400 rekrutë bëjnë betimin ushtarak
21 Korrik 2009Në një ceremoni festive para ndërtesës së Rajhshtagut afro 400 rekrutë të gardës shtetërore gjermane bënë mbrëmë betimin e tyre publik. Fjalën e rastit e mbajti kancelarja gjermane Angela Merkel. Më parë ishin paralajmëruar demonstrata të fuqishme kundër ceremonisë, por si përfundim numri i demonstruesve ishte më pak se 200 vetë, ndërsa forcat policore ishin gati sa dhjetëfishi.
Atentati i dështuar kundër Hitlerit shërben si shembull për Bundeswehr-in, dhe në këtë mënyrë edhe për 400 rekrutët e gardës që bënë premtimin e tyre para Rajhstagut të hënën në mbrëmje, në prani të ministrit të Mbrojtjes Franz Josef Jung dhe kancelares Angela Merkel. ”Në një gjendje tepër ekstreme, gratë dhe burrat e 20 korrikut i dolën përgjegjësisë përpara dhe bënë diçka, kur të tjerët këshillonin që të mos nguteshin. Sot, në rrethana tërësisht të tjera, duke i shërbyer Bundeswehr-it, ju i dilni përpara asaj përgjegjësie që e ka prejardhjen tek liria”, do të thoshte gjatë fjalës së nderit, kancelarja Angela Merkel.
Merkel merr në mbrojtje vendin e mbajtjes së ceremonisë
Për vite me radhë më parë betimi publik i rekrutëve bëhej në ambjentet pranë ministrisë së mbrojtjes. Për herë të dytë radhazi ai bëhet para ndërtesës së Rajstagut, gjë që nuk mbeti pa u debatuar nga opinioni publik në Gjermani. Angela Merkel e mori në mbrojtje vendin e mbajtjes së ceremonisë. ”Unë them se ky është pikërisht vendi më i përshtatshëm. Sepse me shërbmin tuaj ushtarak ju jeni në mes të shoqërisë sonë”, tha kancelarja.
Ceremonia e betimit publik në fakt ka për synim t'u shprehë ushtarëve mirënjohjen që ka shoqëria ndaj tyre për sakrificën që ata bëjnë. Por në shoqërinë gjermane kjo mirënjohje ende nuk është normalizuar. Sa herë që bëhet përbetimi, zona rreth e përqark ceremonisë bllokohet me orë të tëra.
Radikalët e majtë donin të sabotonin aktivitetin
Edhe këtë të hënë trafiku kryeqytetas ishte paralizuar. Rreth 1500 policë ishin mbledhur për të penguar një demonstratë radikalësh të majtë që donin të sabotonin aktivitetin. Për të huajt që jetojnë në Berlin, kjo është diçka e pakutptueshme: ”Mua më duket paksa histerike, por ndoshta kjo pasqyron disi edhe historinë e Gjermanisë. Këtu njerëzit nuk e duan ushtrinë. Sa herë që bëhet fjala për Bundeswehr-in atëherë njerëzit dalin nëpër protesta”, çuditet një franceze me banim në Berlin.
Bert Caragan është njëri prej protestuesve. Ai ka vendosur para këmbëve të veta kartonë në formë arkivoli dhe këndon një këngë për shkatërrimin e Bundeswehr-it. Edhe fytyrat e tjera që janë ulur rreth e qark dhe dëgjojnë lirikën e tij antimilitariste janë të njëjtat që i has në çdo protestë të kryeqytetit me karakter paksa të majtë: qoftë ajo antifashiste, antiglobaliste, antimlitariste apo antikapitaliste. Po ashtu edhe argumentet: ”Ne kemi shtete që mbrojnë sipërmarrjet e kapitalit që shfrytëzojnë njerëzit, të cilët duhet të sigurohen me polici dhe ushtri me dhunë”, thotë Caragan.
Fjala është për angazhimin e Bundeswehr-it jashtë shtetit, kryesisht në Afganistan. Që pikërisht ky angazhim deformohet në këtë mënyrë, kjo nuk i pëlqen fare as ombudsmanit të Parlamentit gjerman për ushtrinë, Rainhold Robbe. Politikani socialdemokrat i refuzon këto argumente, edhe pse është i vetëdijshëm për historinë e krijimit të tyre: ”Nga njëra anë kjo ka të bëjë me historinë tonë. Kemi një pacifizëm të rrënjosur thellë në shoqëri, por kjo nuk mund të na pengojë që të shohim se çfarë sakrificash po bëjnë ushtarët duke vënë në rrezik shëndetin dhe jetën e tyre për misionet e paqes e jo për luftërat agresore. E ky angazhim meriton respektin dhe nderimin më të madh”, thotë ai.
Autor: Anila Shuka
Redaktor: Dr. Pandeli Pani