Aeroporti i ri i Berlinit në fokus të kritikës
18 Shkurt 2013Në aeroportin e ri të Berlinit duhet të riparohen më shumë se 20 000 defekte. Gazeta "Bild am Sonntag" e cila i raporton këto shifra u referohet qarqeve nga Bordi Mbikqyrës. Po kjo shifër është megjithatë mashtruese dhe pa asnjë domethënie, tha një zëdhënës i aeroportit për agjencinë gjermane të lajmeve, dpa. "Problemi mbetet mbrojtja ndaj zjarrit" - tha ai duke shtuar se "tani po bëhen një përmbledhje e të gjitha pikave të rëndësishme që do të paraqiten në raportin e progresit."
Që të mërkurën e kaluar në një konferencë shtypi ishte folur për raportin e progesit si dhe për rreth 20 000 defekte që janë konstatuar. Por në to përfshihen edhe defekte të vogla, të tilla si p.sh. pllaka të thyera. Tani në raportin e progresit do të bëhet një kategorizim i problemeve dhe i defekteve nga A (prioritet i lartë) deri në D (prioritet i ulët).
"Qëllimi është transparenca totale në lidhje me përparimin e punimeve. Ne nuk duam që të dokumentohen vetëm fatkeqësitë dhe problemet, por edhe që ato të mënjanohen", tha për gazetën «Bild am Sonntag» Rainer Bomba (CDU), anëtari i bordit mbikqyrës dhe sekretar shteti pranë Ministrisë Federale të Transportit.
Hapja e aeroportit u anulua në janar për herë të katërt për shkak të problemeve teknike, defekteve në ndërtim dhe pasojave të planifikimeve të gabuara. Probleme të veçanta ka sistemi i mbrojtjes nga zjarri. Deri në qershor ose korrik pritet një inventar për të planifikuar se çfarë punimesh shtesë duhen bërë në terminal.
Ekspertët parashikojnë se aeroporti i ri i Berlinit mund të hapet ndoshta në vitin 2014.