1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Ish-menaxheri i Trumpit Manafort i paditur për komplot

30 Tetor 2017

Akuza të rënda të hetuesit të posaçëm të SHBA kundër ish-menaxherit të fushatës elektorale të Donald Trumpit, Paul Manafort: bëhet fjalë për bashkëpunim ilegal me Rusinë.

https://p.dw.com/p/2mmA6
USA - Ermittlungen zur Russland-Affäre - Paul Manafort
Fotografi: picture alliance/AP Photo/C. Kaster

Paul Manafort, ish-shefi i fushatës elektorale të Presidentit aktual të SHBA, Donald Trump, është paditur në aferën e Rusisë për komplot kundër SHBA dhe dyshimit për larje parash. Siç bëri të ditur një zëdhënës i hetuesit të posaçëm, Robert Mueller, akuza e ngritur nga një gjykatë apeli përmban gjithsej 12 pika. Në to bën pjesë edhe akuza për deklarime të rreme dhe për fshehje të llogarive bankare të huaja. Në këtë aferë bëhet fjalë për dyshimin e bashkëpunimit ilegal midis menaxherëve të fushatës së Trumpit dhe qeverisë ruse.

Stacioni televiziv CNN tregoi fotografi me 68 vjeçarin Manafort, që i shoqëruar nga një avokat hyri në ndërtesën e FBI-së në Uashington. Ish-këshilltari i Presidentit plotësoi me këtë një kërkesë të autoriteteve të drejtësisë, për t'u paraqitur menjëherë dhe me sa duket donte të shmangte një arrestim në shtëpinë e tij.

Padi u ngrit edhe kundër partnerit të vjetër të biznesit, Rick Gates. Manafort dhe Gates mendohet se kanë fshehur shuma milionëshe, të cilat i patën fituar me punën për ish-Presidentin e Ukrainës, Viktor Janukoviç dhe për partinë e tij proruse.

Këto janë akuzat e para që bëhen në kuadër të së ashtuquajturës Russian Connection. Dyshimi është se janë bërë marrëveshje ilegale midis kampit të Trumpit dhe qeverisë ruse. Muelleri ka të drejtë të ndjekë çdo lloj dyshimi që shfaqet në hetimet e tij.

Organizator me kontakte të errëta?

Manaforti ka punuar për shumë vite si lobiist për porosidhënës të huaj. Midis qershorit dhe gushtit 2016 ai drejtoi fushatën elektorale të Trumpit. Arrestimi i Manafortit konsiderohet një shkallëzim i rëndësishëm i situatës në hetimet e Mueller-it. Kështu edhe spekulohet që FBI-ja mund ta bindë ish-menaxherin e fushatës elektorale që në këmbim të zbutjes së dënimit, të japë informacione të ndryshme për aferën e Rusisë.

Presidenti Trump u shpreh me përçmim në një sërë twitesh për hetimet. Akuza e paraqitur tani ka lidhje me procese që kanë ndodhur "shumë vjet" më parë, u shpreh ai. Ato kanë të bëjnë me një periudhë, në të cilën Manaforti ende nuk punonte për ekipitin e tij. Më parë ai qe ankuar për një gjah shtrigash. "Të gjitha këto historitë "ruse" ndodhin pikërisht atëherë, kur republikanët duan të nisin një ulje historike të taksave", u ankua ai.