën në mënyrë kronike buzë greminës.

Rritje e radikalizmit dhe ekstremizmit islamik në Pakistan

Sulmi terrorist në Mumbai, 29 nëntor 2008

Sulmi terrorist në Mumbai, 29 nëntor 2008

Ajo, që sjell shqetësim, është rritja e radikalizmit dhe ekstremizmit islamik në vend. Që do të bëhej një problem edhe më i madh, nëse nesër talebanët në Afganistan do të merrnin pushtetin. Pastaj hapësira e lëvizjes për grupe dhe ideologji të tilla do të zgjerohej, saqë do ta rrezikonin shtetin pakistanez."

Shumë varet nga fakti, se sa i qëndrueshëm mbetet vetë Pakistani dhe sa ndryshon situata në Afganistan. Sepse një gjë është e qartë: Me një sulm të ri, të madh në Indi, gjurmët e të cilit do të arrinin në Pakistan, afrimet e kujdesshme do të shkatërroheshin menjëherë. Në këtë rast vëzhguesit druhen nga e keqja më e madhe.

Kai Küstner/Angjelina Verbica

Redaktoi: Aida Cama