1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Afera e Kundusit preokupon dyfish Bundestagun

Pak ditë pas zgjatjes së mandatit të trupave gjermane në Afganistan, Parlamenti u morr dje sërish me këtë temë. Sulmi ajror i 4 shtatorit në Kundus, ku u vranë 142 veta, preokupoi dyfish Bundestagun.

default

Sa kanë ditur dhe çfarë kanë heshtur? Karl-Theodor zu Guttenberg dhe Franz Josef Jung

Afera e Kundusit është kthyer në një mjet të fuqishëm të opozitës për të sulmuar qeverinë, e sidomos ministrin e mbrojtjes Karl-Theodor zu Guttenberg. "Pyetja është shumë e thjeshtë dhe ajo mund të përgjigjet me po ose jo. A ka thënë ministri i Mbrojtjes këtu në Parlament të vërtetën apo jo?", deklaroi ndër të tjera kryetari i grupit parlamentar të socialdemokratëve Frank Walter Steinmeier.

Fjala është për deklaratën e Guttenbergut më 6 nëntor të këtij viti. Ai sapo ishte zgjedhur ministër i Mbrojtjes dhe e quajti sulmin e datës 4 shtator "adekuat për nga pikëpamja ushtarake". Tri javë më vonë Guttenbergu e korrigjoi këtë mendim, me justifikimin se vetë kishte qenë i dezinformuar dhe shkarkoi inspektorin e përgjithshëm të ushtrisë gjermane si dhe sekretarin e shtetit. Ish-ministri i Mbrojtjes Franz Jozef Jung mori përsipër përgjegjësinë dhe dha dorëheqjen, nga posti i ministrit të Punës.

Opozita kërkon sqarime të tjera

Deutschland CSU Karl-Theodor zu Guttenberg in München

Opozita kërkon zbardhje të plotë...

Por opozita nuk është mjaftuar me kaq. Të mërkurën komisioni parlamentar për çështje të mbrojtjes u shndërrua në komision hetimor. Ai do të hetojë jo vetëm politikën informuese të Ministrisë së Mbrojtjes, por edhe vetë bombardimin. Opozita dyshon se bombardimi ka qenë i qëllimshëm, madje i planifikuar.

"Zoti zu Guttenberg, ju nuk keni liçencë për të vrarë! Vrasja me qëllim është një dënim me vdekje, pa vendim gjyqi", deklaroi deputeti i majtë, Jan van Aken, në debatin parlamentar.

Guttenbergu vetë u bëri thirrje opozitarëve që ta trajtonin çështjen me objektivitet dhe jo mbi shpinën e ushtarëve. Opozita do të dëshironte ta merrte menjëherë në pyetje Guttenbergun dhe kancelaren Angela Merkel, e cila deri tani ka preferuar të heshtë. Por deputetët e pozitës, duan t'i vënë ata në fund të listës, që ka rreth 40 dëshmitarë.

"Ne duam ta zbardhim situatën nga poshtë deri lart. Kjo do të thotë, se ne nuk do ta pyesim Kancelaren që në fillim, por në fund, pasi të jenë sqaruar shumë gjëra", tha kryetari i grupit parlamentar të kristiandemokratëve e kristainsocialëve në komisionin hetimor, Ernst-Reinhard Beck.

Komisioni do të fillojë me marrjen e dëshmitarëve në pyetje në janar të vitit të ardhshëm dhe pritet të zgjasë një vit. Pritet që pozita do të përpiqet të vërë para përgjegjësisë edhe ish-ministrin e Jashtëm, Frank Walter Steinmeier.

Autor: Anila Shuka

Redaktoi: Bahri Cani

  • Data 17.12.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/L63k
  • Data 17.12.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/L63k