1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

A mund ta shpëtojë turizmi Greqinë?

Jannis Papadimitriou / Bahri Cani3 Shtator 2013

Turizmi në Greqi ka shënuar rritje të mëdha. Autoritetet greke shpresojnë se me këtë degë do të ndihmohet vendi të dal nga kriza.

https://p.dw.com/p/19agV
Pamje nga ishulli NaxosFotografi: picture-alliance/Rainer Hacken

Andreas Andreadis është një biznesmen i cili e shpreh hapur mendimin e tij. Vitet e kaluara ka dhënë disa intervista në të cilat ka falënderuar kancelaren gjermane Angela Merkel për presionet që po i bën Greqisë për reforma. Ai ka pasur probleme serioze me biznesin e vet, por presidenti i Shoqatës së turistëve grekë (SETE) këtë vit mund të jetë shumë më i kënaqur. Sipas të dhënave të deritanishme, turizmi grek ka shënuar rezultate më të mira se kurrë më parë, duke i'u falënderuar turistëve të huaj.

Në foto Jorgos Nikitiadis, sekretar shteti në ministrinë e Turizmit dhe Andreas Andreadis
Në foto Jorgos Nikitiadis, sekretar shteti në ministrinë e Turizmit dhe Andreas AndreadisFotografi: DW

"Qëllimi ynë është që të kemi 17 milionë vizitorë në vit dhe sipas të gjitha gjasave ky numër do të tejkalohet", thotë Andreadis. Kjo do të thotë se turizmi grek ka shënuar një rritje prej 10 % në krahasim me vitin 2012, duke mos llogaritur turistët që vijnë me anije të mëdha dhe vazhdojë rrugën. Sipas të dhënave të Bankës Qendrore greke, të ardhurat nga turizmi janë shtuar këtë vit për 18 %, thotë ai.

Për herë të parë prej fillimit të krizës në këtë vend janë shtuar edhe turistët gjermanë që shkojnë në Greqi. Vlerësohet se gjatë këtij viti e kanë vizituar Greqinë 15 % më shumë turistë nga Gjermania, në krahasim me një vit më parë. Ndërkohë që grekët po përpiqen të përfitojnë edhe tregje të reja. Duket me sukses, sepse është shtuar deri në një milion numri i turistëve nga Rusia dhe Ukraina. Ndërsa nga Turqia fqinje kanë ardhur për herë të parë në Greqi më shumë se 800.000 vizitorë.

Shumica e grekëve nuk bëjnë pushime

Nga ana tjetër, shumica e grekëve nuk mund të shkojë për pushime në ndonjë hotel në vendin e vet. Për shkak të kursimeve, gati 60 % e grekëve nuk kanë shkuar askund për pushime, ose kanë shkuar për disa ditë tek të njohurit apo tek familjarët.

Pamje nga qyteti Kastoria në Greqi
Pamje nga qyteti Kastoria në GreqiFotografi: Fotolia/ollirg

Rënia e numrit të turistëve të brendshëm është problem serioz, thotë Andreas Andreadis. Prej vitit 2008 është përgjysmuar niveli i qarkullimit të turistëve grekë, që do të thotë se gjatë një viti ata shpenzojnë tani vetëm 1,5 miliardë euro. Ndërkohë që të ardhurat nga turistët e huaj gjatë këtij viti kanë qenë rreth 11,5 miliardë. "Shikuar nga aspekti ekonomik, është shumë me rëndësi që të shtohet numri i turistëve nga vendet e jashtme, sepse kjo ndikon drejtpërsëdrejti në ekonominë vendore", mendon Andreadis, i cili është pronar i një hoteli luksoz në gjysmëujdhesën Chalkidiki.

Nëse trendi pozitiv vazhdon, turizmi mund të shndërrohet në një prej shpëtuesve më të suksesshëm të Greqisë së zhytur në krizë, e cila për gjashtë vite me radhë është në recesion. Që tani turizmi sjellë rreth një të pestën e prodhimit të brendshëm vendor. Në këtë mënyrë është shndërruar krahas qarkullimit të anijeve dhe bujqësisë, në një prej tri boshteve më të rëndësishme të ekonomisë së këtij vendi.

Turizmi si motor i rritjes ekonomike

Nëse turizmi metë vërtetë do të shndërrohet në një motor zhvillimi i cili mund ta nxjerrë vendin nga kriza mbetet të shihet. Kryeministri Antonis Samaras beson se kjo mund të ndodhë: "Ne duhet të mbijetojmë këtë verë, ndërsa prej shtatorit ekonomia jonë do të shënoj rritje", premtoi ai në fund të vitit 2012.

Pamje nga qyteti Kastoria në Greqi
Pamje nga qyteti Kastoria në GreqiFotografi: AP

Por Thanassis Mavridis, analist ekonomik dhe drejtor i faqes së internetit capital.gr, mbetet skeptik: "Ekonomia jonë ka nevojë për sukses, për një degë që jep shpresë. Rritja e turizmit vjen në kohën e duhur, por nuk ka asnjë shkak për festime të mëdha". Turizmi ka shënuar rritje, por Greqia mbetet pas mundësive të saj dhe këtu nuk mund të ndihmojë as kjo degë, mendon Mavridis.

Nëse turizmi me të vërtetë do të shndërrohet në motor zhvillimi për Greqinë, nuk dihet, sepse shteti është ai i cili duhet të krijojë kornizën ligjore për dalje nga kriza, mendon eksperti për ekonomik. Të gjithë flasin për nevojën e zgjatjes së sezonit turistik por askush nuk po bën diçka konkrete. Në këtë drejtim mund të ndihmojë edhe tregu i imobilieve që mund të shfrytëzohen në kohën e pushimeve jashtë sezonit. "Për shkak të pasigurisë juridike për pronarët e shtëpive, shumë investorë nuk janë të gatshëm të ivenstojnë në ndërtimin e tyre. Spanja dhe Turqia kanë bërë më shumë në këtë drejtim, sepse shumë shtëpi u janë shitur të huajve."

Greqia dhe kriza në Lindjen e Mesme

Këtë vit sezoni turistik megjithatë do të vazhdojë, mendojnë ekspertët. Shkaku është kriza në Lindjen e Mesme dhe trazirat në Egjipt dhe vendet e tjera të këtij rajoni. Ndaj në Greqi shpresojnë se numri i turistëve do të shënoj rritje edhe në shtator dhe tetor. I këtij mendimi është edhe kryetari i Shoqatës së turistëve grekë, Andreas Andreadis. Por efektet pozitive të krizës në Lindjen e Mesme për Greqinë mund të jenë vetëm afatshkurtëra. "Ndërhyrja eventuale në Siri do ta dëmtojë edhe turizmin grek. Problemet për fqinjët tanë me siguri që nuk mund të jenë në të mirën tonë", thotë ai.