1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

A është afër zgjidhja e krizës politike në Maqedoni?

Ndihmëssekretarja amerikane e shtetit, Victoria Nuland ka thënë se në ditët në vijim mund të pritet një marrëveshje për zgjidhjen e krizës politike në Maqedoni.

Nuland tha se po largohet nga Shkupi e inkurajuar se drejtues të partive politike të përfshira në bisedime do të arrijnë përparim drejt caktimit të një date të zgjedhjeve, për të cilat do të duhet vullnet politik.

“Ditëve në vijim ne shpresojmë se ekipet e përfshira në negociata do të pajtohen me idetë që janë në tavolinë dhe t'u hapin rrugë zgjidhjeve. Do të duhet vullnet. Unë pashë vullnet në takimet në Shkup”, ka deklaruar Nuland. Ajo para gazetarëve ka nënvizuar se mbështet fuqishëm punën e Prokurorisë Speciale Publike.

“Roli i Prokurorisë Speciale Publike është me interes vital për ndërtimin e një sistemi të pastër juridik. Puna e saj është tejet e rëndësishme që ta sjellë sundimin e ligjit, diçka që është e rëndësishme nëse Maqedonia provon të bëhet pjesë e BE-së”, ka theksuar Nuland.

Euroambasadori Aivo Orav thotë se është optimist për aritjen e marëveshjes ditët në vijim. Grupet punuese të katër partive nënshkruese të marveshjes së Përzhinës kanë rifilluar negociatat për pastrimin e listës zgjedhore dhe reformat në media.

“Sapo përfunduam bisedimet. Përfaqësuesit e partive politike do të shkojnë në konsultime plotësuese në kryesitë e tyre partiake. Mendoj se ka përparim në bisedime” është shpreh Orav.

Pas arritjes eventuale të marrëveshjes për Listën zgjedhore dhe reformat në media partitë nënshkruese të marrëveshjes së Përzhinos duhet të merren vesh për qeverinë e re teknike, si dhe për datën përfundimtare të mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.

“Zgjedhje në nëntor, por me kontroll paraprak në gusht se a janë plotësuar kushtet dhe të gjitha vërejtjen nga bisedimet”, kështu vlerëson lideri i opozitës maqedonase, Zoran Zaev.

Analistët : Presioni amerikan sjell rezultate

Analistët politikë të vendit shprehen optimistë se presioni amerikan dha rezultat në terren duke intesifikuar takimet e katër partive nënshkruese të Marrëveshjes së Përzhinës për zhbllokimin e ngërçit politik. Sipas analistit Selim Ibarimi, partitë politike kuptuan se nuk kanë shumë hapësirë për manovrim. Nëntori apo marsi i vitit të ardhshëm sipas Ibraimit mund të jenë data eventuale për mbajtjen e zgjedhjeve.

“Duke i parë disa rrethana rajonale dhe të brendshme në Maqedoni mendoj që nuk ka opsione të tjera. Mendoj që tani është koha e fundit që partitë politike, liderët të mund të tregohen vërtetë liderë, t'i marrin disa nuanca të lidershipit. Ka ngelur konsolidimi ligjor dhe demokratik i Maqedonisë dhe këtu paritë politike dhe liderët duhet të punojnë që deri në vjeshtë t'i përmirësojnë listën zgjedhore dhe kodin zgjedhor”, thotë Ibrahimi.

Sipas analistit Nano Ruzhin partitë politike e kanë kuptuar porosinë e Uashingtonit për rëndësinë e gjetjes së zgjidhjes. Partit janë të vetëdijshme se gabimet eventuale edhe mund të sanksionohen.

“Argumentet amerikane janë të fuqishme.Aktiviteti i partive politike pritet të jetë në përputhje me marrëveshjet pasi ai që do të gabojë nuk do të gëzojë relaksin politik. SHBA kanë instrumente të shumta shpërblyese, por edhe sanksionuese. Andaj mendoj se ky është moment historik për Maqedoninë që të nisë rrugën e tranzicionit demokratik, stabilizimit të shoqërisë, integrimet euroatlantike dhe demokracisë”, thotë Nano Ruzhin.

A është kuptuar mesazhi i ndërkombëtarëve?

Kriza politike në Maqedoni përfundimisht shkon drejt zgjidhjes. Kështu vlerëson profesori universitar, Jove Kekenovski. Sipas tij orët janë të numëruara dhe se nuk ka më tolerancë ndaj politikanëve, të cilët nuk e respektojnë marrëveshjen e Përzhinos.

“Bashkësisë ndërkombëtare i është e qartë se me kë kanë punë dhe se më tepër ata nuk do të lejojnë improvizime apo atë që ndodhi më parë deri tani që të ndodhë edhe në të ardhmen. Në mënyrë subtile, por në mënyrë direkte u është thënë se çka i pret në rast se edhe tani do të mundohen që të bëjnë pengesa“, ka theksuar Kekenovski.

Profesori universitar, Denko Malevski, thotë se diplomatja amerikane Viktroria Nuland iu drejtua me porosi shumë të qartë vetëm liderëve të katër partive nënshkruese të Marrëveshjes së Përzhinos, të cilat kanë peshë dhe ndikim politik që t'i zbatojnë obligimet e marra në marrëveshje dhe me raportin e Pribes.

“Amerikanët janë të vetëdijshëm se forca është te partitë dhe se përgjegjësia është te ato dhe se ashtu siç do të merren vesh ato me faktorin ndërkombëtar se nga këtu do të mund të rrjedhin ato ndryshime që priten prej nesh. Ndërkombëtare nuk mund të pranojnë Maqedoni ndryshe se që ajo të jetë shtet i lirë, demokratik, dhe juridik”, vlerëson Malevski.