1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

A flasin serbët shqip? Po shqiptarët serbisht?

Refki Alija / Esat Ahmeti6 Korrik 2012

Sipas Kushtetutës, gjuha shqipe dhe serbe janë gjuhë zyrtare në mbarë Kosovën. Por çfarë mendojnë për gjuhën serbe të rinjtë shqiptarë dhe çfarë ata serbë për gjuhën shqipe? Çfarë duhet bërë për të mënjanuar barrierat?

https://p.dw.com/p/15Se7
Fotografi: picture-alliance/dpa

Të rinjtë serbë në jug të Ibrit nga dita në ditë janë gjithnjë e më pragmatikë. Ata po e kuptojnë se njohja e gjuhës shqipe është përparësi por edhe domosdoshmëri për të mbijetuar, bërë tregti apo për të gjetur një vend pune në institucionet kosovare. Damir Stoilkoviq, student i vitit të tretë të historisë në Universitetin e Mitrovicës nuk e di gjuhën shqipe por do të kishte dëshirë ta mësonte atë: "Unë do të lajmërohesha nëse do të organizohej ndonjë kurs për mësimin e gjuhës shqipe. Në këtë mënyrë së pari unë do të përparoja si person dhe së dyti, kjo do të ishte shumë e rëndësishme për punën në të ardhmen . Kjo për faktin se nëse aktualisht ju e dini serbishten, anglishten dhe shqipen atëherë punën e keni 95 për qind e garantuar", thotë Stoilkoviq.

Nevoja për kurse të gjuhës shqipe

Ngjashëm mendon edhe Dejan Vlajkoviq, një punëtor i komunës së sapoformuar të Kllokotit. Njohuritë e tij gjuhësore por edhe të shumicës së qytetarëve shqiptarë nuk janë të mjaftueshme "as për komunikim elementar". Nga ana tjetër: "Shqiptarët janë shumë më të interesuar për të mësuar gjuhën serbe dhe flasin shumë më mirë se sa ne që flasim shqip. Me sa di unë nuk ka pasur kurse për mësimin e gjuhës shqipe. Nuk ka ndonjë interes të veçantë për kurse të tilla. Edhe ata njerëz që e njohin gjuhën shqipe e kanë arritur këtë vetëm falë gatishmërisë së tyre që ta mësojnë atë", thotë Vlajkoviq.

Spasa Andrejeviq ishte në mesin e të kthyerve të parë në Novakë afër Prizrenit. Ai është i punësuar në zyrën komunale për komunitete. "Unë mendoj se e di shumë mirë gjuhën shqipe dhe jam krenar që e di atë. Unë vazhdojë ta mësoj dhe ta përmirësoj edhe më shumë sepse ajo është e nevojshme. Jo vetëm për arsyen se jetoj këtu ku ndodhem. Por sa gjuhë di, aq kam vlerë", thekson Andrejeviq.

Më mjaftojnë gjuha shqipe dhe angleze

Edhe shqiptarët kanë mendime të ndryshme sa i përket njohjes së gjuhës serbe. Numri më i madh i të rinjve nuk e flasin atë, ndërkohë që gjeneratat më të vjetëra e kanë mësuar atë gjatë shërbimit ushtarak, në punë, përmes mjeteve të informimit apo në shkollë. "Unë di serbisht:' Mirëdita - si jeni'. Këtë e kam mësuar në Mal të Zi kur isha refugjat gjatë luftës së Kosovës. Nëse do të më duhej unë do ta mësoja atë. Por serbët kanë kryer gjenocid ndaj shqiptarëve", thotë Alban Kryeziu, nxënës i shkollës së mesme nga Deçani. "Unë nuk besoj se më duhet të mësoj serbisht. Dihet se çfarë na kanë bërë serbët dhe përse duhet të mësoj gjuhën e tyre? Më mjaftojnë gjuha shqipe dhe angleze", thotë Adem Kuçi, student i vitit të dytë në Fakultetin e Biznesit në Pejë.

Në foto: të rinj në një rrugë të Prishtinës.
Asnjë mundësi komunikimi - të rinjtë shqiptarë dhe serbë në Kosovë nuk flasin gjuhët reciprokeFotografi: DW

"Unë mendoj se ne duhet të njohim gjuhën serbe. Atë duhet ta mësojmë edhe në shkollë edhe në fakultet. Kur të kem mbaruar studimet unë do të punoj në ndonjë shtëpi informative dhe nuk as serbisht e as ndonjë gjuhë tjetër sllave. Kjo nuk do të jetë gjë e mirë. Ky është një minus i madh për mua. Por unë nuk kam pasur rastin për të mësuar apo për t'u takuar me gjuhën serbe", thotë Liridona Kryeziu nga Ferizaj, studente e gazetarisë në Universitetin e Prishtinës.

Detyrë e Ministrisë së Arsimit

Sociologu Ismail Hasani, rrënjët e kësaj situate i sheh në ngjarjet e viteve nëntëdhjetë dhe shpërbërjen e ish-Jugosllavisë. Sipas tij ekzistojnë përpjekje si tek njëra ashtu dhe tek pala tjetër për "dominimin" e gjuhës tjetër. Sipas tij, për këtë situatë probleme shtesë janë edhe: "Mospajtimet në mes të adaptimit të planprogrameve të Ministrisë së Arsimit të Republikës së Kosovës në njërën anë me atë çfarë plani i Marti Ahtisarit i mundëson etniteteve - që të ndjekin mësimin në gjuhën e tyre amtare. Nuk ka adaptim të planprogrameve mësimore. Këtu detyrat e tyre duhet t'i përmbushin institucionet, shkollat, dhe kjo është detyrë e Ministrisë së Arsimit të Republikës së Kosovës ", thotë profesori universitar Ismail Hasani.