A u është zhdukur gjermanëve gjeni i themeluesit?
7 Korrik 2016Futurologët amerikanë kanë formuluar për të ardhmen këtë vizion: dikur do të ketë një pjesë të vogël njerëzish të paguar mirë, që do t'u tregojnë kompjuterave çfarë të bëjnë, dhe pjesa tjetër e paguar keq që do të përbëhet nga njerëz që duhet të bëjnë atë që u thotë kompjuteri.
Natyrisht, vizione të tilla prodhojnë frikëra. Ato janë difuze, drejtohen kundër globalizimit, kundër të huajve, kundër refugjatëve, kundër pushtetit të kompanive të internetit dhe kështu me radhë. Populistët në gjithë Evropën i ushqejnë këto frikëra - përfshirë dhe frikën e humbjes së punës: nesër mund të më zëvendësojë një kompjuter apo robot.
Vizione të gabuara
Shumë ekspertë janë të mendimit se ideja që transformimi digjital i shoqërisë mund të sjellë asgjësimin e vendeve të punës, është e gabuar. Michael Hüther, drejtor i Institutit për Kërkime Ekonomike vë në dukje se numri i vendeve të punës me kualifikim të ulët në Gjermani është rritur shumë më fuqishëm nga viti 1999 deri në vitin 2011 se sa numri i profesioneve teknike dhe akademike.
Natyrisht, kjo tendencë lidhet pjesërisht me zhvillimin demografik: një popullsi në plakje ka nevojë, për shembull, për më shumë infermierë. Por kjo mund të shihet edhe si produkt i transformimit digjital, se në fund të fundit Amazon dhe mijëra portalet tregtare online kanë krijuar shumë vende të reja pune në sektorin e transportit dhe të logjistikës.
Gara digjitale
Për shumicën e shkencëtarëve pra nuk shtrohet pyetja se sa vende pune do të asgjësohen prej transformimit digjital të shoqërisë, por se sa të tilla do të zhduken në rast se ky transformim nuk bëhet shpejt dhe me themel.
Sipas Isabell Welpe, e cila punon në katedrën për Strategji dhe Organizim në Universitetin Teknik të Mynihut, firmat gjermane nuk janë në nivelin e duhur në garën digjitale. Dikur para 100 apo 120 vjetësh gjermanët themelonin firma të ndryshme dhe patentonin produkte si ato të sipërmarrjes Bosh apo Siemens. Sot ka pak sipërmarrje në sektorin e teknologjisë digjitale.
Ka humbur gjeni i themeluesit
Themeluesit e sotëm janë të rinj amerikanë apo kinezë dhe ata përdorin të ashtuquajtura teknologji disruptive që shkatërrojnë degë të tëra, si p.sh. formati mp3 në industrinë e muzikës që u dha fund kasetave apo shiritëve klasikë.
Isabell Welpe thotë se duket se gjermanëve u ka humbur gjeni i themeluesve të firmave, por kjo nuk lidhet me aftësitë teknike të themeluesve të firmave gjermane.
Ajo që i dallon themeluesit kinezë apo amerikanë nga ata gjermanë apo evropianë, thotë Isabell Welpe është se "ata janë të fokusuar tek klienti dhe te nevojat e tij, ata i kontrollojnë mirë proceset e punës dhe lënë vend për kreativitet dhe origjinalitet, dhe në vend të inovacionit in teknik ata përqëndrohen tek inovacionet e modelit të biznesit. Kështu p.sh. Airbnb është sot ofruesi më i madh i dhomave në botë pa pasur vetë asnjë hotel.
Analisti i Deutsche Bank u rekomandon firmave gjermane që në këtë situatë të mendojnë më tepër për krijimin e rrjeteve mes tyre dhe të marrin shembull nga strategjitë e amerikanëve për monetarizimin.