1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

746 vjet burg për “Grupin e Kumanovës”

2 Nëntor 2017

Gjykata Themelore e Shkupit ka dënuar me gjithsej 746 vjet burg pjesëtarët e "Grupit të Kumanovës" të akuzuar për terrorizëm për luftimet më 9 dhe 10 maj 2015.

https://p.dw.com/p/2mvVG
Symbolbild Justiz Richter Gericht Richterhammer
Fotografi: picture-alliance/dpa/U. Deck

Gjykata Themelore e Shkupit ka dënuar me gjithsej 746 vjet burg pjesëtarët e "Grupit të Kumanovës" të akuzuar për terrorizëm për luftimet më 9 dhe 10 maj 2015, kur u vranë 10 pjesëtarë të forcave policore dhe 8 anëtarët të grupit të armatosur në mesin e të cilëve edhe dy ish-komandantë të UÇK-së, Mirsad Ndrecaj dhe Beg Rizaj. Për veprën terrorizëm ishin akuzuar gjithsej 37 persona, prej të cilëve 7 janë dënuar me burg të përjetshëm, 11 vetë janë dënuar me nga 40 vite burg ndërsa vetëm katër persona janë  liruar tërësisht nga aktakuza. Shumica e të dënuarve janë shtetas të Kosovës, të cilët edhe llogariten si organizatorët e ngjarjeve tragjike në Lagjen e Trimave në Kumanovë në vitin 2015, 19 janë shtetas kosovarë ndërsa të tjerët nga Maqedonia.

Vendimi i Gjykatës Themelore  u dha në prani të disa familjarëve, mediave të shumta, avokatëve dhe forcave policore, që ishin në numër jashtëzakonisht të madh.

Të akuzuarit në fillim të seancës gjyqësore kënduan himnin kombëtar "Rreth flamurit të përbashkuar" dhe kanë vazhduar duke kënduar këngën "besa besë, besën e kam dhanë" si dhe me thirrjet "rroftë Shqipëria etnike", "Maqedonia shtet fashist","ne s'jemi terroristë, por UÇK". Ndaj këtyre brohoritjeve  ka reaguar gjykatësja Verka Petrovska, e cila ka kërkuar nga forcat policore që të gjithë që bërtasin dhe qëndrojnë në këmbë të largohen nga seanca. Policia i ka nxjerrë të akuzuarit jashtë përveç katër të akuzuarve të tjerë, të cilët qendronin ulur.

Pala mbrojtëse e ka vlerësuar procesin si të montuar nga shërbime sekrete, që kanë pasur qëllim shpërqendrimin e vëmendjes nga kriza politike e nxitur nga afera e përgjimeve. Avokati mbrojtës Naser Raufi i ka cilësuar këto dënime drakonike. "Janë dënime shumë të mëdha dhe drakonike, 7 persona janë dënuar me burg të përjetshëm. Unë sërish ndaj mendimin se ky rast është i montuar, ku janë të involvuar edhe shërbimet sekrete", ka thënë avokati Naser Raufi. Sipas tij, pala mbrojtëse do të dërgojë ankesë deri tek gjykatat e tjera për të kërkuar gjykim të drejtë, ku do të dërgohen edhe prova konkrete.

 

Fatos Musliu, me bluzë polo të kuqe në ambient zyre. Në sfond duket një monitor me faqen e DW shqip
Fatos Musliu korrespondent i DW nga Shkupi, Maqedonia e Veriut