220509 Studentenbewegung Stasi
26 Maj 2009Ai është besnik ndaj RDGJ-së, e lëvdonte Ministria e Sigurimit të Shtetit informantin e saj, Karl Heinz Kurras. Kjo lëvdatë nuk bëhej për ndonjë bashkëpunëtor jozyrtar, por për policin e Berlinit Perëndimor, i cili vrau në 2 qershor 1967 gjatë protestave për shkak të vizitës së Shahut Reza Pahlevi, studentin Benno Ohnesorg. Këtë mund ta lexosh në njërën nga dosjet e gjetura rastësisht të shërbimit të fshehtë të RDGJ-së.
Polici Kurras, punonjës i Sektorit të Mbrojtjes së Shtetit të Policisë së Berlinit Perëndimor u supozua se pati vepruar në vetëmbrojtje si polic dhe u shpall i pafajshëm për shkak të mungesës së dëshmive.
Sigurimi i shtetit i RDGJ-së: Nga Perëndimi socializimit t'i shërbesh shumë më mirë
Kurrasi ka pasur me sa duket një jetë të dyfishtë. Në mes të viteve 50-të ai donte të arratisej nga pjesa perëndimore e Berlinit në pjesën lindore. Sigurimi i shtetit i RDGJ-së e bindi që socializmit ai mund t'i bënte shërbime shumë më të mira që nga Perëndimi. Kurrasi nënshkroi një deklaratë angazhimi, u bë me bindje anëtar i partisë shtet, Partisë Socialiste të Unitetit të RDGJ-së, SED dhe që prej atij momenti punonte si polic i çështjeve kriminale në Berlinin Perëndimor. Njëkohësisht ai furnizonte me informacione Ministrinë e Sigurimit të Shtetit të RDGJ në Berlinin Lindor, prej së cilës shpërblehej për bashkëpunimin me kompensime financiare.
Historiani: Jam ndeshur me gjërat më të çmendura, po kurrë sa kjo
Historiani Helmut Myler Enbergs (Müller Enbergs), bashkëpunëtor shkencor pranë zyrës së të Ngarkuarit Federal për Dokumentat e Sigurimit të Shtetit të RDGJ-së, ishte ai që i gjeti dokumentat për Kurrasin: "Unë sa nuk rashë nga karrigia prej habisë. Një gjë të tillë nuk e kam pasur kurrë në tryezën time. Jam ndeshur me gjërat më të çmendura, por që një polic i Berlinit Perëndimor në një pozicion kyç, të marrë nga sigurimi i shtetit i RDGJ-së para për një P38 me silenciator, një armë të kalibrit të vogël - këtë e ndesha për herë të parë në 17 vjet histori të Arkivit të Sigurimit të Shtetit të RDGJ."
Dosjet e "Stasit" nuk bëjnë fjalë për ndonjë vrasje me paramendim të studentit
Në një artikull për vëllimin "Arkivi i Gjermanisë", të cilin e zotëron radioja kombëtare gjermane, Deutschlandfunk, historiani Myler- Enbergs bën vlerësimin e serialit të dosjeve me 17 pjesë të Shtazit për Kurrasin, në të cilin vërtet gjen të dhëna për personin e policit, por jo për vrasjen e 26-vjeçarit Benno Ohnesorg.
Stacionit të Dytë Televiziv gjerman, ZDF, Myler- Enbergs i deklaroi: "Në akte nuk ka të dhëna për këtë. Dhe nuk të duket as bindëse, që ai do të vriste dikë. Ekziston vetëm shënimi se ai do të kishte qenë i gatshëm të kryente një detyrë përkatëse. Por një detyrë e tillë nuk gjendet në dokumenta."
Vdekja e studentit Benno Ohnesorg në vitin 1967 kontribuoi në mënyrë vendimtare në radikalizimin e lëvizjes studentore në fund të viteve 60-të. Në këtë përfundim arrijnë thuajse njëzëri kërkimet e historianëve të Republikës Federale të Gjermanisë. Për sekuencën e ngjarjeve, dokumentat e Shtazit heshtin. Që Kurrasi të ketë vepruar me paramendim, në këtë përfundim nuk mund të arrish në bazë të këtyre dokumentave.
Autor: Jacqueline Boysen/Auron Dodi
Redaktoi: Pandeli Pani