1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

A ekziston një kulturë evropiane kujtese?

Panagiotis Kouparanis / Eliana Xhani14 Tetor 2013

Libra të përbashkët evropianë për historinë nuk janë realistë, por libra që mbështeten në vlera të përbashkëta po. Institute të historisë nga Evropa folën në Berlin për vështirësitë dhe shanset e punës së tyre.

https://p.dw.com/p/19z8A

Ose hero, ose viktimë, këto janë si rregull imazhet që kanë popujt për veten në vazhdën e historisë. E megjithëse çdo popull "ka mëkate të fshehura, i pëlqen më shumë të zbulojë ato të fqinjit". Në këtë mënyrë figurative historiani polak Andrzej Paczkowski shprehu në Simpoziumin e Dytë Ndërkombëtar të 120 muzeve, fondacioneve, shoqatave, qendrave kërkimore dhe arsimore evropiane, vështirësinë për të shkruar një histori të përbashkët evropiane.

Vërtet ka "vende të përbashkëta ku është zhvilluar historia. Por kujtimet për atë çka ndodhur atje, janë të ndryshme." Megjithatë është e rëndësishme thotë Andrzej Paczkowski, të mos kufizohesh në këndvështrimin tënd ndaj historisë. Duhet të pranohet se edhe popuj të tjerë i vlerësojnë ngjarjet historike nga këndvështrimet e tyre. Por ta pranosh këtë nuk do të thotë të shkruhet bashkarisht historia.

Në foto: Andrzej Paczkowski
Në foto: Andrzej PaczkowskiFotografi: DW/R. Romaniec

Vlera të përbashkëta themelore

Edhe më hapur shprehet kolegu i tij Matthias Weber. Drejtori i Institutit Federal për Kulturë dhe Histori të gjermanëve në Evropën lindore në Oldenburg, paralajmëron ndaj një rënies në një "pajtim evropian të sheqerosur". Ky rrezik do të paraqitej sapo të bëheshin përpjekje për të hartuar një libër shkollor evropian për historinë. Nga ana tjetër është e domosdoshme që të ketë këmbim mendimesh për vlerat themelore evropiane. Në rastin e institucioneve shkencore këtu bën pjesë një punë e pavarur kërkimore.

Për të lëvizur si institucion historik në stadin më aktual të punës shkencore kërkimore, do të thotë jo vetëm të shmangësh stanjacionin, shpjegon Wolf Kaiser, zv/drejtor i muzeut "Konferenca e Wannsee" në Berlin. "Për t'iu kundërvënë instrumentalizimit politik", është e rëndësishme të njihesh si strukturë me baza shkencore. Vetëm me një bazë të tillë është e mundur "të vihen në pikëpyetje mite të krijuara për arsye politike", thotë Wolf Kaiser duke iu referuar Evropës Lindore, Qendrore dhe Juglindore.

Në foto: Matthias Weber
Në foto: Matthias WeberFotografi: DW/P. Kouparanis

Domosdoshmëria e bashkëpunimit ndërkombëtar

Jo vetëm politikës i mungon vullneti për të vënë në pikëpyetje "mite kombëtare" apo për t'u ballafaquar me "pyetjet më të errëta" të së kaluarës së afërt, insiston aktivistja kroate për paqe Vesna Tersheliç. Figura drejtuese e rrjetit "Coalition for RECOM", i cili dokumenton shkelje të të drejtave të njeriut në territorin e ish Jugosllavisë, sheh pak gatishmëri për këtë edhe në shtetet pasuese të federatës.

Për këtë arsye institucione si muzetë dhe vendet përkujtimore por edhe OJQ-të në këto vende, të cilat kanë si objekt të punës së tyre kujtesën, kanë nevojë për mbështetj ndërkombëtare. Vesna Tersheliç kërkon një "platformë të gjerë të përbashkët evropiane në sensin politik", e cila duhet "të mbështesë bashkëpunimin e inisiativave dhe institucioneve dhe të kontribuojë për thellimin e dialogut në vazhdim".

Rëndësinë e bashkëpunimit ndërkombëtar e bën të qartë shembulli i autoritetit rumun për ruajtjen e dosjeve sekrete të kohës së regjimit socialist. Para dy vjetësh mediet informuan se qeveria donte ta mbyllte këtë autoritet. Pas kësaj autoriteti gjerman për ruajtjen e dosjeve të Stasit i shkroi një letër homogolut rumun. Në të kërkoheshin më shumë informacione dhe ofrohej ndihma për protestë publike. Fillimisht nuk ndodhi asgjë, por pastaj erdhi një letër nga Budapesti, kujton drejtori i autoritetit për dosjet e Stasit, Hans Altendorf. Dërguesi ishte jo më pak se kryeministri rumun Victor Ponta. Ai shkruante se kishte dëgjuar për letrën. Ponta siguronte se "zërat nuk ishin të vërtetë dhe se kolegëve rumunë do t'u ofrohej mbështetje edhe në të ardhmen", thotë Hans Altendorf.